“LORETA E BUKUR” – Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka

LORETA E BUKUR.

-Duhet ta mbash optimiste gruan,asnjë çast mos e lerë të bjerë në depresion. Ti e di që ajo vuan prej tumorit,por që nuk duhet ta mësojë diagnozën e saktë. Ndërsa në spital s’ka pse rri më. Barra e shëndetit të saj tani e tutje është mbi ty,-kaq i tha mjeku,që këto dy javë u përkujdes për shërimin e Loretës,pas një operacioni të vështirë në pankreas.

Vasili i shokuar nga sëmundja e bashkëshortes sikur u godit sërish pas këtyre fjalëve. Duhej të mbante optimiste Loretën! Po si,kur ai për vete ishte i rrënuar? U erdhi sëmundja si vetëtima në qiell të pastër. Kujtoi rutinën e ditëve para operacionit. Bënin një jetë modeste. Të dy në pension,me pagesa gati lëmosha,po e shtynin muajin duke u ushqyer nga pak,ashtu si zogjtë. Djali i vetëm punonte prej vitesh në Greqi. Aty u martua,u bë me dy fëmijë e jeta u tregua pak koprace me të. Sa rrogë merrte bashkë me gruan ia përlanin faturat e jetesës. Ndonjëherë niste 100 euro për prindërit.

Por rrallë,ndonjëherë. Dhe kaq,më tej bujarinë e shprehte në skype. Duke folur me pensionistët e mij,siç i quante e duke u nxjerrë gjyshërve në ekran dy fëmijët e vegjël. Shkurt një jetë me varfëri,por me ngrohtësi,me buzëqeshje.me dashuri. Në këtë stuhi që erdhi Vasili duhej të bënte optimiste Loretën! Po si,me ç’lekë,me ç’prona,me ç’të ardhura? Iu duk sikur i ra globi mbi shpatulla. Por e mblodhi mendjen. U fut në taksi pasi rehatoi brenda të shoqen e po ecnin drejt shtëpisë.

Në makinë qetësi,dëgjohej lehtë muzika e radios. Sa kaluan urën e Lanës te Tirana e Re u dëgjuan tingujt e këngës:”Të dua,o det!” E Vasilit iu kujtua një verë e largët kur me Loretën bënë pushime në Golem dhe atje e dëgjuan për herë të parë këtë melodi. I erdhi në fytyrë ajo kënaqësi e Loretës ballë dallgëve dhe ofshama e saj:

-Ah,të kisha jo një shtëpi,po një kasolle në bregdet pa le të vdisja!
I brofi fjala e doktorit,bëje optimiste. Ndaj nuk priti:
-Loreta,kam blerë dje një apartament në Golem! Si harova të ta thoja,moj?!
Ajo e palëvizur deri atë çast u kthye vrik nga ai:
-Vërtet? Po me ç’lekë,me pensionin tonë mjeran? -gati u tall.
-Me telebingo,-ia futi jo dhe aq kot.

Se Loreta e dinte që ai blinte bileta çdo javë. Bli,bli se qenin e ngordhur do fitosh,tallej ajo duke perifrazuar nga një film popullor.
-Ashtu?-u gjallërua ajo.
Dukej që e besoi. Se u ngrit befas,sikur e shtyu një energji e fshehur. Donte të dinte më shumë,por Vasil ziu nuk dinte si ta vazhdonte më tej lojën.
-Flasim më vonë,-i tha.
-Jo,tani,tani,-ngulmoi Loreta.

Qe me fat,mbërritën te shtëpia. Vasili rregulloi gruan në krevatin e dhomës së tyre,afroi një karrike atje dhe kur do i thoshte se çfarë të gatuante për të ajo e pyeti:
-A më çon dot nesër në Golem? Të shoh shtëpinë,detin,të ndjej dallgët? Të lutem,o zemër!
-Ok,por ta lemë pas ca ditësh më mirë se do e lyejnë bojaxhinjtë,-i tha ai.
Loreta u bind. I kishte rënë një nur kënaqësie dhe qetësie. Por heshti vetëm ca minuta se më pas ia filloi prapë te fiksimi i saj:

Hapesire e Sponsorizuar

-A dëgjohen dallgët deri te apartamenti ynë?
-Po,po,dëgjohen,por jo ato të lehtat.
-Po nga ballkoni …
-S’ka ballkon shtëpia atje,ka dy dritare. Një te dhoma e një te kuzhina.
-Ah,sa bukur! Do gatuaj me kripën e detit dmth…

Vasili gati po e besonte dhe vetë që paskësh blerë shtëpi në Golem. I dukej sikur afrohej te xhami i dritares e kënaqej me horizontin blu. Por erdhi shpejt në vete. Ndezi tv e,sa do shkonte matanë të bënte gati diçka për të ngrënë,dëgjoi Loretën:

-Transmetoka beter ky digitalbi,shih sa turbull e ka figurën! Veç ca ngjyra dalloj se për hollësira s’bëhet fjalë.
Vasili pa nga tv,figura qe e pastër kristal. Iu kujtua mjeku,do i humbë shikimi dita-ditës,i tha. U përlot,iu këput zemra,u mbajt te karrikja,por i dha fuqi vetes. Duhej optimizëm,ky është ilaçi,qe porosia.
-E rregullojmë nesër. Do pak muzikë?

