Dëshmia e rrallë, për armikun më të madh të diktatorit Hoxha

Nga Aleko Likaj

E kishte adhuruar në rininë e hershme të tij, atje në fshatrat e “Lumit të Vlorës” në vitet ‘40-të, Sadik Premten, por pas 60 vjetësh, ka mundur t’i jetë pranë. Historia e çuditshme e Dilaver Premtit nga Vranishti i Vlorës, që ka bërë 20 vite burg e, pastaj është “kallur” në kalvarin e pafund të internimeve, ka patur si zanafillë, pikërisht faktin, se ai ka qenë ithtar i Sadikut. Ndonëse me mbiemër të njëjtë, ai pranon se nuk e ka njohur personalisht në atë periudhë. Ideologu dhe njeriu që i kishte marrë mendjen, jetonte rreth 30 km. larg tij, në fshatin Gjormë. Me një familje që ka qenë nën influencën e “Ballit Kombëtar”, Dilaveri ka parapëlqyer Sadikun, që ishte kundër komunistëve Hysni Kapo e Mehmet Shehu, të cilët, “mbillnin në krahinë vëllavrasjen, e më tej”!

Nxënës në shkollën Tregtare të qytetit bregdetar, ai kishte mësuar se në fshatin ku i duhej të kalonte për të shkuar në shtëpinë e tij, në Vranishtin e largët, ishte një prej drejtuesve më të lartë të partisë, që nxiste “kryengritjen e armatosur”, për të përzënë okupatorin. Atëherë, në të gjithë krahinën, “vetëm për Sadikun që mbante pseudonimin “Xhepi”, flitej”. Një i afërmi i tij, i a kishte identifikuar.

Fshati Gjorm sipas Dilaverit, ishte bërë një posto-bllok që nuk kalohej lehtë. “Gjithë djemuria e atij fshati, por edhe fshatrave pranë, ishin mbledhur rreth liderit të tyre”. Kur ishte nxënës, kishte mësuar edhe opozitën, që i bënin tashmë ish-figurat e gueriljeve të qytetit “Xhepit”. Kishte mësuar se “paguhej shtrenjtë”, koka e tij në ato momente, jo vetëm në qarkun e Vlorës. Por nuk e kishte parë ndonjëherë përballë. “E pse jo, e kam ëndërruar”.

Pak kohe më vonë, kishte mësuar se i organizuan një atentat tek “Ura e Zonjës”, atje ku ndahen sinoret e dy fshatrave pranë, Gjorm e Lepenicë. Pastaj, rastësia e ka vënë përballë me Sadik Premten, në ditët e nxehta të nëntorit 1944, në qytetin e veriut, Shkodër, ndërsa po përgatitej për të braktisur vendin. Kanë qenë disa çaste që nuk i kalojnë as te 120 minutat. 16 vjeçar, së bashku me disa bashkëfshatarë të zonës, midis tyre edhe tre kushërinj të Sadikut, vendosi të largohej në rrugët e Evropës. Mbase mund të mundësonte edhe shkollimin, pasi kishte qenë nxënës i mirë në shkollën Tregtare. Ky ka qenë edhe për shumë vite, pengu i një djaloshi që ëndërronte për një të ardhme tjetër, por që nuk e realizoi dot.

Pas tre vjetësh provoi arratisjen sërish, pasi ishte larguar nga burgu në Llakatund, por E.A M – istët grekë, e dorëzuan në kufi, kur ndodhej në portat e Filatit, së bashku me dy shokë të tjerë. Vera e vitit ’90-të, ka qenë momenti që i ndryshoi rrjedhën e jetës së vet, duke bërë të realizohej kësisoj edhe ëndrra e vjetër djaloshare, për të takuar njeriun, për të cilin sistemi komunist kishte shfryre maksimalisht mbi të gjithë stuhitë e mallkimet që janë lëshuar ndonjëherë për njeriun, që edhe pse brenda llojit, mendoi e projektoi një të ardhme ndryshe, pa diktaturë.

I befasuar nga karakteri i tij, por edhe nga mençuria e analiza që u bënte ngjarjeve të ditës i besoi jetën si një fëmijë pikërisht në Paris. Fjalëpakë e një lider tashmë në Partinë Komuniste franceze, tregojnë se Shqipëria në atë kohë e partia e tij, humbi shansin për të patur një politikan luajal e largpamës, që me siguri do ta çonte atë në rrjedha të tjera më të mira. “Mbase po të triumfonin idetë e Sadik Premtes, nuk do te ishim në Europë këta që jemi sot”. Në fund të fundit ky është mendimi i tij.

