LUTJE PËR NËNËN TIME, Poezi nga Pier Paolo Pasolini

Poezi nga: Pier Paolo Pasolini
Përktheu: Fadil Bajraj

Është e vështirë të thuhet me zërin e një djali
asaj që në zemër i ngjaj aq pak.

Ti je e vetmja në botë që e di
atë që zemra ime mbante gjithmonë, para çdo dashurie tjetër.

Për këtë, më duhet të të them çfarë është e tmerrshme të dish:
Në hirin tënd lindi ankthi im.

Ti je e pazëvendësueshme.
Dhe për këtë jeta që më ke dhënë është e dënuar me vetmi.

E unë nuk dua të jem vetëm. Unë kam një uri
të pafund për dashuri, për dashurinë e trupave të pa shpirt.

Sepse shpirti është brenda teje, ti je ai shpirt, ama ti
je nëna ime dhe dashuria jote është skllavëria ime.

Fëmijërinë time e kalova si skllav i kësaj fisnikërie,
ndjenjë e pashërueshme e përkushtimit të pamasë.

Hapesire e Sponsorizuar

Ishte e vetmja mënyrë për ta ndier jetën,
ngjyra e saj e vetme, forma e saj e vetme: tash ka mbaruar.

Ne mbijetojmë, në konfuzionin
e një jete të rilindur përtej arsyes.

Të përgjërohem, ah, të përgjërohem: mos e dëshiro vdekjen!
Unë jam këtu, vetëm, me ty, në një prill të ardhshëm …/Telegrafi