Libri i hapur i qytetarisë durrsake – Katërshja magjike e nostalgjisë muzikore – nga Bujar Qesja

Libri i hapur i qytetarisë durrsake – Katërshja magjike e nostalgjisë muzikore – nga Bujar Qesja

Libri i hapur i qytetarisë durrsake
Katërshja magjike e nostalgjisë muzikore

-Magjistarët e instrumentit: Petrit Myshketa, Agron Xhunga, Genc Cara dhe Koçi Driza
-Ta prekim traditën dhe të mos e lëmë të na humbasë
-Jemi të avancuar këtu dhe për këtë duhet folur
-Disa na mungojnë, por muzika e tyre është prezente
-Është detyrim, për të mos mohuar vlerat tona

… Populli i donte. Populli edhe tani i do. Populli gjithnjë ka për t’i dashur, pasi janë pjesa e mirë e tij, bukuria zbavitëse e artit të tij, të përfaqësuar nga këto djem si të gjithë ne, por të veçantë, tejet të veçantë në mënyrën se si luanin në instrument, duke të përplasur në tapetin shpirtëror me fuqinë e magjisë të tyre…

Nga BUJAR QESJA

“Koha është flori”. E kemi dëgjuar këtë shprehje, sapo kemi hapur sytë dhe sapo kemi mprehur veshët. Por ky flori, nuk duhet të na ikë nga duart. Në këtë rast, është flori që ka dalë nga minierat e shtrenjta dhe të vlefshme të muzikës durrsake. Dhe ky flori i ka ngritur karatët dukshëm, pasi me interpretimet e instrumentistëve tanë, jemi rritur dhe jemi përkundur në magjinë e muzikalitetit shpirtëror.

Natyrisht çdo kohë, e çdo periudhë historike ka të veçantat dhe specifikat e veta. Të mos i shkoj kujt ndërmënd, se kur kujtojmë arritjet tona të djeshme, na ngacmon nostalgjia për sistemin. Kjo ska arsyje të ndodhë, apo minimumi të kuptohet kështu. Durrësi është minierë e prodhimit të vlerave të florinjta në histori, në arkeologji, në kulturë dhe art, në muzikë dhe sport, në krijimin e profilit të një njeriu të urtë, hokatar, punëtor, të ndershëm, të sinqertë, miqësor, mikpritës, bashkëpunues, që ka dëshirë të punoj, të ndërtoj, por edhe të argëtohet.

Kam në dorë një pamje nga më të bukurat, nga më befasueset. Kam në dorë një pamje nga ato që të luajnë telat e zemrës, të godasin shpirtërisht për të të gëzuar, për të të kënaqur, duke të rrethuar një mall i skajshëm, i lyer me nostalgjinë e kohës dhe i vendosur në sfondin e trashigimisë dhe vazhdimësisë.
Janë katër durrsakë të thjeshtë, por historikë në atë ç’na kanë prezantuar. Historia ka mbetur brenda mjeshtrisë së tyre, brenda artit të tyre, brenda atyre emrave që kur i përmënd edhe sot tundesh dhe brenda rritesh me njëlloj krenarie të përfaqësimit kësisoj. Qeshja e tyre, pranvera që është ulur aq ëmbël në fytyrat e tyre, shkon paralel me artin që bëjnë. Instrumenti në duar e tyre bën çudinë, duke të krijuar habinë e të bën të ndjehesh i dorëzuar, duke u kredhur në kënaqësinë e pafund të tingujve magjikë që prodhojnë. Dhe këto magjistarë të tastjerës, të telave, të tunxhit dhe rrathëve të zjarrtë të baterisë, krijojnë magji, të çojnë në ëndërra, të dorëzojnë shpirtërisht me fuqinë e artit që manifestojnë.

Hapesire e Sponsorizuar

Populli i donte. Populli edhe tani i do. Populli gjithnjë ka për t’i dashur, pasi janë pjesa e mirë e tij, bukuria zbavitëse e artit të tij, të përfaqësuar nga këto djem si të gjithë ne, por të veçantë, tejet të veçantë në mënyrën se si luanin në instrument, duke të përplasur në tapetin shpirtëror me fuqinë e magjisë të tyre.

