20 vite më parë më 3 nëntor 2003, u nda nga jeta Tish Daija, kompozitori dhe muzikanti i shquar shqiptar

Tish Daija ka qenë kompozitor dhe muzikant i shquar shqiptar. Krijimtaria e Tish Daisë është e madhe dhe e larmishme. Ai krijoi muzikë të të gjitha llojevem, dhe ka shkruar në të gjitha gjinitë muzikore si: opera, balete, simfoni, vepra instrumentale e vokale, poema, këngë popullore e të lehta, këngë për fëmijë, etj. Për të gjithë veprimtarinë e tij të madhe e të suksesshme ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” si dhe me titullin “Profesor”.

Ai mbahet mend si krijuesi i baletit të parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”, që u shfaq për herë të parë në vitin 1963.

Lindi më 30 janar 1926, në një familje artizanësh të dëgjuar shkodranë. Babai dhe xhaxhai i Tishit janë ndër themeluesit dhe njëkohësisht pjestarë të orkestrës së shoqërisë “Rozafat”.

I rritur në ambientin e këngëve e të melodive, pa hyrë në shkollë akoma Tishi bëhet pjestar i korit françeskan nën drejtimin e pader Martin Gjokës dhe pader Filip Mazreku.

Kur ishte nxënës i vitit të tretë i shkollës fillore bëhet edhe pjestar i bandës muzikore “Antoniane” të drejtuar nga i madhi, mjeshtëri dhe frymëzuesi i paharruar Prenkë Jakova. Këtu në këtë grup ai nisi t’i bjerë klarinetës, saksofonit e disa veglave të tjera. Të kësaj moshe janë edhe kompozimet e para të tij mbi motive të këngës popullore shkodrane nën influencën e muzikës orientale, të cilat mbajnë vlerat e moshës.

Në 1939, kur ishte vetëm 13 vjeç ai krijoi disa këngë të bukura si “Çik, o mori çik”, “Ndal bre vashë”, “Me lule të bukura”, Sylarushe”, etj, të cilat këndohen edhe sot në mjediset shkodrane e që ruajnë akoma freskinë e tyre, madje ato janë bërë aq popullore, saqë pothuajse e kanë humbur autorësinë e tyre. Këngët popullore të Tish Daisë janë më të hershme se ato të Prenkë Jakovës dhe të Gjon Simonit e të ndonjë tjetri.

Gjatë kohës së luftës Tishi vazhdon studimet në gjimnazin françeskan dhe njëkohësisht merret edhe me krijime këngësh popullore. Dy vitet e fundit të shkollës në 1945-1946 i mbaron në gjimnazin e qytetit. Menjëherë pas mbarimit të shkollës në 1946 emërohet mësues muzike në Vlorë, qyteti që i fali aq gëzime rinore. Në vitin 1951 Tish Daija, pasi i kishin refuzuar një bursë në 1947 për në Izrael, kapërcen dyert e konservatorit të famshëm “Çajkovski” të Moskës.

Diplomohet në 1956 për kompozicion. Gjatë kësaj kohe ka shkruar një sërë veprash plot frymëzim si: “Kuartet harqesh, suitën për fëmijë “Një ditë pikniku”, Uvertura e fitores, etj. Mbas studimeve emërohet për 6 vjet në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, ku dha një ndihmë të çmuar në fushën e artit muzikor. Në 1962 emërohet në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore. Për afro dy dekada, si udhëheqës artistik i këtij Ansambli, dha një sërë koncertesh të suksesshme që e bënë të njohur në kudo në botë. Ai shoqëroi Ansamblin në shumë vende të botës duke bërë ballafaqimin e artit tonë me artin botëror. Mbas 1980 del në profesion të lirë deri sa del në pension. Që nga viti 1962 e deri më fund të viteve 90-të ishte pedagog i jashtëm i Akademisë së Arteve. Mbylli sytë në Tiranë më 3 tetor 2003.

Hapesire e Sponsorizuar

Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.