Historia e grabitjes së Bankës së Napolit në Fier, në vitin 1943

Nga Kreshnik Kuçaj

Në mesnatën e 7 dhjetorit të vitit 1943, ndërsa banorët e Fierit po përgatiteshin të festonin Bajramin e vogël, qyteti do të tronditej nga një lajm i rëndë. Tre punonjës të së vetmes bankë në qytet; Bankës së Napolit, ishin rrëmbyer. Ngjarja mobilizoi autoritetet lokale policore por alarmoi edhe qendrën në Tiranë.

“Sot me datën 8 dhjetor 1943, ora 10 para dreke u lajmëruam verbalisht prej rrethkomandantit të vendit zoti Abas Sevranit, se Drejtori, Arkëtari dhe Llogaritari i Bankës së Napolit të Fierit nuk ndodheshin në qytetin e këtushëm dhe as nuk dihej fati i tyre.

Në këtë kohë na u paraqit dhe nëpunësi i bankës zoti Maksut Çomo i cili na parashtroi se sipas lajmërimit që i kishte bamun shërbëtori i bankës; drejtori, arkëtari dhe llogaritari nuk ishin te shtëpia ku kishin fjetjen dhe shtoj se shërbëtorit sonte që shkoj, disa persona të panjoftun dhe t’armatosun i kishin shkuar te shtëpia dhe me frikësime i kanë marun çelësat e qepenave të Bankës dhe dyshohet që Banka të jetë vjedhun.

Gjyqtari Paqtues i Fierit

Vasil Jorgaqi

Procesverbal

8 dhjetor 1943

Hapesire e Sponsorizuar

Menjëherë gjyqtari i Fierit, sëbashku me sekretari gjyqësor, komandantin e xhandarmërisë dhe nëpunësin e bankës shkojnë në godinën e Bankës së Napolit në Fier.

Me çelësat që zotëronte punonjësi i bankës, ekipi hetimor nis të hapë qepenat e saj, ku konstaton se njëri prej tyre që ndodhej në anë të lumit Gjanica, në vendin ku vendosej çelësi, ishte tentuar të pritej pasi autori nuk kishte arritur të finalizonte qëllimin e tij.

Ekipi i kryesuar nga gjyqtari hapin qepenin e bankës dhe konstatojnë situatën e saj.

“Hapëm derën e jashtme të Bankës dhe pamë se në të hyemë mbrenda e aty afër tavolinës ku rrinte drejtori ishte djegur një letër. Gjithashtu pamë të kasaforta se dhe këtu ishte djegur një letër.

Dhe nga kjo gjë kuptuam se djegia e këtyre letrave mund t’i ketë shërbyer autorit vetëm se për dritë. Dmth që të shihte mbrenda për të plotësuar veprimin e vjedhjes.

Pamë se kasaforta e bankës ishte e mbyllyn dhe se rreth e përqark saj nuk pamë ndonjë shenjë që të na linte dyshim. Kemi pyetur nënpunësin e bankës, zotin Maksut Çomo nëse konstatonte se Bankës i mungonte ndonjë send, i cili pasi vrejti zyrat na deklaroj se mobiliet dhe makinat daktilografike janë të gjitha dhe përsa u takon të hollave, çeqeve dhe sendeve me vleftë, unë nuk mund të di gjë mbasi këto ruhen në kasafortë që çelsat e të cilës simbas rregullit njerin e mban drejtori i Bankës dhe tjetrin arkëtari.

Gjyqtari Paqtues i Fierit

Vasil Jorgaqi

Procesverbal

8 dhjetor 1943

Grupi i parë hetimor që shkon në vendngjarje gjen mbi tavolinën e arkëtarit librin e arkës ku shënohej gjendja e saj deri me datën 4 dhjetor 1943. Në këtë libër, shënohej se gjendja e arkës ishte 204 mijë e 880 franga dhe përtokë… dy copa letre të djegura përgjysëm.

Por për të faktuar nëse ishin vjedhur para dhe për të bërë krahasimin mes librit dhe arkës, duhej hapur kasaforta, celësat e së cilës nuk gjendeshin. Ekipi zgjedh të mos e hapë kasafortën me forcë dhe i kërkon punonjësit të bankës që i shoqëronte, që të kërkonte një kopje të çelësave të posaçëm në qendra e bankës në Tiranë.

