Lajthit gazeta në Athinë, i bën edhe Shkodrën e Lezhën, greke

Një prej zbulimeve më të rëndësishme arkeologjike të viteve të fundit në Shqipëri, është nxjerrja në dritë e rrënojave të një qyteti antik pranë Bushatit në Shkodër.

Arkeologët polakë dhe ata shqiptarë kanë gërmuar për disa vite, duke arritur të zbulojnë pjesë të rëndësishme të qytetit antik ilir, që besohet se është “Bassania”, një qytet i përmendur në lashtësi por vendndodhja e të cilit ka qenë gjithnjë mister.

Por çudirat nga fqinjët tanë jugorë duket se nuk kanë të sosur. Një medie shumë e njohur greke në gjuhën angleze, por e njohur edhe për qëndrimet ekstremiste ndaj shqiptarëve “Greek Reporter”, pretendon se edhe ky qytet është me origjinë greke.

“Disa tipare të qytetit antik sugjerojnë një lidhje greke. Mbrojtjet e vendbanimit janë tipike helenistike. Arkeologët gjetën një portë të rrethuar nga dy bastione të mëdha dhe muret e qytetit do të kishin qenë më shumë se tre metra të gjera”, shkruan media greke.

Gazeta greke shkon edhe më tej duke e quajtur Lezhën antike, Lissios si qytet grek.

“Sipas historianit të lashtë grek Diodorus, Lissos aty pranë u themelua nga Dionisi i Sirakuzës në 385 para Krishtit. Sirakuza ishte një qytet i lashtë grek në Siçili. Dionisi thuhet se ka themeluar qytetin si pjesë e një strategjie për të siguruar tregtinë e Sirakuzës përtej detit Adriatik”, shkruan kjo gazetë greke.

Qyteti antik i Bassania-s njihet kryesisht për historianët modernë përmes shkrimeve të historianit romak Livi. Ai përshkruan se si, në vitin 168 para Krishtit, mbreti ilir Genti rrethoi Bassaninë gjatë Luftës së Tretë Ilire.

a.c./dita

Hapesire e Sponsorizuar