“Tre atentate ka patur Sadiku në Paris, e që të tre kanë dështuar falë zgjuarsisë e instinkteve vetëmbrojtëse, por edhe dashurisë që kishin për të të njohurit e tij franceze”, tregon Dilaver Premti. “Enver Hoxha ka paguar për kokën e tij, mbase edhe flori nga ato që na mori ne” thotë Dilaver Premti. Pastaj, së bashku me të vëllanë Zijain, që kishte mbërritur edhe ai në Paris, pak ditë përpara tij, kanë qenë njerëzit me të afërt për Sadik Premten në kryeqytetin francez, Paris.

Hapesire e Sponsorizuar

Kështu ka ardhur edhe ajo ditë e ngrohtë prilli, ku pranvera sapo kishte çelur sythet e para të saj. Një telefonatë nga Zijai dhe ai është gjendur para portës së Sadikut. Nuk harron çastin e fundit, kur e ka parë njeriun që e kishte adhuruar për 50 vjet me radhë, të shtrirë poshtë divanit, pa jetë. Pastaj homazhet e shumta të personaliteteve të politikës së majtë franceze, miq të këtij vendi, e shqiptarë të mbledhur tok, pa dallim ideje e feje, të cilët kanë bërë edhe shumë foto tek varri i tij.

Z. Dilaver, si jeni njohur me Sadik Premten, ndërkohë që ju keni një mbiemër të përbashkët, e duket se jeni të një gjaku?

Jooo….! Nuk jemi të një gjaku. Unë vetë jam nga Vranishti, kurse Sadiku, ka qenë nga fshati Gjorm. Por ajo që dua të të them me sinqeritet, është se e kam adhuruar që në rininë time të hershme. Kur kam qenë edhe unë nxënës në shkollën Tregtare të Vlorës. Jemi nga një krahinë, “Lumi i Vlorës” dhe për të shkuar në fshatin tim, duhet që të kalosh mes përmes Gjormit ku ka lindur Sadiku. Është e vërtetë se unë në fillim të viteve ‘40-të kam qenë në periudhën e adoleshencës, siç i thoni ju sot. Njohja me Sadikun ka nisur nëpërmjet bisedave që dëgjoja në vatrat tona familjare, komshinjtë, edhe tek miqtë e familjes sime, të cilët edhe pse anonin nga “Balli i Kombit”, flisni me respekt për karakterin e virtytet e tij.

Në fillim ishte hapur fjala në krahinë, që një njeri me pseudonimin “Xhepi” ishte nga figurat kryesore te Lëvizjes Antifashiste që kishte nisur në atë periudhë në Shqipëri. Vlerësimet për Sadikun bëheshin, pa e ditur se “Xhepi” ishte vetë ai. Në të gjithë krahinën, njihej si një njeri që i peshonte fjala, ndonëse edhe ai nuk pati ndonjë moshë kushedi se ç’farë. Kishte një inteligjence natyrore, për t’u patur zili. I shkolluar ishte. Djali i premtajve, ishte bërë pikë referimi në atë kohë në zonën tonë.

I dashur dhe i pritshëm, thonin edhe ata që e njihnin nga afër. Pas asaj që u quajt; “Lufta kundër fraksionit” në Vlorë, e që nuk kaloi pa lenë gjurmë të thella në të gjithë Vlorën e krahinat e saj, u kuptua se Sadiku, ishte njeriu kyç i asaj lëvizje, por që ishte vënë në shënjestër. E thirrën në Tragjas, “për t’u sqaruar”, por që u lajmërua në kohën e duhur, dhe së bashku me një grusht djemsh, jo vetëm të Gjormit, që i njihnin që të gjithë si trima, u kthyen duke e lënë të parin e komunistëve, me gisht në gojë. Pra u dështoi plani për ta vrarë. Më pas nisi lufta brenda llojit të tyre.

