Mirush Kabashi: Mbresat me spektatorët dhe komeditë më mbreslënëse

Spektatori më kujton Sadushin te komedia “Hija e tjetrit”, Vironin tek “Ylli pa emër”, si dhe ”Apologjia e Sokratit’’

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Është një aktor shqiptar. Origjina e tij është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Nga Fadil Shehu

Mirush! Këto ditë jeni angazhuar në shfaqjen e dy komedive, njëra në Tiranë, tjetra në Fier. Çfarë motive mbartin ato?

Dua të shtoj diçka të vogël. Ndërsa shfaqja e parë titullohet “Njeriu në det”, e krijuesit të njohur italian Gigo di Kiara, një dramë-satirë, e cila është konceptuar në mënyrë moderne, duke patur elementë jo klasikë, gjë që më parë nuk ka ndodhur në teatrot tona. Shfaqja e dytë në Fier, është komedia “Sa mirë bëri që vdiq”, shkruar nga Ilir Bezhani, mendoj se është një gjetje e bukur tepër e veçantë, e cila shpreh njëfarë depresioni që ka sot shoqëria shqiptare, e trajtuar në mënyrë origjinale popullore.

Ndërsa tek “Njeriu në det”, luani rolin e Ugos, tek “Sa mirë bëri që vdiq”, luani rolin e Nokes. Si keni arritur t’i realizoni këto dy figura të kundërta midis tyre?

Është e vërtetë se këto dy figura kanë ndryshim me njëra-tjetrën. Në këto figura ishin të ndryshme bota e tyre, karakteristika, psikologjia, mentaliteti, madje dhe vetë plastika e tyre. Do të thosha se duke patur këto momente të ngarkuara me emocione, nëse do të më ishin ofruar në një kohë relativisht të shkurtër, me sinqeritet do t’i kisha refuzuar mbi bazën e ekzigjencave profesionale.

Hapesire e Sponsorizuar

Si janë vlerësuar Ugo dhe Nokja nga kritika e shkruar, kolegët dhe spektatori?

Duke dëgjuar fjalë të mira prej tyre, pa dyshim ndiej krenari e gëzim për punën e kryer. Dihet se vlera më e madhe që merr artisti në jetë janë duartrokitjet dhe urimet e spektatorit, si dhe fjalët e mira të kolegëve. Ndërsa në Tiranë, Ugo, me regjinë e të mirënjohurit Gëzim Kame, ishte i rrethuar nga kolegët e nderuar dhe të suksesshëm si Reshat Arbana, Yllka Mujo, Ahmet Pasha e Fatos Sela; në shfaqjen e Fierit, e shfaqur për mëse 10 net rresht, me regji të Ilir Bezhanit, Nokja ishte i rrethuar dhe me suksesin e aktores së merituar Hajrie Rondo (Tashmë në përjetësi), me talentin e veçantë të Fatmir Xhelilit, ngrohtësinë interpretuese të studentes Klara Shehu, përballimin e punës voluminoze të Dervish Bibës, si dhe aktorit tepër të kompletuar Agim Agolli. Pra ashtu si Ugo me aspektin e mesazhit që i takon, shqeto shqiptar, është mirëpritur tashmë nga publiku ynë dhe figura e Nokes.

Veç kënaqësisë së dhuruar, sa ju kanë lodhur këto dy role?

Nuk e kisha menduar se veç rolit tim tek “Stjuardesat”, ku pas çdo shfaqjeje, do të varja xhaketën larë me djersë, do të kisha edhe më pas të njëjtin fat. Më qëlloi dhe me Ugon të ndërroj dy palë rroba për t’i shtrydhur currile djerse. Por pashë (buzëqesh) se dhe Nokja nuk të falte. Vendosa që garderobën time në shtëpi ta shpërngulja në Teatrin “Bylis” të Fierit. Në këtë aspekt them se kur ka djersë, puna të jep frytet e veta. Tek artisti gjithçka kalohet kur në sallë, përveç urimeve e duartrokitjeve, ka dhe tufa me lule. Këto motive plot emocione po i përjetoj në të dy këto shfaqje.

