Historia e “Karnavaleve” dhe shërbyesit që vunë në lojë të zotët e shtëpisë! Ngjarjet në Korçën e 1936-s në familjen e Jorganxhinjve

Në ditët e karnavaleve shërbyesja Nasta dhe Loni venë në lojë tregëtarin Nikollaq Jorganxhi dhe të shoqen Olimbinë. Ky është momenti ku ata mund të shprehin mendimin e tyre në lidhje me individët e zbrazët materialistë dhe injorantë që përkrahin qeverinë.

Filmi është komedia e parë muzikore shqiptare. Pikërisht 43 vjet më pare në fund dhjetor të vitit 1980, mbahej premiera e filmit “Karnavalet”, me regji të Ismail Zhabjakut (1932-1992). Filmi i zhanrit kino-komedi muzikore(musical) u xhirua në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit. Aktori Mirush Kabashi (1948-2023) u nderua me medalionin për rolin e Nikollaqit, në Festivalin IV të Filmit Shqiptar. Ekranizim i komedisë “Karnavalet e Korçës” u shkrua nga Spiro Çomora. Komedia “Karnavalet e Korçës” është një ndër kryeveprat e dramaturgjisë sonë. Dramaturgjia e mirë i mbetet gjithmonë kohës, ashtu dhe vepra e Sipo Çomorës, pavarësisht se është shkruar në 1961 dhe ngjarjet i zhvillon në 1936, është një komedi brilante, që qëndron më se aktuale edhe sot.

HISTORIA

Te “Karnavalet e Korçës” ngjarjet zhvillohen në Korçën e vitit 1936 në familjen e Jorganxhinjve, tregtarë të pasur. Ditët e zakonshme të qetësisë dhe të rehatit marrin fund, kur vajza e tregtarit Nikollaq Jorganxhiu, Afroviti, tashmë 30-vjeçare, mbetet pa martuar. Nikollaqi dhe gruaja e tij, Olimbia ngrenë në këmbë të gjithë Korçën në kërkim të dhëndërit të duhur. Ata kanë në një synim të përbashkët: ta martojnë çupën e tyre të vetme Afrovitin me çdo kusht, por prapamendimet i kanë të ndryshme. Në thelb ata janë dy prindër egoistë, të cilët jo vetëm që nuk e ndihmojnë vajzën e tyre, po e vendosin atë në situata qesharake e tragjikomike. Afroviti është pasqyra e prindërve të saj, por nëse ata janë të rrahur nga jeta, ajo shfaqet me gjithë mendjelehtësinë, dashakeqësinë dhe antipatinë e një vajze të moshës së saj. Për nga tipologjia, është një komedi karakteresh, por fijet e komedisë lëvizin më tutje, pleksen me meset tipike tipke sociale të qytetit, me mikroborgjezinë tradicionale dhe të prapambetur, të denjë për provincën e viteve ’30 në Shqipëri, sikundër me dukurinë e mburrjes dhe budallallëkun e njerëzve të provincës.

AKTET

Komedia është e ndërtuar në tri akte. Skena kryesore ku ndodhin dhe konfliktohen ngjarjet është e vendosur në shtëpinë e Nikollaq Jorganxhiut. Dyshja Nikollaq dhe Olimbi, çifti i bashkëshortëve që përfaqësojnë tregtarët e vegjël të Korçës është një dyshe sa komike, aq edhe tragjike. Kërkesat që kanë për kandidatin që do të bëhet dhëndërr, janë të sofistikuara: ata duan që dhëndrri të jetë i njohur, derë e madhe dhe të ketë një pasuri që të ia mbushë syrin babait lakmues, Nikollaqit, i cili ka kthyer shumë krushq vetëm për këtë arsye. Këtu nisin edhe situatat komike që bëjnë për të qeshur publikun e teatrit. Sidoqoftë, situate komike e përpjekjeve për t’i gjetur burrë Afrovitit, në komedi shërben veçse si ngasje, pasi kryesorja mbeten karaktaret, tejet të besueshëm, në mënyrë të veçantë çifti Jorganxhi.

