3 vite më parë, më 5 prill 2020 u nda nga jeta “Mjeshtri i Madh” i humorit Gëzim Kruja (1939-2020), e kujtojmë me nderim e respekt
Humoristi shkodran lindi në 4 dhjetor 1939. Gëzim Kruja karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore nisën që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.
Ai kaloi një jetë në skenën shkodrane të humorit, ku spikati me rolet e tij të shumta. Gëzim Kruja shkroi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor, ndërsa interpretoi mbi një mijë role në skeçe të ndryshme në 52 vite. Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”, ndërsa një vit më pas “Naim Frashëri i Artë” dhe në 2010 “Mjeshtër i Madh”.
Gjatë punës sime për përgatitjen e një cikli artikujsh kushtuar personaliteteve të artit dhe kulturës
shkodrane kryesisht në fushën e letërsisë, skenës dhe muzikës, një vend të veçantë do të zinte edhe
figura e “Mjeshtrit të Madh”, shkrimtarit dhe humoristit Gëzim Kruja.
Kjo figurë e shquar e galerisë së humorit shkodran radhitet në mënyrë dinjitoze edhe me pararendësit e tij, edhe me bashkëkohësit e tij, por e gjithë gama e veprimtarisë artistike e bën atë më specifik; ai nuk është një aktor si të thuash “klasik i skenës”, por është shumë dimensional me aftësi të gjithanshme, që në fillimet e tij, ku e shohim si: akrobat cirku, klloun, parodist, pantomimist e mbi të gjitha aktor brilant në skenën e estradës
Talentin e tij e plotësonte në mënyrë ideale portreti gazmor, mimika plot grintë, ku “flisnin” të gjithë muskujt e fytyrës, trupi prej sportisti dhe gjallëria e lëvizjeve. Të gjitha këto cilësi i garantonin atij suksesin, të cilin e “korrte” pa as më të voglin dyshim në të gjitha skenat ku debutonte. Ky ishte pra aktori Gëzim Kruja. Talenti lind biologjikisht, por atë e zhvillon dhe e perfeksionon tabani dhe puna e palodhshme e artistit.
Dalja e tij e fundit për mediat ishte në festën e 80-vjetorit të lindjes në dhjetor të vitit 2019, që miqtë e teatrit i organizuan. Vepra e fundit që ngjiti në skenë Gëzim Krujën ishte në vitin 2018.
Ai u nda nga jeta më 5 prill 2020.