I kujtoj unë. I kujtojmë besoj të gjithë. Sepse mënçuria qendron në besueshmërinë e vlerave të tyre, që kanë ditur të çfaqin në fund të fundit vlerat e qytetarisë durrsake. Dhe është kjo qytetari, që do ti mbajë ato përjetësisht në memorien e saj.

Petrit Myshketa. Agron Xhunga. Genc Cara. Koçi Driza. Një kuartet konkurues, një kuartet që të binëronte me fuqine e trajtimit të veglës, duke i marrë asaj 100 përqind të shpikjes. Që të katër i kam njohur. Gencin më pak, e tre të tjerët më shumë. Petrit Myshketa trashigimtar i një mbiemri të famshëm muzikantësh. Skënderi dhe Shpëtimi dhe ata skifterë të fizarmonikës. Për të kujtuar Xhanin dhe Refikun në bateri dhe për ti vënë kapakun tenori ynë madhështor Gazim Myshketa, i skenave europiane dhe botërore. Petriti punoi më ansamblin artistik të URT-së, ndonëse një amator por ishte konkurent në nivel dhe cilësi. Fizarmonika në duart e tij nxirrte “zjarr” dhe të hutonte me çudinë e tingujve.
Agron Xhunga! Arti muzikor durrsak brenda tij. Kitarist, kompozitor, drejtues i institucioneve kulturore, idhulli i rinisë së viteve 70-të. E kisha shumë shokë, disa vite edhe kolegë pune. I biri i çiftit të njohur në Durrës, veteranë dhe heronj të luftës Miro dhe Liri Xhunga. Dhe ky Agron, veç muzikës së “vogël” që bënte në formatin e orkestrinave në disa lokale të njohura në Durrës, bëri edhe muzikën e formatit të madh, duke qenë dhe mbetur krenaria dhe mburrja e jonë. Agroni bëri muzikë deri tek operetat, muzikë anketash dhe festivalesh, duke na stolisur me kënaqësinë e sukseseve të tij, që ishin në tërësi edhe sukseset tona.

Genc Cara. Virtuozi i baterisë. Është një dukuri interesante në Durrës. Ky qytet ka nxjerrë bateristë të njohur, ku i pari i tyre mbetet Qendro Koçi, apo Bebeku i famshëm. Kujtojmë me këtë rast dhe bateristë të tjerë si Hamit Cara, Refik Myshketa, Met Hushi, Joti Frank, Xhani Myshketa, Ibrahim Enesi, Bujar Karagjozi etj. Genc Cara mbetet mburrje e jona, pasi një kohë e ushtroi këtë profesion në Tiranë. Lokalet më të njohura të kohës, e kanë patur Carën tonë prezent, duke i kanaqur dhe pse jo befasur me artin e tij plot grintë.

Dhe Koçi Driza. Muzikant i formuar, por veçanërisht trompa e tij kishte një tingëllim të veçantë. Ishte arti i rrallë i këtij zotërije të tunxhit, që të humbisje brenda rrjetit të dëndur të tingujve. Në estradën profesioniste, në trupat e mirfillta amatore, në shumë mjedise publike ka vendosur autoritetin e tij instrumentisti shembullor Koçi Driza. Koç Driza din të bëj muzikë. Koç Driza vazhdon ende të bëj muzikë.

Mrekullia i këtij kuarteti muzikantësh, është mburrje qytetare e jona. Kjo foto është bërë pa ditur kurrsesi asgjë, që një ditë një bashkëqytetari i tyre, me 15 tetor 2021 do të ndërtonte një shkrim, që shoqërohet nga emocione të pafund, duke qenë plotësisht i dorëzuar para artit që krijonin.
Dhe kjo është historia e jonë. Kjo është qytetaria e jonë, qytetaria jonë mburrëse.

Është dhe mbetet qytetaria durrsake.
Durrës : 15 tetor 2021