Ish-bosi i Ferrarit, ka dhënë një përditësim mbi shëndetin e ish-kolegut të tij, dhe mikut të ngushtë Michael Schumacher

Ish-bosi i Ferrarit dhe i FIA-s, Jean Todt ka dhënë një përditësim mbi shëndetin e ish-kolegut të tij dhe mikut të ngushtë Michael Schumacher.

Schumacher – i cili fitoi shtatë kampionate botërore në Formula 1 – ishte i përfshirë në një aksident tragjik në skijim në dhjetor të vitit 2013 që e la atë në një komë të induktuar mjekësore dhe dhjetëvjetori i aksidentit po afrohet më 29 dhjetor.

Sportisti gjerman është nën kujdes nga një ekip personeli mjekësor dhe nga gruaja e tij Corinna në shtëpinë e tyre afër Liqenit të Gjenevës, por pak është bërë publike mbi gjendjen e tij, shkruan DailyMail.

Tani Todt – i cili ishte shefi i ekipit të Ferrarit kur Schumacher fitoi pesë tituj botërorë radhazi midis viteve 2000-2004, përpara se të shërbente si CEO i tij deri në vitin 2008 – ka dhënë një perspektivë të rrallë mbi gjendjen e Schumacherit.

“Michaeli është këtu, kështu që nuk më mungon”, tha Todt për L’Equipe.

“(Por ai) është thjesht jo Michaeli që ai ishte më parë. Ai është ndryshe dhe udhëhiqet mrekullisht nga gruaja dhe fëmijët e tij që e mbrojnë atë. Jeta e tij është tani ndryshe dhe unë kam privilegjin të ndaj momente me të. Kjo është e gjitha që mund të thuhet. Fatkeqësisht, fati e goditi atë dhjetë vjet më parë. Ai nuk është më Michaeli që ne njihnim në Formula 1”.

Hapesire e Sponsorizuar

Schumacher është një ndër shoferët më të suksesshëm të F1 të të gjitha kohërave, duke fituar titullin botëror në vitet: 1994, 1995, 2000, 2001, 2002, 2003 dhe 2004.

Familja e Schumacherit mbetet shumë mbrojtëse e privatësisë së tij dhe kuptohet se shumë nga miqtë e tyre të afërt janë të pasigurt për gjendjen e shëndetit të tij.

Megjithatë, në dokumentarin e Netflix “Schumacher”, i cili u trasmetua në vitin 2021, Corinna ofroi një përditësim të rrallë. Ajo zbuloi se ai vazhdoi të nënshtrohej në rehabilitim për lëndimet që i ndryshuan jetën që ai pësoi dhe pretendoi se ai tani është ‘ndryshe, por këtu’.

Komentet e Todt mbi Schumacherin vinë pasi ai javën e kaluar mbështeti sfidën ligjore të Felipe Massa për titullin e vitit 2008.

Massa dëshiron të shkojë në gjykatë për të sfiduar një ‘konspiracion’ të pretenduar që ai pretendon se e ka privuar atë nga titulli atë vit, i cili u fitua nga Lewis Hamilton për McLaren.

Duke folur për median italiane La Stampa, Todti, 77 vjeç, pretendoi se Grand Prix i famshëm i Singaporit atë sezon ishte ‘i inskenuar’ dhe do të kishte qenë më mirë të ishte anuluar. /Telegrafi/