Historia e rrallë e dashurisë së çiftit Kalaja!, Si u dashuruan përmes kodit të alfabetit mors

UVIL ZAJMI/ Një histori e rrallë dashurie, e padëgjuar, as lexuar në romane, libra të verdhë, por si e tillë është, të tingëllon kur njihesh me të. Jo ndërmjet dy personazheve, njerëzve të famshëm, aktorë me brilantinë, borsalino, aktorë të preferuar, femra të bukura, që kanë shkëlqyer në botën së spektaklit.

As edhe të parë në filmat më romantikë, të dashurive të mëdha, me subjekte të realizuara e shfaqur nga Hollivudi. As si në ato lidhjet pasionante, kur ka mjaftuar një shikim, një buzqeshje, një letër, më pas një takim në fshehtësi, për t’u bërë të bujshme më pas, duke mbushur faqet e para të gazetave, revistave rozë, ekranet televizive.

Jo një histori shekpsiriane, jo me Humphire Bogart as Ingrid Bergman, jo motor “Vespa”, as një shëtitje, njohje e rastësishme në Romë, por krejt ndryshe është ajo e një çifti të thjeshtë shqiptar, Koço dhe Thomiadha Kalaja, që i përket viteve ’45. Një dashuri e nisur pa u parë e njohur, por falë një mekanizmi që edhe për historinë e tij, regjistron një ngjarje unikale, të veçantë, për çfarë dhe si u ka shërbyer atyre.

Me siguri, edhe shpikësi i atij aparati do të ishte befasuar. Bëhet fjalë për alfabetin mors, që më shumë se çdo funksion tjetër është përdorur në kohë lufte, duke ndryshuar edhe fatet e tyre, apo në sisteme komunikimi, detyra sekrete, në centrale postare, për shifrantët e ambasadave. Edhe në Shqipëri, në disa reparte ushtarake sigurisht me specialistë, që e njihnin mirë përdorimin, aplikimin e tij, si dhe në postat e qyteteve, kryesisht për telegrame, njoftime, thirrje telefonike, etj.

Por, jo në dashuri. Ndonëse ajo që do rrëfejmë tregon se mors ka mjaftuar edhe për një lidhje sentimantale, dhe që sot pas kaq shumë vitesh, të shtang kur e dëgjon të treguar nga djali, Kiço, njëri nga tre fëmijët e familjes Kalaja. E kujton me shumë nostalgji, deri në detaje, dhe ka emocion kur e rrëfen atë lidhje, me protagonistë prindërit e tij: “Pa u njohur, pa u parë asnjëherë, as zërin nuk ia kishin dëgjuar njëri-tjetrit, por vetëm me kodin e alfabetit mors, ishte ai që i lidhi, i martoi, pa u ndarë deri sa jetuan”, thotë Kalaja për gazetën “Panorama.al“.

Kiço Kalaja: “Që në takimin e parë, i dhuroi mamasë unazën, me inicialet e tij KK”

“Ai mekanizëm i thjeshtë, një tasto, një kod, disa pika e vija, u bënë ‘shkesi; i tyre”, shprehet sot Kiço Kalaja, duke iu rikthyer njohjes, dashurisë së rrallë, gati të pabesueshme të prindërve të tij.

Z. Kalaja, nga Tirana në Korçë, me sinjalin mors?

Hapesire e Sponsorizuar

Mamaja, Thomaidha, ishte lindur më 1927 dhe rritur në Korçë, në një familje të thjeshtë qytetare korçare. Njihte mirë italishten, nga shkolla, gjimnazi italian që kishte bërë aty. Rreth vitit 1943, dhe menjëherë pas çlirimit, as 17-vjeçe, punoi në PTT si morsiste. E specializuar si e tillë, pasi kishte kryer disa kurse në shkollën italiane, ishte ndër më të mirat në qytet, njihej nga të gjithë. Po kështu, edhe im atë Koço, nga Gjirokastra, pas çlirimit të vendit, punonte në PTT e Tiranës. Edhe ky si morsist, ndër më të mirët në nivel kombëtar, fitues i disa konkurseve të organizuara në këtë fushë, kampion i shpejtësisë në mors në vitet 1950-1957, periudhë kjo kur kaloi si punonjës në universitet.

Një telegram, një urim dhe një shpresë pak ndryshe?

