Flet gjeologu Kadri Rama: Si e vuajta dënimin e “Letrës së Zezë” për mendimet mbi puset e reja të naftës. Gjyqin ma bënë në kinema, ndërsa burgun në Spaç

6 vite para se të lirohesha më 1988-ën më çuan me rroba burgu, i qethur dhe i parruar në zyrën e ministrit ku ripamë projektin. Më liruan me kusht dhe pas 1 viti nxorëm naftën, pikërisht aty ku e kisha përshkruar në letrën për të cilën bëra 13 vjet burg. Dy djemtë para burgosjes i lashë 1 dhe 3 vjeç dhe i gjeta 14 dhe 16 vjeç … Ja histori e plot

– 6 specialistë nafte, të cilët kishin të njëjtin mendim e hodhën atë në një letër të zakonëshme, në një letër të bardhë që nuk mudn të riten shpimet em 60%.
– Për këtë mendim e dënuan me 20 vite burg

-Më vonë, dikush e pagëzoi këtë mendim në letër me emrin “Letra e Zezë”.
– Gjashtë vite i kaloi si punëtor nëntoke në Spaç, me tre turne dhe thuajse po aq vite të tjerë në Qafë Bari

-Si më sekuestruan në vitin 1974 një kostum, një xhaketë, një këmishë dhe një palë pantallona
-Dënimin e vuajta në Spaç dhe Qafë Bari ku norma ishte 5 vagona nga 3 ton t’i mbushje dhe t’i nxirrje jashtë.

-Dy gjeologë rus më thoshin: Mos prit të shikosh atë që mendon, por përshkruaj me saktësi atë që sheh.”
– Në gjyq kërkova pafajësi, pastaj apelova madje kërkova për të provuar pafajësinë duke projektuar nga burgu

-Si më morën nga burgu 27 Qershor 1988 dhe më çuan në zyrën e ministrit të Industrisë
Në Ҫ’kohë dhe në ç’vend ka ndodhur kjo gjëmë, që njeriu të arratiset nga shtëpia e tij, nga Atdheu i tij?! Njeriu arratiset vetëm nga burgu.

Nga Ahmet Çollaku

Në tavolinën e punës kam disa fletë të shkëputura nga dosja e ashtuquajtur “Letra e Zezë”, ku përmblidhet akuza kundër gjeologut Kadri Rama. “…R.P.SH… Gjykata e Rrethit Fier.. Ata ishin gjashtë specialistë nafte, të cilët kishin të njëjtin mendim dhe e hodhën atë në një letër të zakonëshme, në një letër të bardhë. Më vonë, dikush e pagëzoi atë me emrin “Letra e Zezë”. Më pas, nga ajo betejë fillimisht profesionale, e që më vonë u kthye në ideologjike, katër nga autorët nismëtarë u tërhoqën. Mbetën kështu vetëm dy: Kadri Rama dhe i urti deri në dhimbje Elmas Nika. Këta nuk u tërhoqën. Vlonjatë! Gjeologu Kadri Rama, i qetë dhe i bindur, tha se kjo punë na është besuar neve dhe ne e dimë si bëhet dhe mbajmë përgjegjësi për këtë.

Hapesire e Sponsorizuar

Kjo ishte “Meshari” i tij. Këto fjalë, që do të kujtohen për shumë vite, e bënë atë armik, ndërsa letrën e tij të bardhë e kthyenë në të zezë. Kadriun e flakën në minierën e Batrës, kurse Elmazin, në Pukë. Pas kësaj, për Kadriun nuk do të vononte arrestimi dhe burgu në Spaç. Do të vinin vite të tëra pa liri, pa diell, pa fëmijë, pa sy, pa gojë, vetëm zemra që rrihte dhe shpresonte. Gjashtë vite i kaloi si punëtor nëntoke në Spaç, me tre turne dhe thuajse po aq vite të tjerë në Qafë Bari. E ndjej se brenda kësaj qetësie të shtirur ka një tundim të brendshëm, ka dy vatra urrejtjeje të ndezura: E para është ajo kundër monizmit që shkoi, dhe e dyta ajo kundër kësaj gjoja demokraci, që nuk do t’ia dijë se çfarë gjëme i bëri dhe çfarë hije la ajo letër që u quajt “Letra e Zezë”!

