Ish-sekretari i kabinetit të Nolit, që përfundoi magazinier

Me rastin e 122-vjetorit të lindjes, Muzeu Historik Kombëtar kohë më parë solli fakte të jetës dhe veprimtarisë së Sejfulla Malëshovës, ish-sekretar i kabinetit Nolit.

Malëshova ishte ndër komunistët e parë, përkthyes dhe letrar shqiptar. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali në kolegjin “San Demetrio di Corona”. Ai bashku me mikun e tij Odhise Paskalin, botoi revistën Studenti Shqiptar, në të cilën i publikoi edhe vjershat e tij të para.

Më pas ndoqi Fakultetin e Mjekësisë në Romë. Në gjysmën e dytë të vitit 1924, ishte kryesekretar i kabinetit të qeverisë së Fan Nolit. Pas dështimit të Lëvizjes së qershorit emigroi në Bashkimin Sovjetik. Më 1926-1930 ndoqi universitetin Lemonosov të Moskës për filozofi.

Nga kryesekretar i kabinetit të Nolit, magazinier në Fier.
Në qershor të 1928 seksioni ballkanik i Kominternit miratoi formimin e një partie komuniste në Shqipëri. Malëshova qe pjesë e programit për të përkthyer tekstet, në bashkëpunim me Llazar Fundon dhe Fan Nolin.

Në vitin 1931 bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ndërsa dy vjet më pas u emërua pedagog në universitetin ku kishte studiuar. Në vitin 1934 pranohet në Komintern dhe me këtë detyrë kthehet më 1943 në Shqipëri dhe zgjidhet anëtar i Shtabit të Ushtrisë NAÇL dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit. Më 1944-1946 anëtar i KANÇ-it.

Viti 1944 e gjeti në krye të detyrës së ministrit për Shtypin, Propagandën dhe Kulturën Popullore. Më 1946-50 u zgjodh deputet. Më 1946-48 qe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Malëshova më 1946-47 ministër i Arsimit si dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Pas kësaj u denigrua vazhdimisht për pikëpamjet e tij “oportuniste” dhe u dërgua të punojë punë të ulta. Prej vitit 1956 u vendos në Fier, ku punoi si magazinier. Sejfulla Malëshova u nda nga jeta më 11 qershor 1971./Observerkult

Hapesire e Sponsorizuar