Dëshmia e kompozitores që vuajti 35 vjet nëpër burgje, Kur fëmijët dilnin nga shkolla më gjuanin me gurë dhe…

Nga Shpendi Topollaj

Kur simbolet e komunizmit, pas gjysmë shekulli kapardisje, u shembën, u bë një zhurmë aq e madhe, sa ne u zgjuam nga gjumi i thellë. Hapëm sytë, por jo të gjithë e besuam atë që kish ndodhur: shpesh njeriu, siç sheh disa ëndrra që i merr për të vërteta, ashtu sheh edhe disa të vërteta, që i merr për ëndrra. Për më tepër, nuk qenë të paktë ata që iu kundërvunë kësaj përmbysjeje historike, me demonstrime e, deri kërcënime.

Për të kapërcyer këtë situatë, duhej durim e mençuri. Ishim vëllezër. E si të tillë e kishim detyrë intelektuale, morale e shpirtërore, që të denonconim demagogjinë e komunizmit dhe krimet e përbindshme të inkuizicionit të kuq. Natyrisht, që më të besueshëm ishin ata që kishin lënguar e vuajtur, burgjeve e internimeve. Heshtja, do të qe me të vërtetë, një mëkat i madh i tyre…!

KËNGËTARJA REBELE

– Krijimtaria poetike e Dhora Lekës –

Një nga mëkatet më mizore të diktaturës komuniste, është pa dyshim dhe anatemimi i artistit. Pa u bërë fare merak, për dëmin që i bën kombit të vet, ajo me dorën e saj të shpenguar, godet pa mëshirë, të gjithë ata që me fjalën e veprën e tyre, mund të ndërgjegjësojnë sado pak njerëzit e thjeshtë, për domosdoshmërinë e lirisë. Krahas një pafundësie shembujsh të tillë, tipik mbetet rast i këngëtares rebele, Dhora Leka. Dhora lindi më 1922, në qytetin e kulturuar të Korçës. Ajo u rrit dhe u edukua në gjirin e një familje me tradita të shquara patriotike.

Me fillimin e Lëvizjes Antifashiste, Dhora vajzë e re, doli partizane dhe në mal, ajo edhe pse nuk e njihte fare artin e kompozicionit, bëhet autore e shumicës së këngëve të mrekullueshme, të Luftës Nacionalçlirimtare, këngë që me magjinë e tyre, çonin peshë e frymëzonin mijëra e mijëra luftëtarë dhe për të cilat, kritiku i madh rus, Shvjetnikov, i cili i krahasonte këngët e Dhorës me Karamanjollën e Varshanjankën, shprehej se; “Edhe po të ishte vrarë në zjarrin e luftës, do të mjaftonin këto këngë, për ta bërë të pavdekshme”.

Dhe të mendosh se këngë të tilla, që ruajnë vlerat e tyre të jashtëzakonshme edhe sot e kësaj dite, si; “Kushtrimi”, “Rini, rini”, “Në ato maja rripa – rripa”, “Që nga gjokset djaloshare”, “Himni i ushtrisë”, “Himni i dëshmorëve”, “Hakmarrja”, “Plaku dhe i riu” etj., janë muzikuar me të vetmin instrument, fërshëllimën, nuk ka sesi të mos habitesh, me talentin e vullnetin e autores së tyre. Këngët e Dhorës, me entuziazmin e harmoninë e pashoqe, mësohen lehtë dhe nuk harrohen kollaj. I famshmi Ilia Ehremburg, dikur shkruante: “Ishte kënaqësia më e madhe, që takova Dhora Lekën, këtë vajzë të maleve, që me këngët e saj ngriti peshë një popull dhe që për nga rëndësia, ka vlera të pallogaritshme”.

Hapesire e Sponsorizuar

Më pas, Dhora Leka studion dhe diplomohet në njërin prej konservatorëve më të shquar të botës, “Çajkovski” në Moskë.

