Forma të rezistencës ndaj luftës kundër fesë: çfarë ishin “brigadat ateiste”?

Nga DR. Hasan Bello

Forma të rezistencës ndaj luftës kundër fesë: çfarë ishin “brigadat ateiste”?

Pavarësisht procesit asgjesues të komuniteteve, propagandës ateiste dhe masave represive që regjimi komunist ndërmori kundër klerit dhe botëkuptimit fetar, ndjenjat religjoze nuk u arrit që të çrrënjoseshin nga zemrat e besimtarëve. Në praktikat jetësore ato vazhdonin të ekzistonin, të përhapeshin aty këtu, duke marrë shpesh-herë edhe forma të reja.

Kjo tregonte se religjoziteti ishte diçka që nuk mund të mbushej me ideologjinë marksiste dhe se, praktikat fetare të rrënjosura prej shekujsh nuk mund të zëvendësoheshin me format e edukimit komunist.

Shpesh herë këto praktika të vjetra kamufloheshin me të renë, duke ia adaptuar rrethanave dhe kontekstit të kohës. Një fenomen i tillë vihej re shpesh herë kur, nën pretekstin e festimit të ditëlindjes, festohej dita e shenjtit. Gjatë javës së kreshmëve në vitin 1967, në qytetin e Fierit, Lushnjes, Tiranës, Durrësit, konsumi i qumështit ra në sasira të ndjeshme.

Në mjaft fshatra të rretheve të Beratit, Pogradecit, Peshkopisë, gjatë ditëve të bajramit dyqanet shitën sasi të mëdha sheqeri krahasuar kjo me ditët e tjera. Në këto ditë u vërejtën edhe mungesa të shumta në punë.

Dështimi i luftës antifetare që PPSh-ja ndërmori në vitet 60-të, duhet theksuar se erdhi nga qeliza bazë e shoqërisë, familja. Kjo vihet re nga fakti se PPSh orientonte në këto momente komitetet e partisë në rrethe, se lufta kundër fesë duhej mbajtur e ngritur dhe se epiqendra e luftës kundër besimeve dhe praktikave fetare tashmë duhej të kalonte në familje pa lënë mënjanë, kur të ishte e nevojshme, edhe diskutimet në masë, luftën politike me forma e mjete të ndryshme.

Kategoritë sociale që do ta kryenin këtë luftë, sipas PPSh-së, ishin komunistët, rinia punëtore dhe nxënësit e shkollave, të cilët në këtë periudhë ishin pjesa më e indoktrinuar. Prandaj, ajo shtronte nevojën e përgatitjes sa më të mirë ideologjike të këtyre forcave.

Hapesire e Sponsorizuar

Aksionet e luftës antifetare të PPSh-së dhe mekanizmave të saj u drejtuan kundër festave fetare, ditëve të shënuara që përcaktonte kalendari fetarë, riteve që ishin karakteristikë në çdo krahinë, fshat e lagje, si mbajtja e kreshmave, ramazanit, kungimit, pagëzimit, kundër bestytnive fetare etj.

Një punë e madhe u bë për zhdukjen e trashëgimisë fetare në banesa, sepse pavarësisht likuidimit të objekteve të kultit, një sasi e konsiderueshme ikonash, librash, broshurash dhe objektesh me origjinë fetare ruhej ende në shtëpitë e besimtarëve.

Ky ishte hapur një genocid i dimensionit human dhe shpirtërorë i vlerave religjoze të popullit shqiptar i trashëguar ndër shekuj. Një akt i tillë ishte shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, i cili për nga ngjashmëria, nuk krahasohet me asnjë vend të lindjes komuniste.

Për të zbuluar se kush e mbante ramazanin për myslimanët dhe kreshmën për të krishterët, informatorët provokues u ofronin atyre ushqime të ndaluara apo cigare. Kushdo që e refuzonte atë, dënohej.

Përpjekjet e regjimit komunist për krijimin e një shoqërie “tërësisht ateiste” konsideroheshin një betejë e papërfunduar edhe pas njëzet vitesh nga mbyllja e komuniteteve fetare. Propaganda komuniste bënte thirrje për një “edukim militant ateist”, për të zhdukur nga familja shqiptare apo të rinjtë çdo dukuri fetare.

Për këtë, Organizata e Rinisë së Shqipërisë e pa të nevojshme organizimin e udhëheqësve të saj në 70 brigada kulturore të rinisë, të cilat qarkullonin anembanë vendit për të zbuluar qëndrimet dhe praktikat që nuk ishin në pajtim me vijën zyrtare të partisë. Kudo që shihej e nevojshme, ata bënin mbledhje të krahinës për riedukimin e rinisë.

Në korrik të vitit 1987, e përjavshmja e organizatës së rinisë raportonte mbi veprimtarinë e këtyre brigadave, duke theksuar nevojën për të luftuar zakonet prapanike, bestytnitë dhe praktikat e dëmshme fetare.

Objektivat që regjimi komunist i vendosi vetes për eleminimin total të fesë dhe zëvendësimin e besimit me doktrinën marksiste-leniniste, dështoi. Shumë besimtarë të devotshëm të të gjitha bindjeve vazhduan të praktikojnë dhe ta ushtrojnë fenë e tyre privatisht. Kjo vazhdoi deri me rënien e komunizmit.