“Çeta Plakë”, një nga çetat e para antifashiste në të gjithë vendin, e që komandohej nga “Vangjua” (pseudonimi i Neki Ymerit), djalë trim, strategu që si bënte syri “tërr”, u bë epiqendra e goditjes. Ky komandant kishte qëlluar që të ishte edhe kunati i Sadik Premtes, (pra i kishte marrë motrën për grua), futet në kurth nga Mehmet Shehu. Di që është bërë një përpjekje në një fshat të Mallakastrës, ku e mbanin të arrestuar dhe është vrarë si aksidentalisht” Xhemil Çakërri dhe ky kuadër i kësaj çete, kurse “Vangjua” i shpëtoi litarit që ishte ngritur për të. Pastaj me sa duket, Nekiu shkoi në fshatin e tij dhe e ndau mendjen, duke qëndruar në krah të kunatit.

Më falni, të gjitha këto histori ju i keni jetuar si bashkëkohës apo…?!

Siç të thashë, kam qenë në shkollën Tregtarë atë kohë. Me gjithë konspiracionin e madh të kohës tek ne, edhe pse frynin erëra të ndryshme, shumë gjëra merreshin vesh. Të kuptohemi. Ka qenë vështirë që të merrje vesh, se filani e bëri atë aksion, apo filanin e vrau iksi, ta zëmë. Ngjarjet mbesin si ngjarje. Ashtu siç kanë qenë. Për shembull. Kur kaloje në Gjormë në atë kohë, i cili konsiderohej si “Moska e dytë”, ishte e pamundur që të mos “kontrolloheshe” nga djemtë e atij fshati.

Pas luftës kundër fraksionit, ndryshoi gjithçka. Në ambiente të ndryshme doli fjala që Sadik Premtja, ishte vënë në shënjestër nga drejtuesit e lartë të partisë së tij, të cilët kishin ardhur nga Tirana. Ai nuk piqej me në fshat me Hysniun e Mehmetin, të cilët vinin vazhdimisht aty. Këtë ma thonin njerëzit e afërt të mi, që kam patur në atë fshat, e që ishin pranë Sadikut.

Tani na del, që në këtë fshat, fill pas dështimit të Tragjasit, na paska ardhur aty si klandestin vetë Hysni Kapua, i cili me sa duket, donte që të bënte “diferencimin” e djemurisë së Gjormit nga Sadiku. Mbase kërkonte edhe ndonjë dorë që mund të qëllonte mbi të, duke shfrytëzuar ndonjë grindje të vjetër familjare, por me sa duket, dështoi shumë shpejt në misionin e tij. Siç kemi marrë vesh tani vonë, nga dëshmitarë okularë, pas tre ditëve i fshehur e në “besë”, të një familje në një nga lagjet perëndimore të këtij fshati, është larguar i maskuar si grua. Kishte veshur një palë tumane, e në kokë një dorë shkarpa, ashtu siç bëjnë gratë tona, në ato anë. I shoqëruar nga një grua e familjes që e mbajti në besë, del mbi lagjen “Ndregjon” në “Vris”, e pastaj ka marrë malin në një buzë mbrëmje.

Për këtë e pagoi Gjormi. Pas luftës dhe ardhjes në fuqi të Enverit, Hysniut e Mehmetit, ky fshat i Sadik Premtes u cilësua si fshati i “tradhtarëve të partisë”. Mbaj mend që Sigurimi në atë kohë arrestoi edhe pesë djem të këtij fshati, kryesisht çobanë dhish, nën akuzën se “kishin organizuar një atentat për shokun Hysni”, i cili pritej që të kalonte aty, mes përmes për në Tërbaç, fshati i tij. Pas një vit e ca hetimesh, dështuan në sajë edhe të njerëzve të mirë, që nuk morën përsipër ti njollosnin në hetime të pafajshmit, por që edhe këta e pësuan më vonë. Policia u detyrua që të ekzekutojë operativin e zonës, që i “mori në qafë” gjormiotët. Kjo ka ndodhur aty nga fundi i viteve ’50-të

Përmendët më sipër se familja juaj ishte me ‘Ballin’. Kjo organizatë, a ishte ndeshur me Sadikun e njerëzit e tij në Gjorm e gjetkë, që përfaqësonin atë kohë një rrymë tjetër, komuniste?

Është e vërtetë që “Balli Kombëtar” në atë kohë, ka qenë një forcë potente. Edhe brenda në fshatin Gjorm, ku jetonte Sadik Premtja, ne kemi patur strukturat tona. Duhet që të kuptoni se krejt “Lumi i Vlorës”, ka qenë në një harmoni të plotë dhe nuk ka patur raste të vëllavrasjes. Sadiku ishte kundër kësaj vëllavrasje, edhe pse ishte i asaj që ne i thonim “rryma e kuqe”.