Në pritje të ardhjes së çelësave të posaçëm nga qendra, gjyqtari i Fierit dhe komandanti i xhandarmërisë vendosin të mbyllin bankën dhe të ruajnë skenën e krimit që të mos kompromentohej.

Hapja e kasafortës do të bëhej me datën 16 dhjetor, 9 ditë pas ngjarjes. Ajo që bie në sy në hapjen e saj ishte se brenda kishte një sasi parash prej 5 mijë e 402 frangash.

“Procesverbal.

Sot me datën 16 dhjetor 1943 ora 10 paradite u lajmëruam nga inspektori i Bankës së Napolit të Fierit zoti Mario Martuci se sot i kishin ardhur çelësat e kasafortës e cila deri më sot mbahej e mbyllur.

Pasi muarmë këtë lajm, unë gjyqtari paqtues Vasil Jorgaqi, tue qenë i asistuar prej sekretarit Nehat Lekdushi dhe kapter Xhelal Kurtesi, zëvëndëspost komandanti i qendrës ardhëm në zyrën e Bankës së Napolit dhe këtu gjetëm zotin inspektor i cili na dorëzoi një pako të mbështjellur me beze dhe e vulosur me dyll të kuq.

Dhe kjo pako pasi u çel në prezencën e të gjithëve brenda në të u gjetën dy çelësa me anën e të cilëve hapëm kasafortën e madhe të bankës. Brenda u panë këto të holla: monedha 2 lekëshe copë 300, 2 frangëshe shqip, 2191 dhe 1 frangëshe 900 të cilat kapin një shumë 5042 franga shqiptare.

Hetimet e mëvonshme dhe krahasimi i llogarive të bankës do të zbulonte një fakt shumë të rëndësishëm…në bankë mungonin rreth 200 mijë franga shqiptare.

E paratë e mbetura…ishin aq sa duhej për të paguar rrogën e punonjësve të bankës

Me të mbërritur lajmi, Qendra e Bankës së Napolit në Tiranë e shqetësuar për lajmin e rrëmbimit të 3 punonjësve të saj, kishte emëruar inspektorin Mario Martuci për të hetuar mbi ngjarjen e rëndë.

Inspektori Mario Martuci kishte mbërritur në Fier mbrëmjen e 13 dhjetorit dhe kishte nisur hetimin të nesërmen.

Në datat 14 deri me 20 dhjetor ai kishte realizuar një hetim kompleks. Për ditë me radhë, inspektori hetoi vendngjarjen dhe mblodhi dëshmi nga persona të ndryshëm, duke arritur deri aty sa të bëjë jo vetëm profilin moral të 3 punonjësve por edhe të analizojë sjelljet e atyre që kishin marrë kredi në bankë në mënyrë që të gjente ndonjë provë për hetimin e tij.

Në fund të hetimit, ai kishte hartuar një raport të detajuar prej 60 faqesh ku reflektonte çdo dokument, dëshmi e deri edhe dyshimet e tij për personazhet që kishte takuar.

Ajo që bie në sy në këtë raport është se pjesa e vjedhjes së bankës është shkruar me shkrim dore; një dëshmi kjo se në fakt inspektori ishte nisur për të hetuar vetëm zhdukjen e tre zyrtarëve të Bankës që dyshohej se ishin rrëmbyer nga disa njerëz të armatosur.

Drejtuar administratorit të Deleguar të Bankës së Napolit Shqipëri

Relacion mbi zhdukjen e tre funksionarëve të filialit të Fierit të Bankës së Napolit dhe për vjedhjen e ndodhur me 7 dhjetor

Rindërtim i ngjarjes së ndodhur sipas deklaratave të punonjësve, të autoriteteve dhe disa dëshmive

Natën e 7 dhjetorit 1943, në vigjiljen e festës së Bajramit- të kihet parasysh se sipas traditës muslimane në raste të tilla është traditë që të rrihet zgjuar deri natën vonë- dhe saktësisht rreth orës 22, një fqinje e shtëpisë ku banonin 3 zyrtarët e quajtur Parashqevi Nushi që banon 30 metra larg, me tregoi se ka dëgjuar përmes xhamit të thyer të banesës disa zhurma dhe zëra të dyshimtë.