Zoti Kadri, ju falemnderit që më krijuat mundësinë të bisedojmë për personalitetin tuaj si njeri dhe si gjeolog shumë virtuoz, por pa fat, si për ju vetë, ashtu edhe për naftën tonë. Për atë naftë, e cila që nga viti 1918 kur u provua për herë të parë, ka qenë drejtpërdrejtë dhe tërthorazi në epiqëndër të shteteve të huaja. Por, në fillim, a mund të më tregoni shumë shkurt biografinë tuaj, ecjen në jetë dhe në profesion?

Jam lindur më 1940 në Radhimë, fshat i vogël, 12 kilometra në Jug të Vlorës, në një familje të madhe patriarkale, në gjëndje të mirë ekonomike. Fëmijërinë e kam kaluar në fshat. Në vitet 1953-1957 kam kryer shkollën e mesme në Tiranë, në ish-Shkollën Teknike të Harri Fullcit. Nuk më doli e drejtë studimi, sepse familja ime nuk ishte futur ende në kooperativë. Në vitet 1957-1960 kam punuar si teknik gjeolog në Ndërmarrjen Gjeologo-Topografike në Tiranë. Në përiudhën 1960-1965 mbarova Universitetin, Fakultetin Gjeologji-Miniera, në Tiranë. Në gusht të vitit 1965 fillova punë si gjeolog pusi në Fier, dhe pas një viti e gjysmë më transferuan në Institutin e Naftës në Kuçovë. Më 6 prill të vitit 1976 jam arrestuar dhe dënuar me 20 vite heqje lirie për sabotim, krim të cilin nuk e kam kryer.

Pas 12 vitesh e tre muajë burg, jam liruar me kusht, me dekretin nr. 7227, datë 27.6.1988, të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Nga viti 1988 deri në vitin 1993, kam punuar në Ndërmarrjen e Kërkimit në Patos. Në qershor 1993 dola në pension. Më pas shkova në Radhimë për të qënë i pranishëm gjatë ndarjes së tokave. Në Radhimë, buzë detit, hapëm me vëllain dhe motrën një kafene me kapital fillestar 900.000 lireta, që na i pat dërguar djali emigrant në Itali. Në janar të vitit 1997, pasi humbëm edhe shtëpinë në firmat piramidale, erdhëm në Tiranë.

Pensioni ishte simbolik (rreth 50 dollarë në muaj), kështu që e dorëzova atë dhe hyra përsëri në punë në një zyrë të Albpetrolit (në Tiranë). Në vitin 2000 dola përfundimisht në pension, Më pas punova tetë vite në rrugë si këmbyes valute, dhe prej dy vitesh jam i punësuar në një zyrë këmbimi: 36 orë në javë për një rrogë mujorë 210 dollarë. Jam martuar në vitin 1970, kam dy djemë, tre nipër dhe dy mbesa.

Le të kthehemi në zanafillën e dhimbjeve tuaja… Përse jeni dënuar dhe në cilin vend e keni kryer dënimin?

Jam dënuar, si të shumtët, pa faj, vetëm për të frikësuar të tjerët dhe për t’u përdorur si skllav për të nxjerrë mineral bakri nga miniera të pashfrytëzueshme. Në verën e vitit 1974, në sallën e kinemasë në Fier, u mblodh një aktiv i madh për naftën. Diskutimet u kërkuan me shkrim dhe të firmosura. Nga leximi i tyre, ai, më “i Madhi” “zbuloi punën sabotuese në naftë”, dhe nuk cënoi vetëm një, por disa shqiptarë Pas arrestimit të “grupit armiqsor të naftës”, në pranverën e vitit 1975, në krye të Institutit të Naftës u vendos një “i imunizuari”, një i plotfuqishëm. Për vitin 1976, Institutit të Naftës i’u vu detyrë të zbulonte një vendburim të ri nafte.