Të dy, përveç aparatit mors që njihnin mirë, punonin edhe si teleshkrues. Duke dhënë e marrë telegrame në mors me tema të ndryshme si: “Vajza lindi djalë, djali të trashëgohet, dëbora ka mbuluar vendin, nesër vjen filani ministër, etj.”, dhe në fund të çdo teksti vihej emri i personit për përgjegjësi, për saktësinë, apo ndonjë gabim në transmetim.

Nga një PTT në tjetrën, nis njohja?

Kështu, filloi një komunikimim midis tyre. Kjo u thellua më shumë, kur secili nisi ta njohë më mirë njëri-tjetrin, që në dhënie-marrje të tekstit të telegramit. Kryesisht, nga shpejtësia e transmetimit, por edhe nga mënyra e përdorimit të aparatit mors. Ata dalloheshin, nga punonjësit e tjerë, pasi ndryshe ishte dora e tyre, kuptohej menjëherë nga ajo e të tjerëve.

Nga një tasto, një mesazh, vjen propozimi?

Me kalimin e kohës, ndërmjet tyre lindi dëshira për t’u njohur nga afër dhe një ditë, im atë i thotë nënës sime ndërmjet aparatit mors, se do të udhëtonte të nesërmen për në Korçë për t’u takuar e parë nga afër. Dhe kështu veproi. Mori linjën e autobusit Tiranë-Korçë. Ka qenë dhjetor i vitit 1947.

Një takim i parë, si në filma, pranë një stacioni autobusi?

Mamaja, një vajzë e re, as 20 vjeçe kishte dalë për ta pritur, dhe në stacionin e autobusit u takuan, ia dëgjuan zërin njëri-tjetrit. Edhe pse nuk ishin parë asnjëherë e njohur. Babai e pëlqeu menjëherë dhe i kërkoi të shkonte në shtëpinë e saj, por ajo e refuzoi: “Mos eja kaq shpejt i tha”. Por, babai nguli këmbë, kam shumë kurreshtje t’ju njoh nga afër dhe atë darkë, im atë guxoi dhe vajti në shtëpinë e saj. Mamaja ishte vajza më e madhe e tre fëmijëve. Por, e rritur jetime nga i ati, që e kishte lënë të tillë, kur ajo ishte 12 vjeçe. E prezantoi si një kolegun e saj të punës, i ardhur nga Tirana. Por, gjithçka do të zbulohej shumë shpejt.

Jashtë bën ftohtë, bie dëborë, por të gjithë perreth një oxhaku shtëpie me zjarr?

Duke qenë si jashtë ishte ftohtë, të ulur të gjithë pranë dhe rreth oxhakut, mamaja zgjaste duart për t’i ngrohur pranë zjarrit, kur e ëma, i sheh një unazë në njërin nga gishtat e dorës. Mbeti e befasuar, dhe e shtyrë nga kurioziteti, ku e kishte gjetur, çfarë ishte ajo unazë në dorën e saj, e pyeti: Çfarë e ke atë unazë? Jam e fejuar iu përgjigj ajo, çka krijoi një atmosferë hutimi. Sigurisht, ndërhyri babai, duke treguar se si ishin njohur dhe se ai nuk ishte rastësisht aty. Atë natë ai fjeti në shtëpinë e tyre.

Një befasi, kështu do të ishte për të gjithë ajo lidhje?

Tashmë, lidhja e tyre ishte fakt i kryer, u pranua në familje, ndonëse në atë fillim pa dijeninë e askujt. Ndonëse lajmi, shumë shpejt u përhap në qytet, në rrethin familjar të mamasë. Por, edhe për miqësinë e ngushtë të babait, të gjithë u befasuan, nga ky vendim i papritur i tij, kur ai u shfaq i fejuar dhe me nusen në krah.

Unaza, një tjetër surprizë e përgatitur nga babai juaj?

Atë unazë babai ia kishte sjellë nga Tirana. Një histori tjetër kjo. Ajo ishte e familjes së gjyshit, e vitit 1920, me inicialet KK, emri i tij, Kiço Kalaja, kur ai ia kishte dhuruar gjyshes sime kur ata ishin njohur. Ata ia përcollën babait tim që për koincidencë mbante emrin Koço Kalaja. Babai ia dhuroi mamasë sime atë natë, pranë zjarrit dhe mamaja ime vite me vonë, kur u fejova unë ia dha gruas sime, Natasha, e cila e mban edhe sot. Atë unazë e ruajme jo vetëm si kujtim, por edhe si dëshmitare të disa brezave.

