Çfarë tha në hetuesi Sabiha Kasimati

Një nga shkencëtaret e rralla të Shqipërisë dhe një nga viktimat e shumta të regjimit komunist, e vrarë sepse nuk pajtohej me pushtetin e kohës. Por për çfarë u akuzua Sabiha Kasimati formalisht dhe çfarë tha ajo për akuzën. Kujto.al sjell edhe një herë në vëmendje krimin shtetëror të 26 shkurtit 1951, kur u vranë 22 persona, me një të rënë të lapsit të pushtetarëve

Një nga krimet më të qarta të regjimit komunist mbetet pushkatimi i 22 personave, përgjithësisht intelektualë dhe tregtarë të njohur, më 26 shkurt të vitit 1951. Ata u arrestuan pas hedhjes së dinamitit në oborrin e Legatës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë pa pasur asnjë lidhje me këtë ngjarje. Disa u morën në pyetje, por ndaj tyre nuk u zhvillua gjyq, qoftë edhe formal siç ishin shpesh gjyqet komuniste ndaj atyre që konsideroheshin kundërshtarë politikë. Ata u ekzekutuan pasi udhëheqësit e lartë të shtetit vendosën disa shenja përbri emrave të tyre, në listat e gjata me të arrestuarit e atyre ditëve. Një ditë pas ekzekutimit në periferi të Tiranës, afër fshatit Mënik, u përpilua një vendim gjyqësor nr.64, datë 27.2.1951, i Gjykatës së Lartë i cili dënoi me vdekje këta persona: Sabiha Kasimati, Pjerin Guraziu, Anton Delhysa, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Manush Peshkëpia, Mehmet Shkupi, Niko Lezo, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Reiz Selfo, Myftar Jegeni, Thoma Katundi, Hekuran Troka, Qemal Kasoruho, Tefik Shehu, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Petro Konomi, Pandeli Nova dhe Ali Qorraliu.

Studiuesi Kastriot Dervishi në librin e tij “Terrori komunist i vitit 1951”, botim i ISKK, që ka shqyrtuar dosjen përkatëse shkruan se ajo përmban një proces gjyqësor të formuluar mbi bazën e proceseve hetimore të cilat nuk ekzistojnë më. Në dosje përfshihet hetuesia ndaj farmacistit Gjon Temali e zhvilluar nga toger Hysen Hoxhati. Prokurori Siri Çarçani, shkruan Kastriot Dervishi, ka nënshkruar një aktakuzë sipas së cilës grupi akuzohej në tre pika:

-Janë vënë në shërbim të shërbimeve të huaja si agjentë të tyre, duke i furnizuar me informata me karakter sekret, ushtarak e politik.

-Kanë qenë anëtarë të një organizate terroriste.

-Kanë propaganduar rrëzimin e pushtetit, hedhur parulla kundër regjimit duke qenë pro shpërthimit të një lufte të re nga anglo-amerikanët.

Sipas procesverbalit të “gjyqit”, Thoma Katundi, Gafur Jegeni, Pandeli Nova, Sabiha Kasimati, e pranuan pjesërisht akuzën. Haki Kodra tha se nuk kishte asnjë faj dhe ishte arrestuar kot. Zyhdi Herri, Mehmet Shkupi, Pjerin Guraziu, Delhysa nuk i pranuan akuzat. Jonuz Kaceli kërkoi të fliste (në hetuesi realisht) me avokat.

Hapesire e Sponsorizuar

Studiuesi Dervishi ka publikuar edhe deklaratën e së vetmes grua në këtë dënim, shkencëtares Sabiha Kasimati e cila deklaroi në hetuesi:

“Akuzën e pranoj pjesërisht. Kam qenë kundra pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh të cilët edhe ata të kenë qenë armiq të Partisë Komuniste. Ndër shokët e mi ka pasur edhe njerëz që mendonin që duhej të hidheshin në aksione terroriste kundër pushtetit. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje ku është marrë vendim për akte terroriste. Ka bërë vaki të kem folur se një luftë e re është e paevitueshme dhe kjo është në interes të popullit shqiptar. Gjë tjetër s’kam për të thënë”.

Sabiha Kasimati ishte arrestuar më 20 shkurt 1951, të nesërmen e hedhjes së dinamitit, pa pasur asnjë lidhje me këtë ngjarje, autorët e së cilës u zbuluan dhe u dënuan veçmas.

Ajo ishte një shkencëtare 39-vjeçare e diplomuar shkëlqyeshëm në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1940 punoi për disa vite në mësimdhënie dhe më pas iu kushtua plotësisht studimeve shkencore.

Ajo kërkoi të ngrihej pranë Institutit të Studimeve Mbretërore: një koleksion zoologjik duke filluar me Iktiologjinë, që merret me studimin e peshqve, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës; një “erbario pasi flora shqiptare ka ngjallur interesim të botanistëve të shquar europianë, sidomos atyre gjermanë”; të vendosej një bashkëpunim i ngushtë me drejtorinë e minierave, për të bërë një grumbullim të mineraleve dhe fosileve që gjendeshin në shtresat e tokës në Shqipëri. Për realizimin e projektit nevojitej krijimi i një biblioteke të posaçme me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës ajo e kishte përgatitur tashmë. Krahas bibliotekës, Kasimati propozonte edhe ngritjen e një laboratori studimesh mikroskopike që do të mundësonte kërkime shkencore relative. Sipas materialeve të Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, të ruajtura në AQSH, në mbledhjen e 18 shkurtit 1943 ky institut vendosi të krijojë pranë tij një muze të shkencave për përgatitjen e të cilit ngarkoi pikërisht Sabihanë. Ajo nisi bashkëpunimin me Selaudin Toton me qëllim organizimin e Institutit të Shkencave në Tiranë dhe u emërtua specialiste zoologe, e specializuar në iktiologji. Selaudin Toto u arrestua dhe u ekzekutua në tetor 1947, pasi u gjykua me grupin e deputetëve. Pas më pak se 4 vitesh, para togave të pushkatimit do të vendosej edhe shkencëtarja Sabiha Kasimati. Gjykata e Lartë do e shpallte të pafajshme 40 vite pas vrasjes./Kujto.al