1948, Arratisja e bujshme nga Burgu i Korçës

Rakip Emin Kosova (Halili) dhe Jaçe Zihni Koleci vuanin dënimet në Burgun e Korçës. Të dy ishin dënuar në procese të mëparshme.

Rakip Emin Kosova, nga Peja e banues në Durrës, i vitlindjes 1915, ishte arrestuar më 23.8.1946 dhe dënuar nga Gjykata Ushtarake Korçë me 20 vjet burgim, konfiskim të pasurisë, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave politike e civile sa koha e dënimit, me akuzën e kontrabandës në kufi, akuzë së cilës i ishte shtuar edhe veprimi “agjenturor”, për t’u bërë një dënim sa më i arrirë.

Jaçe Zihni Koleci, dikur xhandar, i vitlindjes 1919 nga Starja e Kolonjës ishte arrestuar më 26.12.1944. U akuzua në bazë të neneve 14, 15 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945, për pjesëmarrjen në armën e xhandarmërisë dhe në forcat e Ballit Kombëtar. U përfshi në një proces me shtetasit: Sadik Poda, Mersin Ajazi, Selim Xhixho (Backa), Xhemal Xhixho (Backa), Fetah Aliçka (Butka), Sefedin Dume, Islam Deçe, Myhdin Salihu.

Këshilli Ushtarak Gjyqësor Kolonjë, me vendimin nr.6, datë 19.9.1945, e dënoi me burgim të përjetshëm dhe me konfiskimin e pasurisë.

Arratisja

Dy të rinjtë, duke vuajtur dënimin në Burgun e Korçës, kishin më shumë se kurrë motiv për t’u arratisur. Vitet e gjata të dhëna nga gjykatat, e bënin arratisjen një kërkesë të çdo momenti. Në mënyrë të pabesueshme, më 20.10.1948 ata arritën të përfshijnë në planin e tyre edhe dy policë të Burgut të Korçës, Bajram Halucin e Ramadan Hazizllarin.

Këta dy të fundit, pasi i nxjerrin dy të dënuarit nga burgu, i pajisin me kapota dhe armë zjarri dhe bashkë me ta nisen në drejtim të Pogradecit, prej nga ku kishin menduar që me një varkë të kalonin matanë në Jugosllavi. Duke qenë për rreth një javë të arratisur, regjimenti i Divizionit të Mbrojtjes së Popullit kish marrë masa të forconte regjimin kufitar.

Hapesire e Sponsorizuar

Ata zgjodhën pikërisht datën 27.10.1948 për t’u larguar me varkë. Bënë fare pak metra në liqenin e Ohrit, një javë pas arratisjes, kur e panë se ishin të rrethuar. Nën presionin e armëve të kufitarëve u detyruan të dorëzohen. Të katërt u përfshinë në një proces. U akuzuan në bazë të nenit 17 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945. Gjykata Ushtarake Korçë, e drejtuar nga kapiten I Loni Dimoshi, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten I Faik Minarolli, me vendimin nr.16, datë 4.3.1949, dy të burgosurit i deklaroi fajtor dhe i dënoi me burgim të përjetshëm, duke marrë parasysh edhe dënimin e parë si dhe pagimin e 54 lekëve shpenzime gjyqësore. Dy policët u dënuan me nga 20 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe heqjen e të drejtave civile për aq kohë.

Jaçe Koleci u lirua më 20.1.1963, pasi vuajti 18 vjet heqje lirie.

Rakip Kosova u lirua më 16.10.1963 nga Reparti nr.321 Burrel, pasi vuajti 17 vjet heqje lirie.