Monopol – nga Zef Staku

Monopol

Dëgjon o Sokol ?…
Shqipëria ësht’ monopol!….
Ndaj, mos fol !…
Ti, mos fol !…

Lëre të lutem fshatarin !…
Ka pasur gomarin ?…
Ka pasur dy dele ?…
S’ka veç një kotele ?…

Ka pasur tri dhi ?…
Mban fshehur një thi ?…
Dele, dhi, derra,
qé edhe mështjerra

s’ka më si përpara,
u ka tretur fara.
Ka pasur dhe pula,
por u humbi vula !…

Më kot ngul këmbë
e ngrin nëpër dhëmbë !…
I di dhe un’ Sokol,
s’ha bar në gjol !…

Edhe un’ shoh e ndjej,
por … rri e vërej.
Ka pasur dhe arë,
edhe një bashtinë;
tani rrezja e parë
i bije mbi shpinë

në radhë, në qytet,
ku rri e pret … e pret …
ca presh për të blerë
në fshat që t’i shpjerë.

Hapesire e Sponsorizuar

Zef Staku 🌺 Shkodër 1987