Loreta nuk foli. E kishte zënë gjumi. Qe përhumbur nga qetësuesit. Vasili mori në cel Ilirin,baxhanakun. Ai qe mësues vizatimi,por dhe pikturonte. I tregoi që te dhoma e çunit të hiqnin krevatin e tij dhe një dollap të vogël e te muri të pikturonte një fragmente deti. Pa shumë detaje,veç breg ngjyrë blu e thekur e shkumë të bardhë dallgësh.

-Por duhet ta mbarosh nesër,-e porositi.

Pastaj dita u mbyll me biseda për apartamentin,mobilimin e saj dhe si do e kalonin kohën. Kur do zgjoheshin,kur do bënin shëtitje në breg,kur do fusnin këmbët në ujë,kur do notonin pas muajit maj. Dhe më tej fantazia ia kaloi fantazisë. Pa në verë do vinin fëmijët nga Greqia,pa do u mësonin atyre notin,pa do gjuanin peshk e do shihnin të gjithë bashkë perëndimin e diellit. Mes këtyre ngazëllimeve uruan njëri-tjetrin:

-Natën e mirë!-i tha Vasili.
-Natën e mirë,o deti im,-u përgjigj Loreta.

Të nesërmen Iliri e mbushi me det faqen e murit te dhoma e çunit. Sa hapej dera të ngulej në sy një det pak i trazuar dhe ca dallgë kreshpëroshe që krijonin emocion. Vasili u kënaq. Gati e besoi që kishte bujtur Golemi te shtëpia e tij. Me këtë gaz shkoi te dhoma e njoftoi Loretën:

-A je gati për në det? Nisemi për Golem?

Loreta nuk foli,shtriu duart drejt Vasilit. Më merr dmth. Ai e përfshiu në krahë,zbriti shkallët me të,e vuri te sedilja e taksisë,bënë një xhiro rreth lagjes,u kthyen,e mori sërish hopa e u fut prapë në shtëpi. Por nuk e çoi te krevati,e vendosi te një kolltuk ballë murit-det e nga celulari lëshoi zhurmë dallgësh. Pa nga Loreta. Nuk e besoi tronditjen e ëmbël që mori. Sikur veshi një shëndet rinie. U mbështoll me një të kuq të lehtë dhe me mollëza të kërcyera. Vasilin e përfshiu lumturia e nuk u pendua për këtë mashtrim të bardhë. U ul dhe vetë pranë saj deri sa nisën lojën e tyre të lashtë,të gjuajnë me gurë në det. Në fakt ai i jepte ca fiq të thatë e Loreta i pandehte peta guri që fluturonin mbi dallgë. Pas ca kohësh atë e zuri gjumi. Vasili e rehatoi në krevat e të nesërmen kur po mbaronte efekti i qetësuesve e mori hopa dhe e vendosi sërish te kolltuku.

-Ua,s’shkuam në Tiranë mo Vasil,fjetëm në Golem?-e pyeti ajo.
-Jo,jo,nuk shkuam. Tani do të banojmë këtu. Te deti,ashtu si peshqit,-i tha ai.

Zhurma e dallgëve nuk rreshte. Loreta ndjehej mirë. E kështu ditë pas dite plot kënaqësi e shlodhje.
Gjendja gjithsesi nuk po rregullohej,tumori si akrepi e kishte mbërthyer,i kishte hedhur helmin e priste efektin. Megjithëse qetësuesve iu shtua dhe deti,supermjekimi. U arrit e pamundura;Loreta nuk fliste fare për sëmundjen,Vasili jo e jo. U harruan dhimbjet,ankthet,zymtitë,stresi. Ata që merrnin në cel,miqtë e shokët,e dinin skenarin ndaj e fillonin bisedën me pyetjen:

-Loreta,si është moti andej nga bregdeti,moj?

E kështu po trokiste maji. Muaji që duhej të shëtisnin bregut. Vasili ndërroi kolltukun me një karrike me rrota. E lëvizte poshtë e lart “detit” të dhomës. Loreta qeshte dhe argëtohej nga lëvizjet,nga efektet e dallgëve dhe fliste e fliste. Kaq llafazane nuk ishte as kur qe vajzë e vogël.

-Jam shumë e lumtur Vasil,jam shumë e lum…

Iu pre fjala,s’e mbaroi,iu rrëzua koka mbi gjoks. Vasili e kuptoi. Nisi të qajë me gulçe. Lotët rridhnin e sytë i hodhi nga muri. Mes lotësh ngjyrat e murit iu bënë rrëke. Detin ato çaste po e shihte të trazuar,të egërsuar,sikur donte ta braktiste murin,të ikte nga ajo burgosje. Por s’po ia dilte të çlirohej ndaj krijoi më shumë dallgë,më shumë shkumë. U traumatizua edhe deti i Loretës,foli me vete Vasili. Përfshiu në krahë atë që për 50 vjet e mbante ngjeshur në gjoksin e në zemrën e tij. Donte ta çonte te krevati po një zë i brendshëm i thoshte,mos e lësho askund!. Celulari hapur,vazhdonte efektet. Dallgët nuk e pushonin këngën e tyre të pambarim. Tani e lëshonin si kuje valësh,si një elegji për Loretën e bukur të Golemit. Vasili mbante përqafuar Loretën. Pa lëvizur. Të dy ngurosur përballë “detit” në mur.