Këtu mendoj unë se është dallimi esencial, midis tij dhe atyre që inspironin për diktaturën. Unë kam njohur në fshatin e tij një ballist, që ishte njëkohësisht edhe një nga poetet më të mirë të ‘Ballit’, i cili si për ironi, e kishte shtëpinë fare pranë të asaj të Sadikut, e që vargjet e tij unë i kujtoj edhe sot. Ai ka rrojtur deri para pak vitesh, sigurisht me damkën e ballistit

A munde që të takohesh ndonjëherë në atë kohë me Sadikun?

Pas asaj që quhet; “Lufta kundër fraksionit të ‘Xhepit’”, komunistet u hakmorën për kthimin nga rruga të Sadikut. U organizua një pritë në mes të rrugës, që lidh dy fshatra, Lepenicë dhe Gjormë, në vendin e quajtur “Ura e Zonjës”. Koka e tij kërkohej në “tepsi”. Sadik Premtia që ishte tërhequr tashmë nga shokët e tij më të ngushtë të luftës në qarkun e Vlorës, është ndodhur një ditë si mysafir në Lepenicë, tek të afërmit e tij, së bashku me një grusht djemsh nga fshati i Gjormit.

Qëllohet nga një skuadër e komanduar, e që kishte vënë pritën. Vriten Neki Ymeri e Xhafer Dalani, të cilët ishin në krye të grupit, duke ecur të shkujdesur. Nuk e mendonin se puna do të shkonte deri aty. Dihet që Sadiku dhe të tjerët shpëtuan, duke u futur në përrua, e pastaj dolën në Shushicë. Pas kësaj ngjarje, ishte tepër vështirë që të gjendej adresa e tij. Unë nuk kam patur informacion ku është ndodhur. Nga fillimi i nëntorit të vitit 1944, takohem me disa të afërm të Sadikut, pasi unë isha në Gjormë tek njerëzit e mi ato ditë, e së bashku shkojmë për në Shkodër.

Qëllimi im, ishte që të delja në Europë. Isha fare i ri dhe dëshiroja që edhe të shkollohesha atje, ashtu siç kishin bërë shume djem shqiptarë. Rastësisht takojmë edhe Sadikun atje. Të më besoni që jam lumturuar. E kam shtrënguar me dorën time, prej çunakut idealist. Kemi ndejtur për momentin vetëm rreth dy orë e, pastaj u ndamë për t’u takuar përsëri, por që nuk ndodhi më kështu. Kjo, edhe për fajin tim, në një çast. Me Sadikun iku edhe Hasani e Fetiu, dy kushërinj të tij, të cilët i gjetëm atje. Se si mbërriti në Francë dhe se ç’rrugë mori, këtë nuk e di.

Unë u ktheva pastaj, duke rrugëtuar nëpër Shqipëri. Gjeta edhe një punë si llogaritar, por pak muaj më vonë, më hoqën dhe u ktheva në fshat, ku më arrestuan. Filloi kalvari i vuajtjeve nëpër burgje. Një herë u arratisëm aty nga fundi i viteve ‘40-të, nga burgu i Llakatundit, së bashku me disa shokë. Një treshe, shkuam e dolëm rrugë e pa rrugë, në Greqi, diku në një fshat afër Filatit. Ishte dimër i egër, e forcat e policisë, ishin që të gjithë në këmbë. Në një shtëpi greke, na kapën forcat e E.A.M-it që na dorëzuan në postën kufitare shqiptare. Kaq u desh që të viheshim në shënjestrën e Sigurimit, që nuk na u nda për gjysëm shekulli. Kam bërë pak me shumë se njëzet vjet burg, e pastaj kam qenë i internuar, deri në ditën që shpërthyen ambasadat.

Pas kësaj, u larguat nga Shqipëria?

Po. Dhe për këtë i a di për faleminderit edhe Sadikut, i cili, e pse ta fsheh, më ka tërhequr si me magnet. Zgjodha pra Francën. Është një odise pastaj gjetja e mënyrës për t’u larguar nga ai vend, të cilin, edhe pse ishte vendi im, ku më kishte “rrënua koka”, ma mohuan. Kur jam ndodhur mbi Bari, qytet fare pranë Vlorës sime, (përballë Adriatikut në aeroplan), kam qarë si fëmijë. Edhe me ligje, si plakat tona zakonisht, në gjëma të mëdha. Jam pjekur edhe me të vdekurit e mi në varreza, përpara se të vë këmbën në Rinas. Na ishte mohuar gjithçka. Në ‘Sharl De Gol’ mbërrita që atë ditë. Me vete kisha adresën e Mehmet Kushit, që ka qenë i burgosur me mua, e që ishte njeri i afërt me Sadikun.