E shtyrë nga kurioziteti, ajo iu afrua dritares me xham të thyer për të parë më mirë atë që po ndodhte dhe duke qenë se ishte natë e kthjellët me hënë, kishte parë drejtorin e bankës në prag të derës së shtëpisë që ndriçohej me dritë elektrike që bërtiste: Çfarë doni në këtë orë? Në të njëjtën kohë ajo kishte ndjerë edhe qenin që lehte papushim, çka nuk e kishte lejuar që të dëgjonte më shumë atë që thoshte drejtori në debatin me personat e tjerë.

Sipas dëshmitares, debati kishte zgjatur deri rreth orës 23. Pas kësaj ore, ajo nuk kishte arritur të shquante më gjë nga ajo që po ndodhte duke qenë se shtëpia ishte errësirë. Duhet evidentuar fakti se në Fier, çdo darkë në orën 23:00 drita elektrike ndërpritet.

Në vijim të raportit hetimor, inspektori shton gjykimin e tij ku hedh dyshimin se drejtori i Bankës që banonte me dy kolegët e tij, e njihte personin me të cilët debatonte për faktin se ia kishte hapur derën e banesës sapo ai e kishte thirrur.

Një arsye tjetër që e mbështeste këtë fakt ishte se në banesë nuk kishte shenja dhune dhe se diskutimi nuk kishte qenë gjithnjë i ndezuar pasi aty ishte konstatuar dhe një qiri, çka do të thoshte se gjatë diskutimit, pasi ishin fikur dritat, kishte dalë koha për ndezjen e tij dhe mbylljen e derës.

Një element tjetër që e forconte këtë dyshim të inspektorit ishte se Drejtori i zhdukur i bankës, zotëronte një pistoletë, e cila pas zhdukjes së tij ishte gjetur në banese.

Relacion mbi zhdukjen e tre funksionarëve të filialit të Fierit të Bankës së Napolit dhe për vjedhjen e ndodhur me 7 dhjetor

Përtej çdo hipoteze, që duke mos pasur prova e as dëshmi të mjaftueshme në dispozicion, pikëpyetje lindin shumë. Është fakt që tre funksionarët u morën nga krevatet e tyre dhe u nxorrën jashtë banesës. Të tre bashkë, dolën nën kërcënimin e armëve apo me premtimin për t’u rikthyer pas vjedhjes së bankës në banesën e tyre? Apo mund të merrej vetëm njëri prej tyre, për shembull arkëtari, që do të ishte më praktik për hapjen e kasafortës?

Apo dy punonjësit e ndoqën me vullnetin e tyre drejtorin për të bashkëndarë fatin me të? Pse duhej të merreshin të tre punonjësit kur zotëruesit e çelësave ishin vetëm 2? Për të mos lënë dëshmitarë? Për çfarë arsyeje? Për hakmarrje personale? Shantazh apo vetëm për vjedhjen e parave?

Këto pyetje e shumë të tjera që i kam eleminuar, i kam pasur parasysh gjatë hetimit tim por për fat të keq nuk është e lehtë që t’u japësh përgjigje derisa të dalë në dritë një fakt i ri që sqaron atë që ka ndodhur.

Për të arritur nga banesa e grabitesve në bankë duheshin së paku 30 minuta. Ndaj, sipas përllogaritjeve të inspektorit, tre funksionarët e bankës dhe agresorët duhej të kishin qenë aty rreth orës 23:30-23:40.

Një nga dyshimet e rëndësishme të inspektorit ishte fakti se si kishte qenë e mundur që një grup kaq i madh njerëzit të kalonte pa u shqetësuar para Komandës ushtarake gjermane që vigjilonte natën dhe ditën, para shtëpive të muslimanëve që atë natë rrinin zgjuar gjatë për të pritur festën e Bajramit dhe pa hasur në asnjë patrullë xhandarësh.

E gjithë kjo, në një natë të qetë ku nuk binte shi.

Një dyshim tjetër i inspektorit ishte fakti se grabitësit kishin tentuar të sharronin drynin e qepenave të jashtëm të bankës pasi drejtori dhe arkëtari kishin vetëm çelësat e brendshëm të saj dhe jo të qepenave që mbyllnin bankën nga jashtë.