Si veproi babai, pas atij takimi, fejesës krejt surprizë?

Babai u kthye të nesërmen në Tiranë, ndërkohë që komunikimi me mors vazhdoi edhe për një farë kohe, ajo në Korçë, ky në Tiranë. Pas 5-6 muajve, erdhi dhe mamaja. Më 1948, bënë dasmën dhe morën një shtëpi me qira. Në atë kohë, babai bleu edhe një orë të madhe muri. Ishte diçka, një simbol që i lidhte ata, në oraret kur komunikonin me njëritjetrin, gjatë periudhës së njohjes. Edhe atë e kam të ruajtur.

“Përdorej” morsi në familje?

Në shumë filma të huaj apo shqiptarë ku shfaqeshin sekuenca me transmetime të alfabetit mors, ata e deshifronin fare kollaj. Në shtëpi, për diçka që nuk duhet ta dinim, ta dëgjonim ne fëmijët, kishte raste që ata komunikonin me kodin e këtij alfabeti, duke i rënë tavolinës me gishta, një mënyrë që vetëm ata mund ta aplikonin, përdornin. Për ne ishte çudi, pasi asgjë nuk kuptonin.

Gjithçka e mbajtur në heshtje, për çfarë motivi?

Për një kohë të gjatë, askush nuk e ka ditur në detaje, si e ka zanafillën njohja, dashuria e tyre. Pasi alfabeti mors, ai mekanizëm, nuk mund të ishte publik, pasi ai përdorej në vende, çështje, probeme të kufizuara, kode, komunikimi zyrtar, por edhe ushtarak, dhe me njerëz, reparte, si një profesion, ku specializoheheshin për të. Përdorimi i tij, konsiderohej, ishte edhe si një formë komunikim sekret dhe jo popullor.

Si dhe kush ju tregoi për mënyrën e njohjes së prindërve tuaj?

Për një periudhë të gjatë kohe, vite kanë ruajtur të tillë vetëm ndërmjet tyre. Edhe ne fëmijët, kur u rritëm, kishim një informacion minimal, çfarë ishte kodi, alfabeti mors, u njohëm me historinë e vërtetë të dashurisë së prindërve tanë, të rrëfyer më shumë nga mamaja. Që për to ishte një pjesë e rëndësishme e jetës.

Një histori, as në libra e lexuar?

Të gjithë, kur bëhet fjalë për histori dashurie të mëdha, i referohen librave të famshëm, filmave, ngjarjeve, aktorëve, filmave etj. Kjo e prindërve të mi, sigurisht është një një aventurë dashurie, por them krejt ndryshe, nga ato tipiket, klasiket.

Që mund të shërbente edhe për skenarin e një filmi?

Nuk mund të shprehem, se nuk i përkas kësaj fushe, por me shaka mund të them, duke e konsideruar si ngjarje të veçantë, tejet pasionante, e denjë për një skenar, aktorët e një filmi sentimental. Edhe për fatanazinë e regjizorëve, do të isha kurioz se do ta trajtonin. Një njohje, dashuri që i rezistoi kohës, një model i panjohur, një idhje e pa dëgjuar, e mbajtur mister, sekret, gjithçka në emër të dashurisë, me preotagonist alfabetin mors.

Një kod, dhe shumë dashuri?

Një pasion, një dashuri që nuk lindi nga rrethana të njohura, mjedise publike, skena, apo filma. Por, nga e trokitura e një tastoje, nga disa gërma, pika e vija, një kufje, një shirit letre. Mjaftonin këto për të krijuar, shkëmbyer fraza të bukura, falë atyre shenjave, një gjuhe komunikimi krejt e veçantë, jo normale, e panjohur në një raport, marrëdhënie e tillë sentimentale. Gjithçka në heshtje, pastaj kurioziteti, dëshira për t’u parë e takuar nga afër.

Një jetë, nga njohja deri në ndarje me kujtimet e një pike, vije?

Nuk e lanë asnjëherë në vetmi njëri-tjetrin, gjithmonë bashkë. Babai, u nda shpejt nga jeta, në vitin 1983, pas një ataku kardiak, ndërsa mamaja, më 2013. Bisedonin, duke e treguar edhe si një mesazh për ne fëmijë, historinë e komunikimeve të para. Ruaj, një aparat të alfabetit mors, të cilën prinderit e mi e mbanin edhe si një kujtim të atij fillimi, të njohjes, dashurisë së tyre. Gjithashtu, edhe një kod, me të gjitha të dhënat, shenjat, por asnjë nga ne fëmijët, nuk e mësoi, pasi u shkolluam në të tjera profesione.