Atje, krahas violinistit të talentuar, Mark Kuvovçki, kompozitores A. Pahmudova, Andrej Eshpaj dhe Rudion Shçedrinit, studionin dhe miqtë e shokët e saj nga Shqipëria, Tonin Harapi, Tish Daija, Pjetër Gaci, Çesk Zadeja, etj., që do të përbënin plejadën e kolosëve të muzikës tonë. Mirëpo s`qe e thënë që Dhora, të thellohej në veprimtarinë e saj krijuese. Inkuizitorët e kuq, e shpallën heretike atë Klio të vuajtur, që me ëmbëlsinë e fytyrës, me një shikim të sinqertë e të pafajshëm dhe një buzëqeshje plot mirësi, të linte të kuptoje, se kishe përpara një shpirt, sa të ndjeshëm e delikat, aq dhe të paepur e optimist.

Ashtu siç është në nderin e një intelektuali të vërtetë dhe të një artisti me shpirt të lirë, Dhora, duke parë se udhëheqja komuniste nuk ish aspak koherente, midis asaj që premtonte dhe asaj që bënte, pra, meqenëse po shkëputej nga hallet e përditshme të popullit, duke e lënë plotësisht të varfër atë, mban anën e këtij të fundit dhe ngre fuqishëm zërin e protestës, pa iu trembur hakmarrjes së diktatorit. Ajo guxon të matet me “Mbretin”, ndaj për studio, pati qelinë e errët dhe të ftohtë, dhe për frymëzim, vetminë, përbuzjen por dhe besimin në të ardhmen. Dhe nuk qenë pak, por plot 35 vjet burgime dhe internime, siç ishin ato në Shqipëri.

Krenare në fatin e dhembjen e vet, Dhora, që me këngët e saj të zjarrta, nuk kish arritur të fitonte simpatinë e zemrës gur të Enver Hoxhës (edhe pse Orfeu, duke kërkuar Euridikën, me këngët e tij, kishte mallëngjyer Hadin, perëndinë e vdekjes e të skëterrës dhe kishte zbutur qenin e tmerrshëm Cerber), si për të vërtetuar atë thënien e Pol Elyarit, te “Poezia e rrethanave”, se; “Padrejtësia i jep zjarr drejtësisë”. I qe futur poezisë dhe stigmatizon atë regjim policor, nga kamxhiku i të cilit, pikonte gjak patriotësh e demokratësh të vërtetë. Kredua e Dhorës, është e thjeshtë dhe kuptimplotë:

“Këngëtar u bëra në furtunë,

Këngëtar rebel gjithë jetën, mbeta unë”!

Çudi si ndodh në jetë: shpesh here jeta e individit, ngjet me atë të një shteti të tërë. Drama e Dhorës, përkon katërcipërisht, me atë të gjithë popullit. Për më tepër, edhe pse në të shumtën, në poezitë e Dhora Lekës, personazhet janë dy; unë dhe ti, përsëri gjithkush abstragon, se aty flitet për diçka të madhe. Kështu, poetja nuk iu largua asnjëherë materialit, që i servirte realiteti ynë, ajo nuk fluturoi në krahët e një arti jashtë kohës dhe hapësirës shqiptare, por duke u kapur fort pas saj, i qëndroi gjithmonë besnike, tokës dhe njerëzve të vendit të vet. Në vitin 1969, ajo shkruan:

“As unë, as ti,

armët s`po i dorëzojmë.

Ti – jo!

se je i pari i tiranisë,

As unë – jo!

se jam ushtare, besnike e vegjëlisë”.

Në këtë këndvështrim, me poezitë që shkroi, Dhora Leka vërtetoi disidencën që ka ekzistuar në Shqipëri, madje asaj i përket merita, se nga të parat kuptoi që e keqja e këtij vendi të bekuar nga natyra, por të mallkuar nga fati, i vinte nga politika autokratike e megallomane e Enver Hoxhës, para bëmave të të cilit, ato të Neronit me shokë, duken si lodra kalamajsh. Larg Parnasit të poetëve që thurnin ditirambe, si një “piccolo – flauto”, që për sfidë stonon, në kundërshtim me lëvizjet tekanjoze të baketës së dirigjentit, që nuk arriti të kryejë një shkollë të lartë, ajo duke u treguar realiste, për gjendjen e saj shpirtërore (se burgu e internimet, nuk ishin as kampe pushimi e as vende turistike, por Gulakë të vërtetë):

“Hera – heras, më mbërthen mërzia,

Më drobit, më sakaton vetmia.

Zgërdheshet, fërkon duart,

Përgjon marrëzia.

Ulëret sa tundet qielli:

“Mërzi, dëgjon?

