“Më tha të dua në 1 Prill”, bashkëshortja e Feim Ibrahimit rrëfen njohjen me kompozitorin

Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate”, Vera Ibrahimi ka treguar njohjen me bashkëshortin e saj, kompozitorin e madh Feim Ibrahimit. Ajo ka zbuluar se artisti i ka thënë ‘Të dua’ më 1 Prill, në Ditën e Gënjeshtrave.

Sakaq, Vera ka thënë se ajo ishte studente për Gjuhë-Letërsi dhe një shoqja e saj, e kishte pasur Feimin profesor dhe ia prezantoi.

“Njohja jonë ishte krejt rastësi. Unë Feim Ibrahimin e kam njohur nga shoqja ime më e ngushtë që kam pasur në fakultet, Elvira. Ajo ishte nga Durrësi dhe e kishte pasur Feimin profesor pianoje në Durrës, kur Feimi ishte në shtëpinë e pionerit, akoma pa ardhur në Institutin e Arteve dhe Elvira më ka prezantuar me Feimin.

Unë isha studente në vitin e parë të fakultetit për Letërsi, kurse Feimi ishte në vit të tretë të konservatorit. Pastaj filloi një miqësi fare rastësisht sepse ne i kërkonim bileta për të shkuar në opera. Krejt takime të rastësishme që kurrë nuk më kishte shkuar mendja që do të behej idhulli im.

E kuptuam që e donim njëri-tjetrin kur nuk mund të rrinim dot pa njëri-tjetrin, ishte krejt spontane. Më e çuditshmja është që ai erdhi për të më thënë që nuk mund të rrinte dot pa mua, ishte data 1 Prill, dita e gënjeshtrave.

Erdhi në konvikt, më kërkoi. Unë dola me vrap, pa e ditur se çfarë do më thoshte. Edhe aty rrugës duke ecur, duke marrë rrugën e Elbasanit për në qendër, më tha, shiko sot është 1 Prilli por unë do të them një gjë tepër të rëndësishme që unë dua të jetojë me ty”, u shpreh Vera./abcnews.al

Hapesire e Sponsorizuar