Flet “Mjeshtri i Madh”, Fatmir Çepani, operatori që ka ekzluzivitetin e regjistrimit të rrëzimit
Jeta jonë në ato momente ishte në rrezik, pasi na quanin komunistë
Në orën 12:00 drejt qendrës së Tiranës vërshuan si me komandë 100 mijë njerëz
Albert Z. ZHOLI
Dita e rrëzimit të përmendores së diktatorit Enver Hoxha shënjoi “De Facto” rrëzimin e sistemit monist në Shqipëri. Ajo ditë edhe sot kujtohet si ngjarja më e rëndësishme për përmbysjen e diktaturës. Frika ndaj sistemit tashmë kishte rënë plotësisht. Sipas operatorëve që ishin në vendngjarje situata ishte serioze. Më 20 shkurt të vitit 1991 mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik. Rrëzimi i këtij monumenti shënoi një epokë të re për Shqipërinë…
Rrëzimi i shtatores së Hoxhës u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Askujt nuk i besohej se do rrëzohej statuja. Dhe vetë turma e irrituar nuk po u besonte syve, ndërsa dhjetëra qen kufiri dhe zjarrfikësja kishin blinduar sheshin dhe mundoheshin të çanin radhët për t’i bërë njerëzit të tërhiqeshin.
Megjithatë, askush nuk u tërhoq. Sapo mblodhën veten nga paniku, të paktën 100 mijë njerëzit, që ndodheshin në sheshin “Skënderbej”, morën sërish drejt shkallëve të mermerta. Trysnia, që krijonte turma prej 100 mijë veta, kishte arritur kulmin. Monumenti u rrëzua.
-Z. Çepani, po mbushen 32 vjet nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës dhe ju keni ekzluzivitetin e këtij rregjistrimi. A e zgjidhët përfundimisht të drejtën e autorësisë:
-Në Shqipëri do ta mallkosh një njeri? Thuaj: Të pafsha në dyert e gjykatave. Unë e kam fituar të drejtën e autorësisë me Certifikatë të veçantë para disa vjetësh. Madje në vitin 2010 kam dhe një marrëveshje kontraktuale më TVSH, që TVSH ta japë sa herë të nevojitet, por s’ka të drejtë tua jap këtë televizioneve të tjera. Kjo dhënie mund të bëhet vetëm duke m’u drejtuar mua dhe kundrejt shpërblimit. Nga TVSH, kjo është zbatuar, por është gjetkë problemi.
Tashmë po luftohet në gjykatë nga disa individë apo drejtues televizionesh që të më hiqet e drejta e dhënies së lejes për transmetim si autor dhe televizinet e tjera ta transmetojnë xhirimin tim pa lejen time dhe pa asnjë shpërblim. E kuptoni çpo ndodh? Po ndodh ajo që unë jam i zoti, të tjerët duhet të vendosin për fatin e punës sime. Pra endem ende në gjykata nga kërkesa e të tjerëve për të më hequr një të drejtë legjitime. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri.
-Ishte dita më me stres në jetë.

Ajo ditë mbetet e veçantë për shumë arsye. Së pari se situata ishte tejet e vështirë në gjithë Shqipërinë. E dyta: sepse flitej për rrëzimin e statujës së Enverit dhe më kryesorja tensionet politike pas formimit të PD kishin arritur acarime të mëdha me PPSH dhe grupet vullnetare të mbrojtjes së figurës së Enver Hoxhës. E mbaj mend si sot, pasi ishte ditë e veçantë dhe unë kam qenë me gazetaren Amalia Dhamo ku drejtoria e TVSH na kishte caktuar të shkonim te takimi i Komunitetit Mysliman pasi për herë të parë pas rënies së diktaturës po krijohej Komuniteti Mysliman.
Pikërisht atë ditë Amalia dhe unë ishim caktuar për të filmuar dhe shoqëruar kryetarin e opozitës, Sali Berishën. Në Pallatin e Kulturës ku do zhvillohej takimi shkuam rreth orës 9 -30 në mëngjes dhe bëmë kronikën e zakonshme. Dihet se në atë kohë punohej me film dhe montimi kishte tjetër procedurë: Pra pasi bëhej aktiviteti, çohej në laborator, lahej, pritej, montohej dhe më pas materiali çohej në transmetim.
