Kolë Idromeno, kjo figurë emblematike, që i dha qytetit të Shkodrës aromë bukurie qytetare evropiane

84 vite më parë ndërronte jetë mjeshtri i pikturës shqiptare, Kolë Idromeno.

“Kjo figurë emblematike, jo vetëm i dha qytetit të Shkodrës aromë bukurie qytetare evropiane, po hapi rrugën e zhvillimit të artit pamor modern shqiptar”, shkruan DRTK Shkodër në një publikim online, në nder të Idromenos.

I vlerësuar si themeluesi i pikturës realiste shqiptare, Kole Idromeno njihet gjithashtu si arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor. Mban titullin “Piktor i Popullit”.

Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, në 1919. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.

Kolë Idromeno rrjedh prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë. Në moshën 16-vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj.

Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”./atsh

Hapesire e Sponsorizuar