Kur kishin dështuar në sharrimin e drynit të qepenit, ata i ishin drejtuar shtëpisë së kujdestarit të cilit në presionin e armëve i kishin marrë dhe celësin e fundit që duhej për të hyrë në bankë.

Sipas dëshmisë së dhënë nga kujdestari, 5 persona kishin mbërritur në shtëpinë e tij dhe njëri prej tyre duke i drejtuar pistoletën i kishte kërkuar që të shuante çdo kandil dhe ti dorëzonin çelësat e jashtme të bankës.

Sipas kujdestarit, personi që i kishte dorëzuar çelësat fliste shqip por nuk kishte arritur ta identifikonte sepse ishte i maskuar me kapuc leshi në kokë. Fakti që nuk kishin arritur të sharronin drynin, sipas inspektorit, ishte dëshmi se grabitësit nuk ishin profesionistë dhe të papërgatitur për të kryer aktin.

Kjo ide, sipas tij përforcohej edhe nga fakti se brenda bankës ishin gjetur dy copa letre të djegura, që duhej të ishin përdorur nga grabitësit për të bërë dritë në kushtet kur mungonte energjia elektrike dhe ku nuk kishin mjete të tjera për të bërë dritë në momentin e hapjes së kasafortës.

Relacion mbi zhdukjen e tre funksionarëve të filialit të Fierit të Bankës së Napolit dhe për vjedhjen e ndodhur me 7 dhjetor

15 minuta pas mesnatës, me hamendje, hajdutët kanë arritur të futen në ambientet e bankës sëbashku me së paku njërin nga funksionarët, që me shumë gjasa ka qenë arkëtari. Saktësoj se nuk ka pasur dritë elektrike. Kanë hapur kasafortën dhe kanë boshatisur thesarin duke marrë me vete rreth 200 mijë franga dhe disa çeqe të Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Mëngjesin e së nesërmes, sikurse rezulton nga dëshmitë e mbledhura, tre funksionarët nuk u panë më në banesën e tyre dhe as në vende të tjera.

Gjatë hetimeve më është krijuar përshtypja se në realitet, shumë persona kanë pasur dijeni për ngjarjen, për autorët e vjedhjes dhe për ndonjë detaj tjetër të dobishëm, por gjendeshin përballë ndonjë kërcënimi për të cilin nuk jemi në dijeni ose nuk po tregojnë që të ruajnë kodin e heshtjes, Omerta-n.

Një element që përmendej pak në hetim ishte përfshirë edhe kapiteni I ushtrisë gjermane Veigtdh.

Inspektori italian në raportin e tij hedh shumë dyshime edhe për gjendjen e kasafortës. Atij i bën përshtypje fakti se pse grabitësit nuk i kishin marrë të gjitha paratë.

Relacion mbi zhdukjen e tre funksionarëve të filialit të Fierit të Bankës së Napolit dhe për vjedhjen e ndodhur me 7 dhjetor

E hapa personalisht kasafortën dhe në prezencë ne të gjithëve vura re se nuk kishte ndonjë çrregullsi në të. Syri na shkoi te kati i tretë i saj. Ai ishte plot me tufa parash të vogla të emetuara nga Banka Kombëtare e Shqipërisë. Më saktësisht, ishin 33 tufa parash që sëbashku arrinin shumën e 5 mijë e 402 frangave.

Thesari ku zakonisht mbaheshin paratë e dorës ishte i mbyllur me çelës dhe duhet të rrëfej se ky konstatim ishte më i çuditshmi nga të gjithë dhe momentet deri në hapjen e plotë të kasafortës ishin nga më emocionueset.

Fillimisht besuam, unë dhe të pranishmit e tjerë, se kasaforta ishte plot me para dhe me kaloi njëherë në kokë ideja se tre funksionarët e bankës, me qëllim që të ruanin paratë nga grabitësit, kishin penguar hapjen e thesarit duke fshehur çelësin, çka do t’u kishte kushtuar shtrenjtë atyre.

Por konstatimi u bë në momentin e hapjes së thesarit ku rezultoi që ishte komplet bosh dhe konfirmoi të kundërtën e asaj që po mendoja.

