Gaspër Çurçia nuk u bë muzikant, ai lindi dhe jetoi si muzikant Jazz-i. Gaci, siç e thërrisnin të gjithë, guxoi të shfaqej ndër ato vite të errëta me gjenialitetin e vet krijues. Edhe sot nëse do të dëgjosh muzikë shqiptare të viteve ’60 – ’70, menjëherë ia ndien veçantitë tingullore që percjell muzika e tij.
Si mjeshtër i aranxhimit, ai arriti të krijojë një tingull unik me formacionet e mëdha që drejtoi. Gaci-Jazz muzikanti i kudo ndodhur me trumpetën e tij, një Luis Armstrong shëtitës që nga baret e thjeshta të Tiranës deri në skenat e Festivaleve të RTSH-së.
Truri i Festivalit të 11-të të këngës që u bë fati dhe fatkeqësia e tij.
Sot, ne njohim këngën e famshme “Natën Vonë” si një ndër kulmet e muzikës shqiptare. Kompozimin e mrekullueshëm të Tish Dajisë, interpretimin plot jetë të Vaçe Zelës, i bëri bashkë në të parën këngë qind për qind Jazz në shqip gjeniu Gac Çurçia.
Tingulli i lartë i trumpetës së tij ishte dhe do të jetë shqetësues për injorantët dhe mediokrit e çdo kohe. Jeta e Gac Çurçisë ishte një solo Jazz-i e pambaruar, e prerë në mes./Shkodra Zone