Sa mbaruam aktivitetin duke pasur parasysh këto këkresa Amalia mori materialin dhe shkoi në TVSH, ndërsa unë i thashë se do rri këtu pasi siç kemi dëgjuar do ketë zhvillime. Kur mbaruam me Amalinë ishte ora 10:00 dhe unë rrija tek kafeneja e Pallatit të Kulturës deri në orë14:00: kur filloi të zhvillohej ngjarja. Ishte situatë e vështirë sidomos për ne që ishim të vetmit operatorë pasi ishim i vetmi televizion në Shqipëri. Pra ngjarjet regjistroheshin vetëm nga ne.
Deri në orën 13:30 vende-vende kishte grupime njerëzish, që rrinin rreth përmendores, ndërsa fluksi i madh i njerëzve mbërriti në orën dy. Pas kësaj ore njerëzit filluan të vinin nga të gjitha anët kryesisht nga rruga “Bajram Curri”, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga rruga e “Kavajës”, nga rruga e Durrësit, pra të gjitha kryqëzimet që vijnë dhe bashkohen te qendra e Tiranës. Shikoja se si vinin dhe habitesha për organizimin pasi dukej se vinin si me komandë. Pra një demonstratë e mirëorganizuar. Me thënë të drejtën pozicionimi im te Pallati i Kulturës, më jepte shansin që unë të kontrolloja të gjitha kryqëzimet e Tiranës, që mblidhen te qendra ndaj dhe habitesha. Në ora 14: 00 në shesh mund të ishin 100 mijë veta. Fillova xhirimin. Djersët më vinin dhe më iknin. Moment shumë i vështira. Përmendorja mbrohej. Por nga ora 14-40 turma u nis drejt Enverit.
Një turmë e papërmbajtëshme. Dhe them se i kishte ardhur fundi asaj historie, asaj kohe. Ishte një sistem totalisht i dështuar. Situata e rënduar ekonomike i detyroi njerëzit ta përmbysnin atë sistem. Ngarkesat e çdo familje, çdo qytetari, çdo shqiptari shkonin deri aty sa thoshin se ai sistem duhej përmbysur. Ky është kontribut i popullit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Pa frikë them sot se, në shesh atë ditë mund të ishin 100 mijë veta. Por isha dhe vetë në situatë të vështirë. Shumë njerëz afër më shihnin me dyshim. Më shihnin me urrejtje. Me të drejtë se mendonin se i shërbenim vetëm sistemit monist, sikur nuk ishim pjesë e tyre.
E them mes ankthit, se që në momentin e parë që jam pozicionuar për regjistrim dhe deri në momentin që kam shkuar në TVSH dhe më vonë në shtëpi, mua më është dashur të përballem me turma dhe njerëz të ndryshëm. Prej tyre shumë ishin ekstremistë. Disa me ironi thoshin ja erdhi ky i TVSH, erdhën këta komunistët e TVSH, t’ia thyejmë aparatin. Më është dashur natyrisht të integrohem shumë mirë me ta, duhet të tregoja shumë kujdes në mënyrë që të më jepnin mundësinë të regjistroja atë për të cilën isha nisur. Kur ju hodh litari në qafë përmendores të gjithë shpërthyen në urrraaaa.
Pastaj momenti i rrëzimit. Ç’të shikoje! Sa ra statuja filluan t’i bien me çfarë të kishin. Pastaj e ndanë trupin nga koka. Turma ishte e irrituar. Nuk përmbaheshin. Shfrynin mllefe. Pasi mundën ta copëtonin sa mundën trupin e statujës filluan të tërheqin zvarrë me një kamion drejt Qytetit Studenti. Ishin momente frike, pasigurie, ankthi, mëdyshjeje. Situata kishte dalë jashtë kontrollit. Kur turma po largohej nga sheshi u nisa në TVSH.
Sipas bisedës ju në fakt ishit në pritje të takimit të Berishës me ideatorët e krijimit të Komunitetit Myslyman për krijimin e këtij Komuniteti. A u realizua ky takim dhe çfarë u tha?
