20 shkallë për të kaluar kufirin në kërkim të lirisë!

Historia tronditëse e familjeve dibrane që u arratisën drejt Jugosllavisë për t’i shpëtuar diktaturës

Ishin njëzet shkallë. Dhjetë për t’i ngjitur në njërën anë të klonit e dhjetë të tjera përtej tij, për të zbritur. Gjashtë fëmijët e vëllezërve Beqir e Mexhit Capa, i ngjitën me shumë mundim këto shkallë kur prindërit e tyre ndjenin më shumë frikën e tmerrin se nga çasti në çast mund të dëgjoheshin breshëritë e automatikut të rojave kufitare të shkreheshin mbi ta.

Ishte 12 dhjetor 1969. Egërsia e regjimit diktatorial kishte prekur skajet. Vendi ishte përfshirë nga lufta kundër besimit dhe po shembeshin kisha e xhami e po vriteshin klerikë e besimtarë anë e mbanë vendit. Në këto kushte, dy vëllezërit nga Sllova e Dibrës kishin marrë vendimin ekstrem, o të gjallë e të lirë o të vdekur në kufi.

Ndërtuan shkallët e tyre për të kaluar kufirin për t’i shpëtuar regjimit diktatorial. Shkalla e madhe ngrihej mbi dy metro lartësi dhe ishte planifikuar të vendosej mbi klon.

Kloni ishte një mur me tela të fortë me gjemba, i ngritur në formën e një perdeje vertikale të hekurt, mbi dy metra e lartë, mbështetur në shtylla betonarme. Kloni ushqehej me rrymë elektrike e cila kishte dy qëllime: së pari, të godiste dhe të linte në vend, madje edhe ta karbonizonte, këdo që do të tentonte të arratisej dhe së dyti, të jepte alarmin në postën më të afërt kufitare.

Dy vëllezërit dibranë bashkë me familjet e tyre ia dolën ta kapërcejnë rrezikun që vinte prej klonit. Mes mundimesh ata ngjitën fëmijët e mitur dhe i zbritën në anën tjetër. Ata ia dolën ta kapërcejnë me sukses klonin dhe të largohen pa u zbuluar nga rojat kufitare.

Mbërritën pranë autoriteteve jugosllave ku dhe u dorëzun. Por fati i tyre i keq do t’i kthente sërish në Shqipërinë komuniste pasi dy vendet kishin marrëveshje për të dorëzuar të arratisurit e mundshëm ndërmjet dy vendeve. Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar shkallën si dhe të dhënat për historinë e familjes nga Dibra.

Hapesire e Sponsorizuar

“Më 12.1.1969 vëllezërit Beqir e Mexhit Capa, me gratë e tyre dhe tre fëmijë të mitur realizuan arratisjen në Jugosllavi nga zona e Dibrës, duke kapërcyer klonin me anën e një shkalle si kjo e fotos. Për fatin e keq, autoritetet jugosllave pabesisht i kthyen në Shqipëri 18 ditë më pas. Morën dënime dhe vuajtën shumë vite burgim” shkruan Dervishi.

Një banor nga fshati Sllovë ka dhënë detaje rreth historisë së mundimeve të dy familjeve. Pa dyshim, ata përfunduan nëpër bugje bashkë me bashkëshortet e tyre ndërsa fëmijët mbetën jetimë. Gjatë hetuesisë, fëmijët e mitur u mbajtën në të njëjtat ambjente me prindërit që ishin duke u hetuar për aktin “e tradhëtisë ndaj atdheut”.

Pas tri javësh, fëmijët u ndanë nga nënat për t’u takuar pas shtatë vitesh vuajtje nëpër burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste./Kujto.al