“Enver Hoxha është idiot!”,- Raporti i Komitetit të Partisë për gruan e huaj të mjekut që tronditi Tiranën në ‘63-in

MAKSIM BORIÇI

“Vajzat dhe gratë e huaja që janë në Tiranë me sjelljet e tyre estravagante na kanë sjellë probleme jo të vogla. Ato po na çorodisnin të rinjtë dhe tërheqin vëmëndjen e mbarë opinionit”.

Ky është thelbi i mesazhit që Komiteti i Partisë së Tiranës i drejtonte Komitetit Qendror të Partisë në shkurt të vitit 1963, që vë në dukje të dhëna të nxjerra nga mbledhjet e organizmave bazë të Partisë së qytetit “për veprimtarinë armiqësore” që zhvillonin disa vajza dhe gra të huaja, kryesisht polake, hungareze, etj., pjesa më e madhe e të cilave ishin familjare të personelit diplomatik në Tiranë dhe gra të huaja të martuara me shqiptar.

Gazeta publikon sot një dokument të Arkivit të Shtetit nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilin është një korrespodencë e Rrapo Dervishit, asokohe sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Tiranës me Rita Markon, sekretar i Komitetit Qendror që mbulonte organet e diktaturës. Realacioni “tepër sekret” “Mbi veprimtarinë armiqësore të muajve të fundit në qytetin e Tiranës”, përmban një pasqyrë të zgjeruar të shfaqjeve e dukurive të huaja dhe nënvizon, ndërkaq demostrimin e disa sjelljeve jo morale e që bien ndesh me normat e moralit komunist të disa shtetaseve të huaja, kryesisht grave dhe vajzave polake, hungareze etj., që jetonin në qytetin e Tiranës.

“Gjatë mujave të fundit të këtij viti, vë në dukje raporti informativ, Komiteti i Partisë ka marrë disa informacione nga organizatat e partisë me anë të të cilave vihemi në dijeni për disa lloje dhe forma të veprimtarisë armiqësore të shprehura me gojë, me anë parrullash të shkruara nga persona të ndryshëm nëpër muret, si dhe takime të dyshimta që kanë bërë element me përbërje jo të mirë politike”.

Përtej këtij konstatimi përmbledhës, Rrapo Dervishi, kreu i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, ndërsa qëndron me prioritet në sjelljet e veprimet armiqësore të hungarezes Kloreta Nano, e martuar me mjekun ushtarak Kosta Nano, mjek në Spitalin Ushtarak, në vëmendjen e shefit të tij në ligjeratë të drejtë atë çfarë ajo ka deklaruar në takime të ndryshme.

“Në Shqipëri është krijuar një situatë e rëndë sa që njeriu nuk guxon t’i flasë tjetrit të vërtetën. Organet shqiptare nuk i lejojnë përfaqësuesit hungarezë të bredhin lirisht për të sqaruar masat. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu janë nga më injorantët, sepse nuk e kuptojnë situatën dhe hidhen kundër Hrushovit, por do të shohin se Hrushovi nuk ka vepruar akoma. Hrushovi dhe Tito janë burra shteti nga më të mëdhenjtë që po të shpëtojnë njerëzimin, janë tejpamës dhe se bota duhet të krenohet për këto”. Ka mjaftuar ky relacion sekret që Rita Marko të vërë në lëvizje tërë mekanizmat shetëror e partiak. Njëherazi ia ka paraqitur atë jo pa shqetësim dhe kreut të Partisë Enver Hoxhës, i cili teksa i lexon me radhë rastet e “sjelljeve armiqësore”, ka ndaluar vetëm te njëra, që përmban emrin e Kloreta Nanos, gruas së mjekut ushtarak Kosta Nano, e cila as më shumë dhe as më pak kishte deklaruar në publik se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu janë idiotë.

“Te hetohet pasi e tillë do jetë”, shënon Enveri në krye të dokumentit me laps të kuq. Nuk dihet si është proceduar më tej me rastet e relatura në Komitetin Qendror të Partisë, por fakt është që i pari që e pësoi pas kësaj ishte burri i hugarezes, mjeku ushtarak Kosta Nano, i cili ngaqë humbi kësisoj besnikërinë ndaj partisë, u çmobilizua nga radhët e ushtrisë dhe përfundoi mjek i thjeshtë në një klinikë të rëndomtë. Më poshtë botojmë të plotë dokumentin…

Hapesire e Sponsorizuar

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË SË QYTETIT TIRANËS

(Rrapo Dervishi)

Informacioni mbi shfaqjet armiqësore në qytetin e Tiranës

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

Tepër sekret

KOMITETI I PARTISË, QYTETI TIRANË

Ekzemplar Nr.