Pas shumë diskutimesh në Këshillin Shkencor, u miratua tematika e vitit 1976 dhe u dërgua “lart”. Plani tematik u kthye mbrapsht me vërejtje. Në një mbledhje të gjatë për rishikimin e planit në bazë të vërejtjeve, rezultoi se “lart” nuk ishte përcjell plani i miratuar nga Këshilli Shkencor, por një material tjetër. Për këtë, “i plotfuqishmi” na dha disa përgjigje konfuze dhe nuk na sqaroi. Kur u mbyll mbledhja në orën 22:00, u la që konkluzionet të bëheshin të nësermen në mëngjez, dhe u porositëm që propozimet t’i bënim me shkrim, se në orën 10:00 do të niseshin për në Tiranë. Të nësërmën, sapo filloi puna, në zyrën e Elmaz Nikës, unë dhe ky, filluam të shkruanim diskutimin. Aty ishin edhe dy kolegë të zyrës. Rastësisht u shtuan edhe dy gjeologë të tjerë dhe, mbasi shkruam një faqe e gjysëm, vumë edhe gjashtë emrat tanë, por jo firmat. Po prisnim mbledhjen e mëngjezit, por ndërkohë na thanë që makina u nis për në Tiranë!!! Na porositën që diskutimet t’ia dorëzonim sekretarit të byrosë së partisë të institutit. Kështu që shtuam në fletën e diskutimit: “Byrosë së Partisë të Institutit të Naftës”, dhe datën 15 Janar 1976 dhe e dorëzuam.

Në datën 3 shkurt 1976, befas, erdhën në institut të mëdhenjtë e ministrisë dhe të Fierit. Na thirrën të gjashtëve dhe na sulmuan me pyetje: ”Ç’është kjo letër? Kush e shkroi? Pse e shkruat? Kjo është letër e zezë, është armiqësore”, e të tjera, e të tjera… Ata të katër u tërhoqën. Thanë se e vunë emrin pa u menduar mirë, e kështu me radhë. Unë dhe Elmazi e mbrojtëm mendimin tonë. Unë thashë pak a shumë këto fjalë: ”Kjo punë na është besuar neve, dhe ne e dimë si bëhet, dhe mbajmë përgjegjësi për këtë”. Këto fjalë u shtrembëruan dhe u komentuan sipas orekseve. Përfundimisht diskutimi u quajt armiqësor, Letra u quajt ”letër armiqsore”, ndërsa ne, “armiq”. Më tej u demaskuam sipas zakonit në kolektiv të gjerë dhe u dërguam për “riedukim” në gjirin e klasës punëtore, unë në Minierën e Batrës dhe Elmaz Nika, në Pukë. Në datën 6 prill, në mëngjez, në autobuzin plot me punëtorë, që na çonte nga Krasta në minierë, më arrestuan. Cili ishte “krimi”??!! Ne, në diskutimin tonë propozuam që për të realizuar (garantuar) zbulimin e vendburimit brenda vitit, duhet të zgjidhnim dy-tri strukturat më të përgatitura dhe t’i atakonim me shumë puse njëherësh, për vetë natyrën e stukturave tona, që janë gati si mure vertikalë, jashtë mundësive që ka sismika për të përcaktuar saktë pozicionin e tyre hapsinor.

Porosia e partisë ishte: “me predhën e parë në shënjë”!? Ne, në krye të listës së strukturave vum Cakranin, Osmanzezën e të tjera. Pas nëntë muaj hetuesie, u dënova më 20 vite heqje lirie, me konfiskim pasurie e të tjera. Kam me vete dy fletë të vendimit dhe listën e ‘”pasurisë” së konfiskuar: Kjo quhej “pasuri”, se gjoja ne ishim më të paguarit!? Dënimin e vuajta: gjashtë vite punëtor nën tokë me tre turne, në Spaç dhe pesë vite e gjysëm, punëtor nën tokë me tre turne në Qafë Bari. Norma ishte e detyruar: 5 vagona nga 3 tonë secili, t’i mbushje dhe t’i nxirrje jashtë.

Mbaj mënd se keni qënë shumë i dhënë pas gjeologjisë së naftës shqiptare. Argumentet tuaja vinin në mendime shumë kolegë dhe shokë. E keni përsëri këtë pasion për gjeologjinë?

Pasioni jo vetëm nuk më ka rënë, por përkundrazi, po më shtohet, sepse edhe ditët po pakësohen! Çdo ditë aty më rri mëndja. Deri tani kam bërë me dhjetra përpjekje që ndokush të më dëgjojë, por pa rezultat. Ç’të bësh, kur në krye janë po ata, por me kostum tjetër?!

Ku është konrtibuti juaj më i madh, në rilevime, në përgjithësime apo në projektime?

