KINEMA “LLUKS” – NJË TJETËR OBJEKT I MUNGUAR PËR KORÇËN.

KINEMA “LLUKS” – NJË TJETËR OBJEKT I MUNGUAR PËR KORÇËN.

Nga Klodi Stralla

Qytetet, kudo në botë, ndryshojnë e evoluojnë; prishen ndertime të vjetra e ndërtohen të reja; hapen rrugë të gjera e ndërtohen parqe e kënde lojrash për fëmijë. Por ata që dinë më shumë se ne, këshillojnë që të tregojmë kujdes për të “vjetrën”, sidomos për ato objekte apo mjedise që lidhen me historinë e qytetit, që është edhe kujtesa historike e tij.

Është shumë e vështirë të gjesh qytet tjetër të Shqipërisë, ku të jenë aq dendur sa në Korçë, në dy anët e një bulevardi rreth 200 m (dikur i quajtur bulevardi “Shen Gjergji”), objekte historike që përbëjnë “shtyllën kurizore” të trashëgimisë të qytetit:

Kur ecën bulevardit, me fytyrë nga Morava, në të majtë, ish katedralja monumentale e Shën Gjergjit (sot e rafshuar) dhe karshi saj, shtepia historike e flamurit (edhe kjo e rafshuar); pak më sipër, ndërtesa e Bashkisë (Pallati i Kulturës), një godinë e stilit italian dhe përballë saj, Hotel Pallasi (Krimeja), e një stili aq të veçantë e mbresëlënës; pak më tutje shtëpia historike e Kosturëve dhe kinema “Lluksi” (sot të dyja të rafshuara) dhe përkarshi tyre, ndërtesa aq e veçantë per nga stili e Tashko Ilos; për të vazhduar më lart me godinën e Mësonjëtores të parë shqipe, e përkarshi saj, shtëpia historike e Themistokli Gërmenjit; pak më sipër, dyqani i Bopit, e përkarshi ai i Rakos, ndërtime që dëshmonin vitalitetin në shpërthim të borgjezisë tregetare korçare.

I gjithë ky kompleks historik kulmonte me Monumentin e Luftëtarit Kombëtar, me pushkën në dorë e sfond malin madhështor të Moravës, sikur donte t’i thosh vizitorit të huaj që ky qytet të prêt me krahë-hapur nëse vjen si visitor dashamirës dhe me pushkë nëse vjen si pushtonjës.
Ndonse disa prej objekteve që permenda më lart ende janë gjallë, dora e njeriut të paditur e dashakeq të kohës të komunizmit, ka bërë punën e vet gjymtuese e dëmtuse.

Viktime e saj është edhe kinema “Lluks”. Ishte e dyta kinema e qytetit, pas kinema “Majestik”. E ndërtuar aty nga vitet 1920, e stilit italian, me dritare në fasadë, shumë funksionale, tipike e kinemave të qyteteve të vogla italiane të kohës, por me shumë konfort e funksionalitet. Aty janë luajtur filmat e parë “pa zë” në qytetin e Korçës. Mbas lufte, aty u bënë edhe disa gjyqe politike ndaj “armiqve” të popullit.

Nuk jam i sigurt per vitin, por një zjarr i çuditshëm (thuhet i qëllimshëm) e rafshoi krejt dhe sot i është haruar edhe kujtimi.

Hapesire e Sponsorizuar