Lasgush Poradeci: Se s’dashuronja – as un’ as ti…

Ku shtrohet vala përmbi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.

Q’ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…
Dh’i shtinja sytë gjith përdhe –
Gjithë përdhe m’i shtinje sytë…

Po me t’u ndarë vet e vet,
Më s’kishim turp që s’kishte fjalë…
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.

Q’ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar.

Se kish kuptim, që s’kish kuptim,
Kuptim’ i fellë – i mallit t’onë;
Se malli jon’ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;

Se s’dashuronja – as un’ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi,
M’e fshehur sesa fshehtësija.

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Ku shtrohet vala”

Avatar

Na Ishte Dikur

Top Img back to top