Në rilevimet gjeologjike. Kam patur fatin e mirë që kam filluar punë, pa mbushur moshën 18 vjeç në rilevim, me dy gjeologë të vjetër rusë. Punova me ata 2 vite e gjysmë në rajonin nga Kukësi në Shkodër. Më mësuan shprehitë e vëzhgimit. Më thoshin vazhdimisht: “Mos prit të shikosh atë që mendon, por përshkruaj me saktësi atë që sheh.” Shumë shpejtë mësova të punoja me ‘ta si i barabartë. Ata kishin shumë besim për punën time të kujdesshme. Më pas punova 6 muaj me gjeologë shqiptarë në rajonin Elbasan-Përrenjas (në anën jugore të Shkumbinit). Edhe kur vazhdova universitetin, kam punuar një muaj çdo verë në terren, me shokët e Ndërmarrjes së Tiranës. Kam patur ndërprerje një vit e gjysmë nga puna fushore, kur isha gjeolog pusi në Kallm dhe në Divjakë.

Kur u transferova në Institutin e Naftës, fillova punë në një grup rilevimi në rajonin e Mallakastrës. Më pas kam punuar kryesisht në rilevime dhe revizionime, dhe më pak në grupe përgjithësimi. Puna fushore, për ndërtimin e Hartës Gjeologjike në rajonet perspektivë për naftë, ishte më e thjeshtë se në zonën verilindore, ku kisha punuar më parë. Në Institut, gjeta një konceptim të thjeshtëzuar për interpretimin në thellësi, sidomos për shkëputjet tektonike. P.sh., në vitin 1967, kur Gorishti kishte disa vite që ishte zbuluar, as që mendohej të kalohej me puse në perëndim të një shkëputje tektonike. Edhe kur u shpua në perëndim të saj, u mendua se u zbulua një vendburim i ri (Koculi). Për këto probleme kemi patur shumë diskutime. Akoma edhe sot ka gjeologë të naftës, që nuk e kuptojnë plotësisht këtë stil tektonik.

Ku keni projektuar?

Kam marrë pjesë në projektime pusesh, kryesisht në ato rajone ku kam kryer punime fushore: Në Ninsh, Kalivaç, Vurg. Në këtë të fundit pusi vërtetoi ekzistencën e strukturës së Finiqit. Po ashtu, në Delvinë, ku puset u shpuan shumë vite më vonë, në Osmanzezë, ku pusi i fundit u ndërpre 540 ml, para se të arrinte projektin, me një urdhër të padrejtë të Ministrit, dy javë para se të binte qeveria e tij në 6 shkurt 1991. Po kështu, kam projektuar edhe në Pekisht, Bisht Pallë etj.

Sipas jush, si qëndron perspektiva e Shqipërisë për naftë dhe gaz, ka apo nuk ka? Sikur t’ju jepnin tri sonda, ku do t’i vendosnit?

Thashe me pare se jam liruar me kusht. Ja si ndodhi. Ne gjyq kerkova pafajsi, pastaj apelova vendimin, më pas bëra shumë protesta me shkrim, bile edhe kërkesa për të provuar pafajsinë duke projektuar nga burgu. Më në fund një kërkesë arriti në destinacion. Në fillim të vitit 1988 erdhën në Qafë Bari disa të dërguar dhe më kërkuan shpjegime… Në fund të Majit të atij viti më transferun në burgun e Tiranës. Më 27 Qershor 1988, pa më thënë as një fjalë, më morën nga burgu ashtu të pa rruar, të qethur zero, me ato rrobat e shpifura të burgut dhe me thesin e rraqeve. Në orën 20:00 më çuan në zyrën e Ministrit të brendshëm, ku ishin edhe një sekretare dhe dy zv.ministra.

U zhvillua ky dialog:

Ministri:-Ti e ke shkruar këtë lëtër?

Unë: -Po

Ministri:- I përmbahesh këtyre që ke shkruar?

Unë: -Po

Ministri:-Mirë, në e shqyrtuam këtë letër dhe vendosëm të të falim.

Unë: -Unë nuk kam kërkuar falje, se nuk kam bërë ndonjë faj.

Ministri, pasi më pa me inat:-Edhe ne nuk të kemi falur, të kemi falur vetëm dënimin e mbetur…

Pesëmbëdhjetë muaj më pas, Ministri tjetër, kur më njoftonte për aprovimin e dy puseve në Osmanzezë, shkruante: “Vlerësimi e besimi, që tregohet ndaj jush, rrit përgjegjësinë ligjore e morale ndaj interesave të shtetit tonë” (Prot. 11150-dt. 16.9.1989)./Telegraf.al/