INFROMACION MBI DISA SHFAQJE ARMIQËSORE TË VËRTETUARA MUAJT E FUNDIT NË QYTETIN E TIRANËS

Gjatë mujave të fundit të këtij viti, Komiteti i Partisë ka marrë disa informacione nga organizatat e partisë, me anë të të cilave vihemi në dijeni për disa lloje dhe forma të veprimtarisë armiqësore të shprehura me gojë, me anë parrullash të shkruara nga persona të ndryshëm nëpër muret, si dhe takime të dyshimta që kanë bërë element me përbërje jo të mirë, këtu poshtë po shënojmë disa nga këto të dhëna:

-Propaganda armiqësore me gojë

Gruaja e doktor Kosta Nano, e quajtura Kloreta Nano, me nënshtetësi hungareze në takime me gra të ndryshme shqiptare thotë se: Në Shqipëri është krijuar një situatë e rëndë sa që njeriu nuk guxon t’i flasë tjetrit të vërtetën. Organet shqiptare nuk i lejojnë përfaqësuesit hungarezë të bredhin lirisht për të sqaruar masat. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu janë nga më injorantët, sepse nuk e kuptojnë situatën dhe hidhen kundër Hrushovit, por do të shohin se Hrushovi nuk ka vepruar akoma. Hrushovi dhe Tito janë burra shteti nga më të mëdhenjtë që po të shpëtojnë njerëzimin, janë tejpamës dhe se bota duhet të krenohet për këto, etj., komente me karakter armiqësor. Në të gjitha rastet nga shoqet ajo ka marrë përgjigjen e merituar. Me sa dimë, kohët e fundit ajo ka kërkuar për t’u larguar për në Hungari.

Mbi sa sipër, kemi njoftuar Komitetin Qendror të Partisë më datën 4.11.1963. Nga ana jonë u morën masa për të rritur vigjilencën e organizatës së Partisë në Lagjen nr. 5. Gjithashtu, u ngarkua Drejtoria e Punëve të Brendëshme për të ndjekur çështjen e qytetares hungareze. Për të parë qëndrimin e Kosta Nanos, ish-mjek në Spitalin Ushtarak, u vu në dijeni Drejtoria Politike e Ushtrisë Popullore. Kohët e fundit, Kosta Nano është çmobilizuar nga Ushtria dhe u caktua mjek në Poliklinikën e qytetit.

Në fidanishten e Ndërrmarjes lokale të Pastrimit dhe Gjelbërimit punon një agronome hungareze, që quhet Edi Çeliku, edhe kjo duket se aktivizohet nga ana e ambasadës hungareze. Tek ajo ka pasur raste që kanë shkuar punonjës të ambasadës. Gjatë ditëve që pati konfuzion në ndarjen e bukës, e cila në takime me punëtorët, u bënte pyetje, nëse e siguruan bukën apo jo. Eshtë porositur organizata bazë e partisë që të tregoj kujdes lidhur me qëndrimin e saj.

Një veprimtari jo më pak armiqësore është duke zhvilluar vajza e atasheut tregtar polak, e cila vazhdon klasën e X-të në gjimnazin e ri “Sami Frashëri”. E përmëndura propagandon në favor të revizionizmit dhe godet direkt vijën ekonomike dhe politike që ndjek e zbaton partia jonë. Ajo thotë: “Po të ndiqni rrugën kineze, kurrë nuk keni për të ndërtuar socializmin”. Eshtë vërtetuar të ketë shpënë revista me artisë dhe artiste të huaja dekadente, bën gjeste imoraliteti e propagandon kudo, duke folur për dashuritë dhe mbrëmjet që frekuenton ajo me përfaqësues të ambasdadeve Jugosllave, Egjiptiane etj. Jo pa qëllim ajo qëndron në bankë në pozicion provokues ndaj nxënësve dhe ju u thotë se jam revizioniste etj. Këto ditë u përjashtua fare nga shkolla.

SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË SË QYTETIT TË TIRANËS
(Rrapo Dervishi)

Raport-informacioni i sekretarit të Parë të Partisë të Rrethit të Tiranës, Rrapo Dervishit, për Rita Markon, sekretar i Komitetit Qendror.

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
Tepër sekret
Tiranë, më 4.11.1963
KOMITETI I PARTISË, QYTETI TIRANË
Nr. Prot. 121
Lënda: Dërgohet një informacion
KOMITETIT QENDROR TË PPSH
Shokut Rita Marko
T I R A N Ë

Ngjitur po ju dërgojmë një informacion që i ka ardhur Komitetit të Partisë nga Xhemile Korbin, komuniste në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ne morëm këto masa:

Thirrëm sekretarin e Organizatës bazë të Partisë të Lagjes nr. 5, për të parë se deri ku është shtrirë veprimtaria armiqësore e kësaj në vendin e banimit, me cilin ka marrëdhënie kjo familje dhe kush hyn e kush del. Njoftuam Drejtorinë e Punëve të Brendëshme për të parë këtë problem nëpërmjet kanaleve të punës së saj. Një kopje e informacionit iu dërgua Drejtorisë Politike të Ushtrisë për të parë punën e kapiten Kosta Nanos si mjek në Spitalin Ushtarak. Kaq për dijeni. /Panorama