Nga Shqipëria, nuk e merrja dot. I kërkova adresën e Sadikut dhe ai ma dha. Në telefonin e shtëpisë, më del një zë i njohur. Ishte Zijai, vëllai më i vogël i Sadik Premtes, shoku e miku im i vuajtjeve dhe i halleve, që kishte vetëm tre ditë që kishte mbërritur në Paris, së bashku me Luan Kokën. Më morën e drejt në shtëpinë e idhullit tim, të rinisë së hershme. Ai për momentin nuk ndodhej aty. Kemi festuar atë natë dhe jam dehur, si rrallë ndonjëherë në jetën time. Ishte mbase një mënyrë për të nxjerrë dufin, që ishte kyçur për 50 vjet brenda vetes sime e, që më la pa shtëpi e katandi, larg të afërmve të mi. Kjo sepse unë, mendoja ndryshe nga ata, që ishin në pushtet.

Realizuat ëndrrën kësisoj, a u ndatë me Sadikun pas kësaj?

Jo. Duhet të kuptoni një gjë. Është viti ‘90 të, dhe unë pas mbërritjes, sipas gjithë rregullave kërkova azil politik, të cilin qeveria Franceze, ma akordoi shpejt. Jetoja e banoja në një rezidencë refugjatesh, së bashku më shumë të tjerë. Në atë kohë në Paris e në Francë, ekzistonte një komunitet i gjerë shqiptarësh. Kishte nga të ardhurit e pas luftës, por edhe nga ambasadat. Jeta ime kufizohej në takimet e përditshme me Zijanë, që u bë për mua një vëlla i vërtetë, por edhe me Sadikun. Ky ishte atë kohë pensionist. Kishte punuar si llogaritar, në një nga firmat e mëdha tregtare “Fnak”. Shkollën për atë e kishte bërë. Vinte me ne në fund javë, e dilnim në periferi edhe të Parisit ndonjëherë. Nuk jemi ndarë pas kësaj, pasi unë konsiderohesha si njeri i afërt me atë.

Cila ka qenë jeta dhe veprimtaria e Sadik Premtes, në kryeqytetin francez, në kohën që e keni takuar ju?

Rregullisht si një nëpunës në një shoqëri si ajo franceze, ai është marrë, duke i qëndruar besnik bindjeve të veta të rinisë së hershme edhe me politike. Di që ka qenë i inkuadruar, në një nga partitë e majta këtu në Francë. Kam parë në dhomën e tij disa foto me shokët e, midis të tjerëve edhe me Georg Marshenë, një prej drejtuesve më me emër, në lëvizjen e atyre viteve. Ai bënte jetë të rregullt partie. Dhe kjo dihej nga të gjithë komuniteti shqiptar në Paris.

Historia e tre atentateve që kishte organizuar Sigurimi i atëhershëm shqiptar, me këmbënguljen e vetë Enver Hoxhës, për ta eliminuar fizikisht, e kishte bërë që të ishte shumë i kujdesshëm, me bashkëkombësit e vet. Ai nuk donte që të pësonte fatin e Trockit, të cilin Stalini e vrau pabesisht. Me mua dhe Zijanë, shpesh bisedonte kryesisht për njerëzit tanë të afërt, që kishim lënë atje në Shqipëri.

Asnjëherë nuk kam dëgjuar që të fliste e, të përgojonte ish- shokët e tij, me të cilët i kishte lidhur fillimisht lufta. Një ditë e pyeta me shaka. “Sadik, tani që fitoi demokracia, a do të kthehemi në Shqipëri”? Vuri buzën në gaz. Tundi kokën e më tha; “Kam edhe ca obligime të tjera. Pastaj mosha dhe sëmundjet, nuk më lënë që të lëviz”! Kishin filluar proceset e para demokratike në vendin tonë, edhe pse të pa kristalizuar mirë. Kur u rrëzua busti i Enverit, një prej gazetarëve të këtij vendi, i mori një intervistë të gjatë.