S`më mposht dot kurrë,

mërzi e marrë.

Ti s`e kupton,

se ç`forcë ka,

kush për liri lufton”!

Këto motive te poezia e Dhorës, i gjejmë shumë herët, që në izolimin e 1956-ës, tek “E mbyllën kanarinën në kuvli”, ku edhe pse e urdhëruan të heshtë, ajo s`e ndërpret këngën, që na jep të drejtën, ta quajmë Dhora Leken; “zogun që i këndoi lirisë nga kafazi” edhe pse ndofta, ajo është më e saktë, kur e krahason veten me një lis:

“Çmendet rrebeshi,

rrëke vërshon:

– Do t`zhgulë nga rrënjët,

Shfryn dhe kanoset…,

Lisit – Ante,

Fuqia nuk i soset!

Në një shtet totalitar si ky yni, ku sundonte arbitrariteti, njeriun mund ta dënonin, sa herë t`u shkrepej punonjësve të zinj të Sigurimit. Dhe pasi organizoheshin gjyqe apo demaskime publike butaforike, Dhora, rifillonte dënimin e ri. Në këto kushte, ajo shqetësohet më shumë për krijimtarinë e saj, se sa për veten. Ndofta ngaqë është mësuar, ndofta ngaqë e ndjen se është plotësisht e pafajsme, ajo dënimet i pret, me gjakftohtësi shembullore. Ajo mërzitet pa masë, vetëm kur e ëma, nga frika, i djeg poezitë e saj, pa e ditur se:

“Lajmi i djegjes,

m`i rëndë se plumbi,

më shpovi në gji”.

Atëherë, Dhora e pamposhtur. vendos:

“Kujtesën e lodh,

Tash natë e ditë,

Që “vargjet rebele”

T`i nxjerr prap në dritë”!

Dhe nis e shkruan sërishmi, në fshehtësi të plotë; “Zallishten e heshtur”, “I pamposhturi”, “Blini ballona me ngjyra”,“Makbethi”, “Këmbana”,“Elegji e heshtur”, etj., të cilat kanë qysh në ngjizje, vërtetësinë dhe guximin qytetar. E izoluar nga bota, me një buzëqeshje të hidhur sarkastike, e pret poetja 16 tetorin, ditëlindjen e diktatorit dhe duke iu kundërvënë kakofonisë së hosanave për të, pasi thekson se; ai çkurorëzoi Zotin, për të hipur vetë në piedestal, si Zot i ri, i drejtohet gati me përqeshje Enverit:

“Ti na dhe “jetë,

begati, lumturi”

Dita t`u bëftë njëmijë

për ty, të gjithë bëhemi fli”.

Dhe s`vonon të shpalosë dëshirën e popullit i cili, në heshtje mallkon diktatorin, për tërë “të mirat” që i ka bërë, duke e lënë të mjerë dhe pa asnjë të drejtë, elementare njerëzore. Nostalgjia për shokët e idealeve të pastra, që luftuan dhe u zhgënjyen, e mundon poeten. Ajo e nis një poezi kushtuar atyre, me pyetjen tronditëse:

“Ku janë

Ç`u bënë gardistët e parë”?!

Dhe pasi tregon, se ata i njollosën me lloj – lloj epitetesh, deri “tradhtarë e armiq”, shpreh besimin se se historia, s`do t`i harrojë, dhe populli do t`i nderojë. Dhe fill pas kësaj, si për të krijuar një kontrast të fuqishëm, ajo vendos poezinë “Qesh palaço”, të cilën e mbyll me thirrjen: “Deri kur do të durojmë?”

Syrit të mprehtë të poetes, nuk i shpëtojnë as njollat në fotografi, të cilat pak e nga pak, po mbulojnë aq fytyra luftëtarësh, sa po e lënë të vetmuar komandantin e vetëquajtur legjendar, e as montazhet fotografike, një lojë e turpshme prerje e zhvendosje kokash, siç ndodhte në jetë dhe sipas koniukturës që krijonte fantazia e sëmurë e falsifikatorit të hisatorisë tonë. Një urrejtje gati patologjike ka poetja për Enver Hoxhën, ndaj dhe nuk pushon së shkruari me neveri për të. Në poezinë “Eklipsi”, ajo pasi kujton se propaganda e puthadorëve, trumbeton se:

“Në Shqipëri nuk ndrin diell,

E nuk ndrin hënë,

Enver Hoxha,

Vendin ja ka zënë”!