Në këtë pikë dua t’u tregoj diçka që i kishte shpëtuar syrit tim. Një prej të pranishmëve bëri pyetjen: Si është e mundur që grabitësit kanë mundur të marrin 233 tufa me para dhe kanë lënë pas 33 tufat e fundit?

Përgjigjia erdhi e gatshme dhe e saktë nga një prej punonjësve të bankës që tha: Do i kenë lënë që t’u jepen pagat punonjësve të bankës”.

Askush nuk foli pas kësaj dhe ra një heshtje e madhe, e u duk sikur punonjësi i bankës ishte penduar që i kishte thënë ato fjalë.

Raporti hetimor përmbledh dëshmitë e autoriteteve. E ajo që bie në sy është se si Xhandarmëria shqiptare, ashtu dhe ajo gjermane, sikurse edhe drejtuesit e ballistëve në Fier, janë i të njëjtit mendim.

Xhandarmëria shqiptare deklaronte se kishte zhvilluar hetime dhe e përjashtonte mundësinë që persona nga jashtë qytetit të kishin ardhur në Fier për të bërë grabitjen. Sipas tyre, grabitësit nuk duhet të kërkohen mes banditëve të zakonshëm të qytetit.

Ndërsa Xhandarmëria gjermane pasi përsërit deklaratën e homologëve shqiptarë shton hipotezën se 3 funksionarët italianë të bankës mund të kënë shfrytëzuar rastin dhe të jenë riatdhesuar në Itali. Madje, xhandarmëria gjermane deklaron se ka sinjale se 3 zyrtarë e zhdukur të bankës ishin parë në kufi duke iu drejtuar Bullgarisë.

Ndërkohë, Komanda balliste e Fierit përjashton çdo mundëis që në qytet të ketë pasur hyrje grabitësish nga jashtë pasi çdo pikë hyrje e qytetit ishte e kontrolluar rreptësisht.

Edhe komanda ballliste mbështet tezën se 3 zyrtarët italianë kishin ikur drejt Italisë.

Madje, nuk ngurrojnë as të hedhin hipotezën se janë pikërisht 3 funksionarët e zhdukur të bankës ata që e kanë bërë vetë grabitjen e bankës. Sipas tyre, natën e 7 dhjetorit kur ka ndodhur grabitja, patrullat balliste nuk kanë konstatuar asnjë fakt anormal.

Sikurse shihet, është një vjedhje e përmasave të mëdha, e paraprirë nga dy agresione dhe që është realizuar në një mënyrë të sigurt, e shoqëruar edhe nga zhdukja e pashpjegueshme e 3 funksionarëve italiane.

Po ia lejoj vetes këtu që të shpalos konkluzionin e të gjithë asaj që kam konstatuar dhe vlerësuar, disa konsiderata dhe gjykime që nuk i cilësoj të pavlera dhe që një ditë do të shërbejnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Fillimisht duhet të pranojmë se për të vënë në akt një vjedhje të tillë duhen pasur parasysh rreziqet me të cilat përballesh e autorët duhet të kenë qenë shumë të sigurtë se do të merrnin një sasi kaq të madh parash,

Këtu lindin dy hipoteza të rëndësishme. E para që prezumon një përgatitje paraprake për vjedhjen prej kohësh, nga ana e personave krejtësisht të huaj për bankën dhe tjetra që supozon që autorët në fakt e kanë projektuar goditjen thuajse në mënyrë të papritur ose vetëm me pak ditë përgatitje, të udhëhequr direkt nga persona që ishin në dijeni për gjërat brenda bankës si sjelljet e tre funksionarëve, gjendjen e arkës etj.

Duke i kaluar në test këto, duhet të pranojmë se për hipotezën e parë, që autorët e vjedhjes të kenë pasur mundësi të spiunonin për gjendjen e kasafortës por kjo është shumë e vështirë sepse ajo hapej vetëm një herë në mëngjes dhe një herë kur mbyllej banka dhe lëvizjet e parave bëheshin vetëm kur nuk kishte klientë.

Hipoteza e dytë, ajo që persona në dijeni të fakteve në Bankë mund të kenë marrë pjesë në vjedhje është më shumë e besueshme.