Po nëse do të ishe spektator në këto shfaqje, çfarë do të vlerësoje dhe kritikoje në rolet e Mirush Kabashit?

Aktorët e mëdhenj “Nder i Kombit”, Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi.

Mund të them se një njeri e ka të pamundur për të gjykuar me pjekuri vetveten në të gjitha pikëpamjet jetësore, aq më shumë në jetën artistike. Jo rrallëherë më ka bërë përshtypje dhe pyes vetveten time, se përse më urojnë kaq shumë njerëzit? Ndoshta këtu rrezatojnë interpretimet e mia. Unë i dua njerëzit, i respektoj ata dhe te të gjithë përpiqem të vështroj të mirën. Ama, kurrë nuk do t’ia lejoj vetes të jem një aktor viktimë.

Sa ka ndikuar trupa e teatrit ”Aleksandër Moisiu” e Durrësit, në formimin tuaj profesional si aktor?

Është e vërtetë se në trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit u konsolidova dhe fitova mjaft si aktor, duke punuar për më se 23 vjet me radhë në këtë tempull arti. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur ndër vite kam patur pranë kolosët e artit durrsak, Nikolin Xhoja, Vera e Spiro Uruni, Teodor Rubi, Lutfi Hoxha, Milto Proti, Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, Vangjel Heba, Marta Burda, Spiro Strati etj.

Dhjetëra role të interpretuara në skenë e kinematografi. Cilat do të veçoje në këto momente?

Dua të them se kryesisht jam vlerësuar në role satirike, për role, të cilat kanë qenë tragjikomike në krijimtarinë teatrore, për të cilat vërtet kam bërë diçka. Këtu do të përmendja Sadushin te komedia “Hija e tjetrit”, Vironin tek “Ylli pa emër”, si dhe ”Apologjia e Sokratit’’ përshtatur dhe interpretuar nga unë, një rol ky tragjik me nuanca humoristike.

Megjithatë ju, Mirush, jeni vlerësuar në disa koncerte brenda e jashtë vendit, ku ka patur më shumë dhembje e lot sesa humor…

Këtu do të përmendja turneun unik të papërsëritshëm, ku vetëm brenda harkut të pesë muajve kemi dhënë mëse njëqind shfaqje në mjaft shtete, si në Itali, Gjermani, Francë, Angli, Danimarkë, Poloni, Çeki, Turqi, Slloveni etj. Ajo për çka njerëzit pëlqyen këtë koncert mbresëlënës, ishte përjetimi me dhembje i tragjedisë kosovare. Këtu nuk do të harroj dhe pjesëmarrjen time për herë të parë në Kosovën e lirë, në stadiumin e Prishtinës, në prani të 50 mijë shikuesve. Pra, edhe nuancat me dhembje të interpretimit tim, janë pjesë e pandarë e jetës sime artistike.

Mendoni se kohët e fundit spektatori po i rikthehet sërish traditës së viteve të mëparshme?

Me këtë pyetje ju hapët një kapitull më vete. Meqënëse në këtë intervistë po përmendet ky fakt, them se vërtet vitet e fundit spektatori ka qenë i pranishëm pothuajse në të gjitha ditët e javës. Por ajo çka lë për të dëshiruar, do të pohoja se për sa kohë ne të kemi mundësira të një fasade moderne, do të kemi të pranishëm idealizimin e Don Kishotit. Duhet që në këtë periudhë një pjesë të mirë të energjive vërtet artistike, të shkojnë kundër paaftësisë, duke ringritur arritjet dinjitoze që shoqëria shqiptare i ka sjellë me djersë e gjak deri në ditët e sotme. Megjithatë spektatori kërkon të bukurën, progresiven, dhe këtë ai e pret jo vetëm nga njerëzit e skenës, por edhe nga vetë shteti./Telegraf.al/