Ajo arsyeton se; prandaj kemi 40 vjet që jetojmë në errësirë.

Dhora Leka, kjo amazonë, kjo marciale e luftës, që pasi lë pushkën me të cilën kish luftuar pushtuesit nazi – fashistë dhe pasi merr penën dhe zhvillon një luftë të re e, pa kompromis (ajo nuk u josh dhe nuk u thye asnjëherë nga titujt që ju ofruan), çuditërisht, ka një zemër të butë e të dashur, një zemër fisnike për njerëzit. Ja ç`tregon vetë poetja: “Kam bërë shumë vjet internim atje dhe kalamajtë kur dilnin nga shkolla, këndonin; ‘Në ato maja rripa – rripa’, por dhe disa më qëllonin me gurë, duke më thënë: ‘Moj plakë, plakë e internuar’. Unë sot dua t`u dërgoj atyre kalamajve, të Sheq-Marinasit, një përshëndetje.

Ata në fshatin e tyre, nuk do të kenë kurrë të internuar dhe unë do të shkoj një ditë, t`i mbledh ata fëmijë rreth vetes dhe do t`u them: “Jam nëna Dhora, që ju kam ardhur”. E do t`i puth të gjithë, si ata që këndonin këngët e mia, si ata që më qëllonin me gurë. Të gjithë do t`i puth e, përqafoj. Unë sot përqafoj e puth të gjithë Shqipërinë. Të gjithë shqiptarët, kudo qofshin ata. Ne shqiptarët i themi vendit tonë Atdhe, por i themi dhe mëmëdhe (dheu i mëmës), dhe të gjithë e dime, se mëma i do fëmijët e saj, qofshin të mbarë, qofshin të prapë”.

Poetja që ka vuajtur gjithë jetën, ishte plot vitalitet dhe e qeshur. “Vitalitetin dhe humorin, i kam ruajtur si gjërat më të shtrenjta, sepse ato janë armët e optimistëve dhe optimistët, janë ai brumë i njerëzve, shpirtërisht të fuqishëm e demokratë”, shprehej ajo në një intervistë dhe vazhdonte: “Pse e kam dashur humorin dhe optimizmin? Pa to, pa kualitetet e plota intelektuale, nuk mund të përballonim diktaturën e përbindshme, burgimet, internimet, përbuzjet, sharjet, privacionet, etj. pa to nuk mund të mbetet i ri e virtuoz njeriu”.

Dhe megjithëse kur ishte 70 – vjeçare dhe me mori problemesh vetjake, ajo kurrë nuk u ankua, por thoshte: “Mjaft punë më presin”. E tërë jeta dhe vepra e Dhora Lekës, të sjell ndër mend mitin e Prometeut, kur ai i drejtohet Hermesit: “Nuk dua ta ndërroj, ji i sigurtë, fatin tim të mjerë, me skllavërinë tënde prej shërbyesi, se preferoj më mirë, të jem i lidhur me zinxhirë në këtë shkëmb, sesa të jem lakeu i bindur i Zeusit”. Ne, bashkëkohësit e saj, kemi të dejtë të mburremi me njerëz dhe artistë si Dhora Leka, që iu kundërvunë pa frikë diktaturës dhe manifestuan shpirtin liridashës e demokrat të popullit tonë.

Por ashtu, siç thotë Paskali: “Pa vuajtje, nuk ka dafina, pa gjëmba, nuk ka kurorë, pa plagë, nuk ka lavdi”. Dikujt natyrshëm, i lind pyetja: “Ku e gjente forcën kjo grua e brishtë si ajo, që të sfidonte diktaturën”?! Dhe përgjigjen na e jep Plutarku, i cili duke folur për Kornelien, nënën e vëllezërve Grakë, thoshte për skeptikët: “…Ata… s`e kuptonin ç`energji i jep njeriut, një natyrë e mbarë, e një edukatë e shëndoshë, për të poshtur dhimbjen, sepse, në rast se në mbrothësi, fati del mbi virtytin, në mjerim, ai nuk mund t`ia heqë këtij njeriu, guximin për të përballuar të këqiat”. Memorie.al