Kleriku që tregoi në Perëndim torturat e regjimit komunist

(Kimza) (1878-1960) ishte meshtarët e parë katolikë të dënuar nga regjimi. I lindur në Gjakovë dhe i shkolluar në Kolegjin Saverian të Shkodrës që prej vitit 1905 që meshonte 27 vjet në dioqezën e Lezhës dhe 13 vjet të tjera në Kalivarë e Abaci.

U arrestua më 2.8.1945, në moshën 67-vjeçare, i akuzuar në bazë të nenit 1 të ligjit mbi sabotatorët e luftës dhe neneve 15, 18, 19 të ligjit mbi organizimin e gjykatave ushtarake. U përfshi në një proces së bashku me 22 shtetas të tjerë nga fshatra të ndryshme të Mirditës, Dukagjinit, Shkodrës, krejt pa lidhje me njëri-tjetrin. Një ndër oficerët pyetës të grupit të arrestuar ishte Bardhok Biba. Hetimet i zhvillonte shtabi i Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit.

Procesi synonte përfshirjen e një kleriku në dënime masive me “argumentin” se gjatë luftës i kishin penguar e luftuar partizanët e pas lufte do organizonin një kryengritje në janar 1945. Gjyqi është i lidhur keq e pa bosht. Është shumë e vështirë të kuptosh synimin e atyre që po dënohen. Nga zhvillimi i gjyqit kuptohet se kleriku prej 12 vjetësh shërbente në Kalivarë të Mirditës. Ai deklaroi përpara gjykatës se Gjon Marka Gjonin e njihte, sepse ai i blinte rakinë. Deklaroi botërisht se nuk ishin thënie të tij deklarimet e marra në hetuesi, duke bërë në këtë mënyrë që të dështojnë gjithë sajesat komuniste për këtë ngjarje. Për pjesëmarrjen e Atë Anton Harapit në Këshillin e Naltë deklaroi se ishte kundër veprimit, porse atje e zgjodhi populli e nuk shkoi me dëshirën e vet.

Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Qarkut të Shkodrës i përbërë nga toger Mustafa Iljazi, kapiten II Namik Qemali dhe Pjetër Daragjati, në prani të prokurorit Aranit Çela, me vendimin e datës 4.10.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet burg e punë të detyruar, heqjen e të drejtave politike dhe sekuestrimin e pasurisë. Dënimin e vuajti në Burgun e Shkodrës. Prej këndej u nis edhe në kampet e punës së detyruar të Bedenit e Maliqit. U lirua nga burgu më 2.8.1951 në moshën 73-vjeçare. U vendos në Kalvarë.

Arratisja dhe kallëzimi i torturave

Dy vjet pas lirimit, në vitin 1953 duke nuhatur se do arrestohej sërish, me ndihmën e luftëtarëve antikomunistë u arratis në Jugosllavi e prej andej në Perëndim. Ai u tregoi të gjithëve mbi gjendjen e keqe në Shqipëri, vuajtjet e popullit e klerit, krimet e qeverisë komuniste, si dhe gjendjen e të burgosurve e të internuarve. Në Perëndim, ai bëri publike torturat që përdorte regjimi komunist. Sipas dëshmive së tij të botuara nga gazeta “Shqipëria”-organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, Nju-Jork, 30 shtator 1955, torturat e përdorura ishin:

-Jeleku (variant i pjekjes së qengjit në hell, por me dallimin se këtu vihej në provë durimi e nuk kishte zjarr).

Hapesire e Sponsorizuar

-Mbyllja në banjë, ndërsa vetë ai kish ndenjur 12 orë në një rast (varianti i birucave të mëvonshme).

-Ngulja e të burgosurve mbi hunj, 1 metër larg tokës, duke i lënë me orë të tëra në të ftohtë apo në vapë.

-Mbushja e qelisë me ujë.

-Moslejimi për të dalë në banjë, gjë që shkaktonte urinime të tyre dhe ndotje të qelive.

-Vendosja e vezëve në sqetulla.

-Futja e maceve brenda pantallonave e goditja nga jashtë me shkop, në mënyrë që të kryhej një gërricje e padurueshme.

-Shtrirja me shpinë në dysheme dhe vendosje e një tavolinë të rëndë.

-Futja e spicave të pishës ndër thonj, duke i ndezur më pas me zjarr.

-Çarja e lëkurës në gjunjë e vende me kërce e vendosja e papastërtive aty ose kripë. Këtë torturë e kishin bërë mbi Imzot Gjergj Volajn dhe Ipeshkëv Frano Gjinin.

Vdekja dhe xhiroja e fundit në det

Dom Nikolla vdiq në Romë në vitin 1960 në moshën 82 vjeçare. Duke menduar se varrosja e një të vdekuri në vendin e tij nuk mund të refuzohej, autoritetet italiane trupin ia sollën me anije për ta varrosur në Shqipëri. Regjimi kurrsesi nuk pranoi sepse “armiku” mbetej përjetësisht i tillë. Anija u kthye nga erdhi./Kujto.al