Luftëtari i Pavarësisë, pushkatuar pa gjyq nga komunistët

Aktiviteti patriotik i Mark Mirit si kundër pushtuesve turq, para shpalljes së Pavarësisë dhe ndaj atyre italianë, gjatë pushtimit fashist dhe fundi i tij i hidhur në komunizëm, kur u pushkatua pa gjyq dhe pa faj në masakrën e Gurëzit

Nga Ndue Hoti

Mark Mir Gjieri (1876-1946), ishte oficer rezervë në kohën e mbretërisë në lokalitetin e Gurëzit. Para Pavarësisë, mori pjesë në kryengritjen e malësorëve të Gurëzit dhe Bregut të Matit nën drejtimin e vëllait të tij, Nikoll Miri (Dëshmor i Atdheut për Pavarësi) dhe Ded Coku, më 22 qershor 1912, ku mbetën dëshmorë 17 vetë.

Mark Miri -shkruan At Marin Sirdani- vrau atë ditë 19 ushtarë turq. Ish-Presidenti i Republikës, Ahmet Zogu e ka vlerësuar kontributin e Mark Mirit për Pavarësi më 1927. Në këtë kryengritje antiturke, mori pjesë edhe vëllai tjetër Pjetër Mir Gjieri, i cila ra në fushën e betejës dhe është Dëshmor i Atdheut. Nga pala turke mbetën të vrarë 187 ushtarë.

Mark Miri bëri rezistencë ndaj pushtimit fashist 1939, kur shërbente si ushtarak në postën kufitare (skela bregdetare në limanin e Patokut) dhe drejtoi Reformën Bujqësore në kohën e mbretërisë (1935). Mark Miri mori pjesë me Rexh Deliun nacionalist në Konferencën e Mukjes më 1-3 gusht 1944. Mark Miri ishte në krahun e Abaz Kupit.

Mark Miri dërgoi tre djem nga trungu familjar në luftën nacionalçlirimtare, Gjek Miri, Frano Miri dhe Llesh Miri. Mark Miri priti më 24 gusht në Gurëz, në shtëpinë e tij, mikun e tij, Rexh Deliun, por të nesërmen, 25 gusht 1946, mikut të tij iu bë atentat sapo mori fjalën para shumë pjesëmarrësve, nga një skenar i paramenduar për të eliminuar parinë e këtij vendi të njohur si dominion i mbretërisë dhe për të nënshtruar popullin që nuk po pranonte Reformën Agrare dhe kolektivizimin e bujqësisë.

Mark Miri u arrestua në moment pas atentatit ndaj Rexhës me shumë të tjerë nga fisi i tij dhe bashkëvendas të tij. Mark Miri u ekzekutua pa gjyq më 28 gusht 1946 bashkë me vëllain e tij Zef Miri, i sapokthyer pa familjen ato ditë nga kampi i Beratit ku e kishin internuar me familjen për shkak të arratisjes nga burgu i Tiranës të djalit Frano Miri, me nipin e tij Ndue Gjergj Miri tregtar dhe një kushëri nga Tamara, Ndue Fran Rrukaj dhe me gjashtë malësorë të tjerë nga Alku, Gorreja, Gurëzi. Mark Miri është dëshmor i Masakrës së Gurëzit./Kujto.al

Hapesire e Sponsorizuar