Vite pune bashkë, por jo vetëm?

Shumë vite të punës së tyre i kaluan bashkë në PTT, në atë sektor të transmetimit duke ruajtur konsideratën për kolegët, dhe sa herë që takoheshin, ndanin, i riktheheshin çasteve, kujtime nga më të ndryshmet dhe më të bukurat me ta. Pa harruar çiftin Omer dhe Bibika, kolegë dhe miq të tyre. Profesionin e morsistit nuk e harruan asnjëherë edhe pse im atë ndërroi punë më 1957, duke punuar në administratën e Universitetit të Tiranës.

Nga rryma tek ora mekanike, cilat janë fillesat e alfabetit mors

I njohur si alfabeti mors, nga emri i ideuesit, fizikantit amerikan Samuel Morse, falë një komunikimi me një sistem elektrik telegafik. Si një nevojë e shpejtë komunikuese, një metodë për të transmetuar, komunikuar me gjuhën e impulsve elektrike dhe në heshjtje.

Ishte viti 1937, kur alfabeti mors u shfaq për herë të parë, shoqëruar me një kod modern ndërkombëtar. Sistemi mors për telegrafinë u përdor për herë të parë rreth vitit 1844, me një shirit letre, ku merreshin rrymat elektrike. Marrësi telegrafik original i morsit përdori një orë mekanike për të lëvizur shiritin e letrës. Kur u mor një rrymë elektrike, një elektromagnet përfshiu një armaturë që shtyu një majë shkruese mbi shiritin e letrës në lëvizje, duke bërë një dhëmbëzim në shirit. Kur rryma u ndërpre, një sustë tërhoqi majë shkruesen dhe ajo pjesë e shiritit lëvizës mbeti e pashënuar. Kodi mors u zhvillua në mënyrë që operatorët të mund të përkthenin dhëmbëzimet e shënuara në shirit letre në mesazhe me tekst.

Në hartimin e tij më të hershëm për një kod, Morse kishte planifikuar të transmetonte vetëm numra dhe të përdorte një libër kodesh për të kërkuar secilën fjalë sipas numrit që ishte dërguar. Sidoqoftë, kodi u zgjerua shpejt nga Alfred Vail në 1840 për të përfshirë shkronja dhe karaktere të veçanta, kështu që mund të përdoret në përgjithësi. Vail vlerësoi shpeshtësinë e përdorimit të shkronjave në gjuhën angleze duke numëruar tipin e luajtshëm që gjeti në shkronjat e shtypit të një gazete lokale në Morristown, Nju Xhersi. Shenjat më të shkurtra quheshin “pika” dhe ato më të gjata “viza”, dhe shkronjave të përdorura më shpesh iu caktuan sekuencat më të shkurtra të pikave dhe vijave.

Ky kod, i përdorur për herë të parë në 1844, u bë i njohur si kodi i linjës fikse mors, kodi amerikan mors ose hekurudhor mors, deri në fund të telegrafisë hekurudhore në SHBA në vitet 1970. Kodi ndërkombëtar mors kodon 26 shkronjat bazë latine “a” deri në “z”, një shkronjë latine të theksuar (é), numrat arabë dhe një grup të vogël shenjash pikësimi dhe proceduriale (prosigns). Nuk ka dallim mes shkronjave të mëdha dhe të vogla. Çdo simbol i kodit mors është formuar nga një sekuencë “dits” dhe “dahs”.

Meqenëse shumë gjuhë natyrore përdorin më shumë se 26 shkronjat e alfabetit latin, alfabetet mors janë zhvilluar për ato gjuhë, kryesisht nga transliterimi i kodeve ekzistuese. Përdorimi modern vazhdon, pjesërisht, si një mënyrë për të komunikuar duke ruajtur heshtjen. Pas disa ndryshimeve të vogla, kodi ndërkombëtar morse u standardizua në Kongresin Ndërkombëtar të Telegrafisë në 1865 në Paris dhe më vonë u bë standard nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU). Specifikimi origjinal i kodit mors, i kufizuar kryesisht për t’u përdorur në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, u bë i njohur si kodi amerikan mors, tani përdoret rrallë, përveç në rishfaqjet historike./Panorama