Ish-gardiania e burgut:, Si e njoha Nexhmije Hoxhën tek “313”-a, Më këshillonte shpesh: Ik nga ky vend!

Vera Picari është nga ato zonja që ka bërë çdo gjë në jetë për të mbajtur të gjallë familjen e saj. Sakrifica nga ato që dinë ti bëjnë vetëm nënat.

Ka pasur në jetë raste dhe vështirësi të ndryshme, ama kurrë nuk është dorëzuar.

Sot punon dhe jeton mes Londrës-Italisë dhe Tiranës.

Përveç punës së saj të përditshme, pasioni i Verës sot e mot është i lidhur ngushtë me muzikën. Për “Report Tv” ish gardiania e burgut dhe sot këngëtarja e hareshme Vera Picari kujtoi vitet kur punonte si gardiane burgu.

“Isha 19 vjeçe kur u bëra gardiane burgu! Baba kishte folur për këtë punë, unë u gëzova shumë kur më dha lajmin.

Nuk e di pse u gëzova, por u gëzova dhe e prita mirë! Burgun 313 e kisha pranë shtëpisë, nuk më shkonte kurrë në mendje të punoja atje! Ishim katër gardiane gra që punonim sipas turnit.

Është diçka e vështirë, qëndron mbyllur e izoluar në burg, megjithëse është puna e tillë. Te burgu 313 fillova si gardiane burgu deri në vitin 1993, pastaj ika në Itali”, u shpreh ajo për punën e saj të parë.

Te 313 iu desh të qëndronte pranë të vesë së ish diktatorit.

Hapesire e Sponsorizuar

“Për Nexhmije Hoxhën më vinte keq. Kishte ditë që flisnim, komunikonim, kishte ditë që nuk flisnim fare. Ajo ankohej shumë për vetë faktin se mosha e saj nuk duhet të ishte atje në atë burg, ishte padrejtësi.

Shpesh herë kërkonte përgjigje prej meje. Megjithëse shpesh herë në shtëpi nuk kishim, mamaja e ndante vezën në tre-katër pjesë, prapë për Nexhmijen më vinte keq, e kam ndihmuar atë vetëm për njerzillik!

Për shkak të kushteve të ndryshme, kur ftohej ca çaji që i sillja, ajo mërzitej. Më thoshte shpesh herë ik nga këtu. Në atë kohë po në atë burg ishte edhe Ramiz Alia, Fatos Nano dhe Hekuran Isai”, tha këngëtarja Vera Picari.

“Jam e lidhur me Shqipërinë, jo vetëm për familjen por edhe për muzikën që krijoj, sidomos tabanin”, përfundon ajo.