Elma Doresi: Ka humbur kuptimi i fjalës art, tashmë shfaqje, filma, seriale, këngë, mund t’i lejojë vetes çdokush të bëjë

Festivali i Këngës në RTSH dikur ngjarje më e madhe e këngës së lehtë në vend, duket se ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Edhe ky edicion i këtij viti ka sjellë diskutimin mbi krijimtarinë muzikore, skenarin, por në netët e tij nuk munguan dhe problemet e tjera teknike.

Festivali i Këngës në RTSH po zhvillon edicionin e 62 në Pallatin e Kongreseve, por artistë të njohur shprehen se ka humbur shumë nga vlerat që ka pasur dikur kënga shqiptare. Kompozitorë, këngëtarë të njohur dhe më gjerë janë shprehur këto ditë për problemet me festivalin, e zërave të artistëve profesionistë i bashkohet dhe regjisorja Elma Doresi.

Në reagimet e saj herë pas here Doresi si regjisore ka theksuar vlerat në art, por me atë që po ndodh me Festivalin e Këngës në RTSH ajo shprehet se nuk i bën më përshtypje, përveçse përballë problemeve nxit për statuse në rrjete sociale. “As ky festival, nuk më bën përshtypje, përpos më jep dorë për një status apo “meme””, shprehet Doresi. Jo vetëm me atë që ndodh me një Festival Kënge, por regjisorja Elma Doresi thotë se tek ne prej kohësh ka humbur kuptimi i fjalës art.

Sipas saj, në mungesë të një kritike arti profesioniste, të analizave për çfarë po ndodh, gjithsekush mund të merret me art. “Nëse gjërat do të shkonin mirë artistikisht, ndoshta do të isha acaruar dhe unë, por fatkeqësisht në epokën e “sariles” kudo në art, nuk do të bënte ndryshim as ky festival. Ka humbur prej kohësh kuptimi i fjalës art. Tashmë shfaqje, filma, seriale, këngë, mund t’i lejojë vetes çdokush t’a bëj. Përse?!

Sepse nuk ka kontroll, nuk ka kushte, nuk ka analiza, nuk ka kritikë. Edhe ndonjë që tenton, sërish tërhiqet se ndryshe del nga tregu dhe kështu përfundon si ajo shprehja e hershme: Bën derrin daj! Ka dhe ndonjë, të rrallë, që ngre zërin”, shprehet regjisorja Elma Doresi.

“Artbërës” me numër klikimesh

Me atë që ndodh në art dhe kulturë, në mungesë të kritikës, analizave për çfarë ndodh, kushtet ku krijohet, regjisorja Elma Doresi thotë se nuk mund të mbetet pas nga problemet dhe Festivali i Këngës në RTSH. Sipas saj, sot ka “artbërës” me numër klikimesh në rrjete sociale. “Pra as ky festival nuk përbën habi për mua. Jemi në epokën e artë të sariles kudo dhe yjet po shkëlqejnë.

neve n’a mbetet t’i shikojmë kur kemi kohë, ose të bëjmë një status, një meme…shtshtshtshtsht.. mos i shqetësoni “artbërësit” me numër klikimesh të lartë në Tik-Tok, etj”, thotë regjisorja, që reagimin e saj e ndan dhe në Facebook, aty ku dhe herë pas here shprehet dhe mbi problemet që has sot krijimtaria. Por e pyetur mbi këngët që u kënduan në dy netët e Festivalit të Këngës në RTSH, regjisorja Doresi thotë se fare pak mbahen mend.

Hapesire e Sponsorizuar

“Dy-tre këngë mund të mbaj mend nga festivali. E ndoqa nga Tv festivalin, por nuk dëgjoheshin këngëtarët kur pyeteshin. Mendoj se kanë qenë dhe probleme teknike”, shprehet Doresi. Festivali i Këngës në RTSH këtë vit ka 31 pjesëmarrës në garë, ku dominuan emrat e rinj. Shumica e atyre që janë në garë kanë zgjedhur të shkruajnë e kompozojnë vetë këngët e tyre. Festivali zhvilloi dy netët e para në datat 19 dhe 20 dhjetor, për të vijuar me natën e nostalgjisë në 21 dhjetor dhe këtë mbrëmje është nata finale./Sot.com.al