Më 1 prill 1943 lindi dirigjenti i mirënjohur Eno Koço, i urojmë nga zemra “Gëzuar Ditëlindjen” mjeshtër

Më 1 prill 1943 lindi dirigjenti i mirënjohur Eno Koço, i urojmë nga zemra “Gëzuar Ditëlindjen” mjeshtër

Eno Koço (Tiranë, 1943) është muzikolog, profesor universiteti, dirigjent si dhe akademik i jashtëm i Akademisë së Shkencave.

U lind në Tiranë, i biri i muzikantëve Kristo Koço dhe Tefta Tashko. Familja e të atit, Sotiri dhe Evridhiqia ishin me prejardhje nga Boboshtica, e lindën të birin në ishullin Xanthi.

Nga e ëma, gjyshi ishte Athanas Tashko (1863-1915) dhe daja Koço Tashko, të shpërngulur në Egjiptin e dinastisë së Mehmet Ali Pashës.

I ati ishte bariton, ndërsa e ëma soprano lirike e mirënjohur ndërkombëtarisht, si dhe e nderuar me titullin Artiste e Popullit.

Në moshën 7 vjeçare nisi të studjojë violinë në Liceun Artistik të Tiranës, më vonë në Leningrad, përpara se të diplomohej në ILA të Tiranës, më 1966. Pas përfundimit të studimeve për dirigjim më 1977, një vit më vonë emërohet dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTVSH.

Me këtë orkestër, përveç numrit të madh të koncerteve simfonike e vokale, bëri regjistrime të këtij repertori, të muzikës së filmave dhe këngëve të Festivaleve në Radiotelevizion, dhe zhvilloi turne në Kosovë (1979) dhe Turqi (1983).

Hapesire e Sponsorizuar

Drejtoi Orkestrën Simfonike të Kairos në Egjipt (1986) dhe u atashua pranë Orkestrës RAI dhe Operas Regio të Torinos (1989). Mbrojti doktoratën me temën “Kënga Lirike Qytetare Shqiptare në vitet 1930”.

Siç duket pra, vepra artistike e Eno Koços në fushë të muzikologjisë, është kolosale. Kontributi i tij për afirmimin e ndjeshmërisë shqiptare në përmasa botërore, është i jashtëzakonshëm.

Ndër botimet shqip dhe anglisht, janë traktati “Orkestrimi”, në bashkëpunim me Gjon Simonin (1977, 1984), librat “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj” (2000), “Kënga Lirike Qytetare Shqiptare në vitet 1930” (2002), artikuj periodikë që nga viti 1970, dhe ndër më të fundit janë ato “Mbi këngët e përmbledhjes Lyra Shqiptare”, të botuara në revistën “Kultura Popullore” (1999) dhe “Albanian Urban Song Tradition”, në “Studia Albanica” (2002).

Boton gjithashtu librin “Kënga karakteristike Korçare (Botimi I “Toena”, 2003), që de facto paraqet një pjesë të disertacionit të tij, dhe së shpejti pritet që në Amerikë të dalë nga shtypi libri “The Albanian Urban Lyric Song in the 1930s” (Scarecrow, Çikago).

Në vitin 1984, Eno Koço dekorohet me titullin Artist i Merituar, nga ana e shtetit shqiptar. Pas stabilizimit të tij në Angli, paralelisht me orkestrat anglo-irlandeze, mban lidhje permanente me orkestrat dhe koret e Shqipërisë, dirigjon në Orkestrën Kombëtare të Tiranës, realizon disa turne jashtë vendit, mbron tezën e doktoratës, prezenton programe nga subjekti i hulumtimeve të tij, subjekte që ndërlidhen me vlerat tona shpirtërore.

Në këtë drejtim, mban komunikime shkencore në universitetet e Evropës, afirmon vlerat muzikore shqiptare, promovon muzikën e kompozitorëve britanikë në Tiranë, e afron opinionin shqiptar me vlerat e larta të muzikës botërore (Toska, Cosi fan tutte, Dasma e Figarosë, veprat e Edward Eldgarit).