Letra e nënës së Barbara Orgockës drejtuar E.Hoxhës

Burgosja e Barbara Orgockës në Shqipëri, solli shqetësim edhe për familjen e saj në Poloni. Ata nuk reshtën përpjekjet për ta liruar atë. Më 18.2.1971 i ngarkuari me letrat e popullit në KQ të PPSH-së, i dërgon MPB-së letrën e nënës së Barbaras drejtuar E.Hoxhës. Zëvendësministri Feçor Shehu.

Me shkrim të keq lë këtë shënim: “Kjo letër është e diktuar dhe me qëllime të ulëta. Çudi! Si nuk ia mori mendja, megjithëse të gjitha i ka bërë vetë por kontrabandën… “.

Shënon se do ta bisedonte me ministrin. Barbara këtë kohë vuante dënimin në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. E kishin masakruar fizikisht dhe shkatërruar mendërisht.

Letra:

“Shokut Enver Hoxha, sekretar i parë i Komitetit Qendror të PPSH-së.
Ju drejtohem për herë të dytë në lidhje me çështjen e vajzës sime të quajtur Barbara Gluc Orgocka, e cila gjendet në Shqipëri që nga viti 1956, e dënuar nga gjyqi shqiptar me burgim të përjetshëm, për arsye që për mua deri tani janë të paditura.

Ashtu siç ju kam shkruar dhe në lutjen e parë datë 18.8.1970, për mua është e rëndë që të pajtohem me atë që vajza ime mund të ketë kryer ndonjë veprimtari kundër popullit shqiptar. Disa herë jam drejtuar me lutje pranë përfaqësisë shqiptare në Varshavë për të vizituar vajzën time. Deri tani nuk kam marrë asnjë përgjigje.

Unë njoh nënë të cilës Hitleri, i urryeri nga gjithë bota, i liroi djalin nga burgu, ndërsa vajza ime jeton në Shqipërinë e lirë. Njerëzve të burgosur në kampet e shfarosjes së hitlerianëve u lejohej që familja t’u dërgonte pako ushqime. Kurse unë jo vetëm që nuk mund t’i dërgoj një kothere bukë, por as të shkëmbej disa fjalë me anën e letrave. Ju deklaroj se bashkëshorti im, babi i vajzës sime, ka qenë disa vjet rob lufte në kohën e pushtimit dhe unë isha e lirë t’i dërgoja pako dhe letra.

Ju lutem juve që të më jepni mua vajzën dhe fëmijët e saj, sepse ajo nuk kishte mendje fëmijësh. Edhe njëherë nuk besoj se ajo mund të kryente veprimtari armiqësore kundër popullit shqiptar në atë masë sa ajo të dënohej me dënim kam të lartë. Fëmijët e vajzës sime, që të dy të lindur në Poloni, vajza i ka regjistruar në pasaportën e saj konsullore.

Hapesire e Sponsorizuar

Ju lutem juve në mënyrë të përzemërt mbi këtë që të m’i lejojë të vijnë pranë meje në Poloni, meqenëse unë në kohën më të madhe të jetës time ia kam përkushtuar edukimit të tyre. zemra më çahet nga sikleti se unë nuk kam të drejtë në fakt as të shihem me ta.

Ju lutem të më falni që ju shkruaj polonisht, por nuk kam asnjeri që të ma përkthejë, kurse në Tiranë ka polakë të cilët falsin në radio. Ne ata dëgjojmë. Veç kësaj, për t’ju shkruar juve në gjuhën polake, nuk kam pengesa. Edhe një herë, në mënyrë të ngrohtë, ju lutem që lutjes sime t’i jepni një përgjigje pozitive”.

Në foton kryesore: Vasil dhe Barbara Orgocka/Kujto.al