Po takimi u realizua. Sigurisht siç thashë takimi u krye në orën 10:00 në Pallatin e Kulturës, në pjesën mbrapa. Berisha erdhi në takim fiks në orën 10:00 dhe ka ndenjur vetëm katër minuta. Ai ka deklaruar tekstualisht: Ju falënderoj për këtë takim, por ju do më falni sepse unë do të largohem dhe do të shkoj te studentët që janë në grevë në Qytetin Studenti. Pasi përgëzoi organizatorët e këtij komuniteti, Berisha është larguar. Situata ishte e vështirë dhe askush nuk kishte idenë se çfarë do të bëhej. Në shesh, në këtë kohë, kishin filluar të mblidheshin njerëzit.
Kush ishte drejtor në atë kohë në RVSH dhe si e paraqiti situatën? Çfarë po bëhej në TVSH në këtë situatë të elektrizuar? Po policia e shtetit dhe Sigurimi shqiptar a erdhi në TVSH dhe çfarë roli luajti?
Në atë kohë drejtor ishte Virgjil Kule. Pra i TVSH, jo i RTSH. I tregova situatën dhe filmimet. Në zyrën e tij kishte disa gazetarë. Dhe ai dukej në dilemë, por vendosi ta transmetojë. Nga Byroja Politike filluan presionet. Të gjithë nëpër korridore rrinin si të hutuar. Televizioni dukej si një fuçi baroti. Më kujtohet se kur jam kthyer në Televizionin Shqiptar, kanë ardhur punonjës të strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe kanë kërkuar materialin.
Mes enigmave bëra gati materialin bruto për të parë konkretisht personat konkretë se për çfarë diskutohej. Pastaj sëbashku dhe me disa kolegë të mi, kemi qenë te zyra e drejtorit të televizionit të asaj kohe, Virgjil Kule. Ai ishte në presionin më të madh. Ishte çasti më delikat: Të transmetohej në TVSH apo jo rënia e përmendores. Mbaj mend se është bërë presion nga kreu i qeverisë së asaj kohe që ne mos ta transmetonim kronikën. Shumë drejtues të lartë po bënin presion që të mos e transmetonim kronikën, duke na etiketuar tradhtarë, që do të thotë o me këmbë kokëposhtë, ose në gropë. Disa minuta para se të fillonte të dilte sigla e TVSH, është marrë vendimi për transmetim. Një situatë e rënduar. Askush nuk e dinte çdo ndodhte më pas kur dihej se ne kishim familje. Fati ynë, i familjes, i shokëve, nuk dihej. Rriskimi ka qenë shumë i madh pasi nuk pranohej realiteti.
Në orën gjashtë pa pesë është vendosur kronika. Pra në lajmet e para të mbrëmjes dhe më vonë në Emisionin Qëndror të lajmeve. Sigurisht frika ka qenë e madhe, sepse ne nuk kishim as numër të madh njerëzish rreth vetes dhe dera qëndronte e hapur, që do të thotë se ne ishim në dorë të Zotit. Për këtë situatë të vështirë mund të përmend Gazmir Shtinon, Fiqiri Sejdian, Bujar Koren, Amalia Dhamon, Virgjil Kulen, etj. TVSH ishte e detyruar që çfarë ndodhte në Shqipëri, ta pasqyronte për shkak të detyrave që kishin marrë. Por nuk ishte e thjeshtë. 20 shkurti ka qenë pika më kulminante ku mund të them pa frikë se ishte një ditë shumë kaotike, një situatë tepër e rënduar. Aty rrezikohej jeta, gjithçka.
Së fundmi vetë Virgjil Kule drejtori i TVSH vendosi ta transmetojë rënien e përmendores.
Si reaguan krerët e udhëheqjes?
Me thënë të drejtën transmetimi nga Kule i atij momenti ishte një vendim i guximshëm. Tepër i guximshëm. Reagimet pas trasmetimit ishin të tmerrshme. Madje kryeministri i asaj kohe Adil Çarçani, na tha: Ju jeni tradhtarë po e transmetuat! Ai mentalitet i vjetër nuk e pranonte ndryshimin. Pra i pari i ekzekutivit Adil Çarçani na quajti tradhëtarë. Atë periudhë Adil Çarçani dhe Ramiz Alia kanë qenë dy krerët më të lartë, dhe presioni ka ardhur nga ata. Ajo ditë mbetet dita më e paharruar në RVSH. Një ditë makthi sa edhe më pas pati pasoja. Kur shkova në shtëpi isha tjetërsuar. Të nesërmen na prisnin të papritura të tjera./Telegraf.al/
