Djali i Kadri Roshit kujton bisedën e fundit me babain

Kliti Roshi, djali i Kadri Roshit, por njëkohësisht edhe aktor si vetë i ati, do të festojë nesër 100-vjetorin e lindjes së babait të tij.

I ftuar në tv Klan, ai ka treguar jo vetëm aktivitetet që ka organizuar, por ka folur edhe për librin “Në jetët e të tjerëve”, i shkruar nga vetë ai, si një dedikim për aktorin e madh.

Gjatë programit, Roshi, teksa mbante lotët, kujtoi edhe një bisedë të babait me motrën, teksa i thoshte: “Iki i ngopur nga kjo jetë”.

Pyetje : Çfarë kujton një shprehje të tijën, që e kishte të vetën, që ta jepte në formë këshille ndoshta, që ta ka dhënë më shpesh se të gjitha të tjerat?

Kliti Roshi: Ishte një këshillë në formë sharje. Në formë sharje, që ia ka thënë edhe më të rriturve se unë: “A m’çan kokën?”.

Pyetje: Dhe kur e thoshte këtë, kur e përdorte këtë?

Kliti Roshi: Ndoshta, ndoshta, një orë para se të mbyllte sytë. Ndoshta, për herë të fundit. Dhe fjala e tij që (nuk mban lotët)… më falni. Fjala e tij që vërtet më ngopi, ishte biseda që bëri me motrën, por që u ndodha dhe unë pak më larg: “Iki i ngopur nga kjo jetë” (i tha Kadri Roshi të bijës).

Tani motra mendoi, iki i ngopur sepse shyqyr jetova mirë, mora një pension të veçantë, një kështu, një ashtu dhe jetova mirë, ike i ngopur nga kjo jetë. “Jo”, tha, “nuk është ajo. Për të gjitha ato që kam bërë, i kam marrë të gjitha. Nderi dhe i pari aktor ‘Nderi i Kombit’. Të tjerët erdhën më mbrapa, megjithëse pa diskutim që e meritonin, por iki i ngopur nga kjo jetë”. A ka gjë më të bukur se sa një artist të iki i ngopur nga kjo jetë?

Hapesire e Sponsorizuar