Më duket në një studio televizive, apo në një gazetë, që për momentin nuk më kujtohet mirë, pasi unë nuk ndiqja as televizor, e as gazetë, për shkak se nuk e njihja gjuhën franceze. Sadikun, nuk guxova që ta pyes. Një shqiptar emigrant si unë, më tregoi që ai; “kishte folur fjalë të mençme dhe i kishte bërë një analizë, gjithë asaj që ndodhi për një gjysëm shekulli në Shqipëri”

Tani të vijmë tek momenti fundit i jetës së tij. Si e morët vesh ngjarjen?

Pranverë ishte, fillimi i muajit prill. Mua më telefonoi Zijai. Ky kishte qenë tek një miku i tij, aty afër. Së bashku menjëherë, jemi ndodhur përpara portës së shtëpisë së Sadikut. Zijai ishte tepër i alarmuar, sikur të kishte parandjerë gjithçka. Ai i kishte telefonuar Sadikut, një çast më parë nga shtëpia e mikut të tij dhe nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Dëgjohej vetëm zhurma e televizorit, që ishte ndezur. Me sa dukej i vëllai po fikej ngadalë aty. Në fakt Sadiku, ishte i sëmurë. Probleme zemre. Edhe mosha bënte të sajën.

Zija e kishte bërë si rregull, që i telefononte dy a tre herë në ditë, për ta kontrolluar. Pastaj së bashku me policinë, që lajmëroi Zijai, hapëm forcërisht, derën e mbyllur nga brenda. Mbaj mend që e kemi gjetur Sadik Premten pa jetë, të shtrirë poshtë në tapet. Kësisoj jam bërë dëshmitar i atij çasti që e ndau nga kjo jetë, njeriun që i bëri opozitë Enver Hoxhës, që nga krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare, e deri në momentet e fundit të qeverisjes së tij.

Biblioteka e Sadikut, si dhe dorëshkrimet e tij i kaluan të vëllait, të cili i ka edhe sot, nëpërmjet një testamenti që kishte hartuar përpara se të vdesë, aty në Paris. Natyrisht ato nuk janë ekspozuar. Zijai ka folur në shtypin Shqiptar, madje edhe ka debatuar. Unë di që ai disponon dokumente autentike të asaj kohe, e cila realisht është e falsifikuar sipas interesave të atyre që rrëmbyen pushtetin. Për mua Sadik Premtja u luftua nga Enveri, sepse tek Sadiku, që në mbledhjen e parë të krerëve komuniste, dalloi njeriun që do t’i sillte shumë andralla, si pretendentin kryesor, për t’i marrë pushtetin.

Në atë mbledhje faktikisht, ishte hapur drita jeshile për kundërshtarin e Hoxhës, pas propozimit për rrëzimin e drejtuesve të grupeve. Kështu që Sadik Premtja, është personi i parë që u vu në shënjestrën e Enver Hoxhës për eliminim, që edhe pse nuk u realizua, falë intuitës së këtij të fundit, mbeti për më shumë se 45 vjet, e hapur deri në fund. Të tjerët kanë patur fatin e keq, që të ishin viktima në kohë e situata të ndryshme që kaloi vendi.

Ju keni qenë në ceremoninë e fundit mortore?

Sigurisht. Së bashku me Zijanë, organizuam gjithçka. Më ka bërë përshtypje fakti që, Sadiku gëzonte respektin e funksionarëve të lartë të Partisë Komuniste Franceze, deri tek Zhorzh Marsheja. Këtë e verifikova pikërisht atë ditë të ceremonisë së përmotshme që u organizua për ish-komunistin shqiptar. Ashtu siç thashë edhe më lartë, në atë ceremoni që mblodhi rreth 200 francezë, u mbajtën edhe fjalimet e lamtumirës, pikërisht nga këta persona, të cilët çmuan e vlerësuan figurën e Sadik Premtes me superlativa, që çdo person a komunist shqiptar, do ti kishte zili.

Ai i mbylli sytë, si një militant i idealit të tij. Koha do të bej shumë diferencime, për ato që janë thënë e shkruar nga Enver Hoxha, kundër figurës së tij. Është mirë që të dëgjohet me kujdes edhe fjala e atij që është anatemuar për një gjysëm shekulli, në Shqipërinë që e deshi aq shumë Sadik Premtia e, i u përkushtua, si një bir i denjë i saj. E vërteta zhduket, por nuk humbet asnjëherë. Kjo vlen shumë.

Memorie.al