SHFAQJA

Më 23 maj të vitit 1964, me regjinë e Pandi Stillu, komedia u shfaq nga Teatri Kombëtar, duke shënuar një nga sukseset më të bujshme të këtij teatri. Shfaqja u dha plot 258 herë me rreth 89 mijë spektatorë, një nga frekuentimet më të mëdha shënuar në ato vite. Pjesa e cila pati shumë sukses, u regjistrua edhe nga Televizori shqiptar dhe për shumë vite u transmetua nga ky ekran, duke hyrë në çdo shtëpi. Loja e aktorëve si: Violeta Manushi, Ilia Shyti, Antoneta Papapavli, Gjon Karma, Mimika Luca, Marika Kallamata, Yllka Mujo, Liza Vorfi, Roland Trebicka, Edmond Budina, ka ngelur në kujtesën e kohës. Nënvizojmë faktin se komedia u rivendos në skenën e Teatrit Popullor disa herë dhe me interpret të ndryshëm. Përshembull, rolin e Nikollaqit e ka interpretuar edhe Viktor Gjika, ndonëse regjistrimi në TVSH është bërë me aktorin Ilia Shyti.

Hapesire e Sponsorizuar

FILMI

20 vjet më vonë, pas suksesit të vënies në skenë të Karnavaleve të Korçës, Kinostudio “Shqipëria e Re”, vendosi të sjellë komedinë e Spiro Çomorës në formën e një filmi të kënduar, të cilin e quajtën “operetë”, por që me gjuhën e zhanrit mund ta cilësojmë edhe si “musical”. Filmi i realizuar në vitin 1980 është komedia e parë muzikore shqiptare. Në një pamje të përgjithshme, është e njëta histori. Subjekti është po ai, por i treguar përmes mjeteve të reja shprehëse, siç është muzika: Janë ditët e karnavaleve dhe shërbyesja e shtëpisë së Jorganxhijve, Nasta, bashkë me një hamall, shokun e saj, Lonin, venë në lojë Nikollaqin me të shoqen Olimbinë, për fiksimin e tyre për t’i gjetur vajzës së tyre Afriviti me çdo kusht një burrë të pasur dhe beqar. Ky është momenti ku ata mund të shprehin mendimin e tyre në lidhje me individët e zbrazët, materialistë dhe injorantë që përkrahin qeverinë. I gjithë konflikti është i shprehur përmes dialogjeve, apo monologjeve të kënduar, ku çdo sekuencë muzikore vjen si krijim muzikor original nga kompozitori Avni Mula. Skenari i filmit që mbështetet tek teksti i Çomorës është shkruar nga Gjergj Zheji dhe Ismail Zhabjaku, ndërkohë që ky i fundit është njëkohësisht edhe regjisor i filmit. Në role krahas aktorit Mirush Kabashi që luan rolin e Nikollaqit, interpretojnë një grup artistësh baritonë dhe soprano të Operas, të cilët sjellin një interpretim të shkëlqyer në këtë zhanër të ri për shqiptarët në vitet ’80.

Nderimet

Xhovana Doko (Olimbia), Lisenko Malaj (Loni), Afërdita Pilkati (Nasta), Agim Quku (Prefekti), Tatjana Kora (Afriviti), Ibrahim Tukiçi (dr. Xhuvi), Sotiraq Çili (piktori), Pëllumb Deçolli (kapiteni), Manushaqe Qenami (e shoqja e konsullit), Lefter Besho (hamalli), etj. Duhet theksuar se Mirush Kabashi, i cili gjatë pjesëve të kënduara pati si dublant solistin Hysek Koçia, u nderua me medaljonin e Festivalit të IV të Filmit Artistik Shqiptar për rolin e Nikollaqit. “Karnavalet e Korçës” ka pasur një tjetër rivënie në skenë, po në Teatrin Kombëtar, me regjisor Dhimitër Pecani dhe Nikollaqin të interpretuar nga aktori Roland Trebicka. Dhe pas shumë kohësh, u vu përsëri në skenë edhe nga regjisori Altin Basha me trupën e Teatrit të Prishtinës, duke shënuar suksesin e radhës. “Karnavalet e Korçës” e Spiro Çomorës vazhdon të jetë e këndshme, zbavitëse, fshikulluese, ironike, plot batuta dhe atmsoferë edhe sot e kësaj dite. Kjo është meritë e veprave të mëdha dhe “Karnavalet” është një e tillë. Edhe sot shqiptarët, kur përmendin emrin e Spiro Çomorës, kujtojnë përnjëherë “Karnavalet e Korçës” dhe, kur e shohin, lexojnë apo dëgjojnë për komedinë e famshme, u vjen ndërmend një vepër gazmore që koha nuk e ka zvetnuar aspak./Panorama.com.al