E para nga këto është fakti që drejtori i bankës nuk ka pasur asnjë dyshim për vizitën e pazakontë duke mos mbajtur me vete as armën që kishte. Pastaj fakti që autorët dinin edhe banesën e kujdestarit të bankës dhe shkuan atje direkt për të marrë çelësat natën e ngjarjes, pa llogaritur që hajdutët kanë parë 33 tufat e parave që ishin aty dhe nuk i kanë marrë sikurse kanë marrë të tjerat.

Nëse autorët e vjedhjes që mendohet se ishin së paku 8, kanë vepruar në mënyrë të izoluar apo bënin pjesë në ndonjë organizatë të rëndësishme, kjo është e një rëndësie dytësore për ne. Është bindja ime që ata nuk vepronin vetëm.

Shpërblimi për secilin prej tyre u bie që të jetë 25 mijë franga secili dhe kjo shumë nuk do të justifikonte serinë e panumërueshme të rreziqeve me të cilat do të përballeshin. Ata kanë vepruar me shumë siguri, duke mos u ruajtur nga britmat e drejtorit, e as nuk janë kujdesur në përshkimin e rrugëve të Fierit e as për hapjen e bankës në atë orar të vonë, e aq më pak për të ndërmarrë një sulm në shtëpinë e kujdestarit.

E gjithë kjo ishte e parashikuar nga ata dhe nevojitej se paku heshtja konsensuale e atyre që e kanë për detyrë që të mbikqyrin dhe ruajnë qytetin.

Sa i përket pjesës së dytë të ngjarjeve, domethënë zhdukjes së tre funksionarëve, nga sa kam parashtruar, mund të them se nuk ka fakte të mjaftueshme për fatin e tyre.

Zyrtarisht nuk ka asnjë gjurmë të tyre, madje dhe gjurmët e tyre që mund të ishin të dobishme janë zhdukur. Banesa e tre funksionarëve u boshatis thuajse menjëherë dhe nuk mund të dilet në konkluzion nëse ata kishin dalë me nxitim apo ishin përgatitur dhe as mund të dilet në konkluzionin nëse ishin veshur apo jo.

Me është thënë dhe më kanë siguruar nga shumë burime që qyteti i Fierit ishte shumë i kontrolluar e rreptësisht i mbikqyrur dhe nuk kishte mundësi që të hyjnë njerëz nga qytete të tjera. Por duke qenë se në Fier nuk është gjendur asnjë gjurmë e tre funksionarëve tanë, duhet të shtojmë në konkluzion se ata janë dërguar jashtë qytetit të Fierit, çka do të thotë se ka rënë në sy kalimi i tyre ose i shoqëruesve të tyre.

Ja një shembull se autorët e vjedhjes kanë qenë persona që njiheshin mirë.

Frika nga ana e këtyre të fundit për t’u denoncuar do t’i kishte çuar ata që të merrnin një vendim tjetër.

Por për të marrë heshtjen, do të mjaftonte një kërcënim i thjeshtë, sikurse kemi parë në raste të tjera. Nuk është për t’u përjashtuar ndër të tjera se ndonjë fakt i ri është verifikuar pasi ka ndodhur vjedhja, aq sa i ka detyruar grabitësit që të marrin vendime të reja dhe të pamenduara mirë.

Në këtë pikë, dua të përjashtoj dhe shpresoj që të gjej në gjykimin tim një mbështetje të qendrueshme nga Administrata që i njeh mirë 3 funksionarët, në mënyrën më absolute, idenë e qarkulluar nga autoritetet dhe domethënë që ata të jenë larguar me vendimin e tyre, si përpjekje për t’u riatdhesuar në Itali.

Nuk qendron hipoteza sepse rezulton se ata kanë lënë në Fier sendet personale më të rëndësishme, kursimet, e madje deri edhe armët të cilat do t’u duheshin. Përveçse nëse do u jetë ofruar ndonjë udhëtim klandestin i sugjeruar dhe ndihmuar nga autorët e vjedhjes.

Në fund, kam krijuar përshtypjen që persona të ndryshëm në dijeni të shumë gjërave, por që nuk mund të flasin sepse gjenden nën një kërcënim që ne nuk jemi në dijeni.

Çështja për fat të keq mbetet ende e veshur nga një mister i vërtetë dhe vetëm me kalimin e një kohe të nevojshme dhe me normalizimin e gjërave mund të arrihet të zbulohet e vërteta e fakteve…/Scan