Nastradin Hoxha në kujtimet e Nasho Jorgaqit

Nga: Jovan Bizhyti

Dimë shumë histori e anekdota për Nastradinin, por askush nga ne nuk është në gjendje të thotë saktë për jetën e këtij personazhi enigmatik dhe të mistershëm. Bile, shumë kohë më parë, nuk dihej as vendi i origjinës së tij. Dikur thuhej se Nastradini ishte shqiptar, ose thuhej se ka patur shumë Nastradinë. Por, e vërteta nuk është kështu.

Nasho Jorgaqi, në kujtimet e tij nga vizita në vendin e këtij gjeniu të humorit, na sjell realitetin e origjinës dhe të jetës së këtij personazhi shumë popullor, që cilido komb, sidomos në Ballkan, ku ai njihet si personazh komik i humorit, e kanë personalizuar si banor të tyre. Nasho Jorgaqi shpjegon se ky personazh kaq i njohur ka ardhur nga Lindja dhe ka hyrë edhe në Ballkan, pa dyshim edhe në Shqipëri. Atë nuk e sollën as taborët e ushtrisë dhe as funksionarët e administratës së pushtuesve osmanë, por sipas gojëdhënave, thuhet se e kanë sjellë njerëzit e thjeshtë; ata i mësuan rrugën Nastradinit dhe ai kudo ku shkoi, u ul këmbëkryq nëpër odat e vatrat e popullit. Me mesazhet e tij, hidhte rreze drite në shpirtrat e njerëzve, humori i tij i zgjuar e popullor i ndihmonte njerëzit të talleshin e të vinin në lojë shtypësit e shfrytëzuesit, si dhe veset e padrejtësitë që hasnin në jetë.

Nastradini lindi nga mençuria dhe urtësia e popullit turk. Ai doli nga trojet e Anadollit dhe nga thellësia e atij vendi ku sundonte nata aziatike. Nasho Jorgaqi gjatë vizitës që bëri në Turqi nga fundi i viteve 1970 mësoi se: “Në mes të Anadollit, në rrugën kryesore afër qytetit Eskishehir, ishte ngritur një monument i Nastradinit, i hipur mbi gomar, po i hipur së prapthi, me veshje karakteristike orientale, me çallmë të bardhë, shallvare të kuqe, dhe me opinga e dolloma ngjyrë blu. Çdo udhëtar që kalonte andej, kjo pamje dashur pa dashur e bënte të vinte buzën në gaz”.

Disa kilometra më tej gjendej vendlindja e Nastradinit, fshati Sivrisar. Atje ishte një shtëpi pa mure, por si simbol ishte një derë e mbyllur me çelës, që mbahet si shtëpia ku ka lindur Nastradini. Turqit tregojnë se për vendlindjen e Nastradinit, hahen disa fshatra e vise në Anadoll, ashtu siç debatojnë disa qytete në Greqi për Homerin. Por, pavarësisht nga ky diskutim, një gjë pranohet nga të gjithë: në pllajat e pafund të Anadollit ku shtrihet një peizazh monoton e pak i zymtë, është trualli prej nga doli Nastradini, çuditërisht aq gazmor e aq i pranishëm në shumë vende.

“Në qoftë se për vendlindjen e tij ka shumë diskutime”, tregon Nasho Jorgaqi, “për vendin ku ka vdekur, askush nuk e kundërshton, ku qyteti i vogël i Akshehirit, ka privilegjin të mbaj varrin e Nastradinit. Dhe, populli i këtij qyteti, për të nderuar kujtimin e tij, i ka ngritur një mauzole që është një ngrehinë tipike orientale për nga arkitektura dhe zbukurimet. Pranë mauzoleut, vizitorët shohin një pllakë metalike ku shkruhet turqisht: “Dunyanim or Tahsim Burasidor”, që shqipërohet: “Këtu është mesi i dynjasë”. Pra, mesi i dynjasë a i botës qenka në atë pllakë, ku sipas legjendës është fiksuar dhe gjurma e këmbës së gomarit të Nastradinit! Në kopshtin e mauzoleut kanë ngritur dhe një sallon modest me piktura e skulptura, vepra me motive gazmore nastradiniane. Kudo shihet Nastradini me gomarin e vet, bashkudhëtarin e tij të pandarë”.

Në Akshehir e kudo në Anadoll, punon një artizanat i tërë me ndihmën e Nastradinit. Me Nastradinin dhe me gomarin e tij bëhen suvenire, punime druri artistike e punime me allçi, medaljone të ndryshme metalike dhe këto i jepen si kujtim vizitorëve e turistëve të ndryshëm që vijnë në ato anë.

Në Sivrisar dhe Akshehir, organizohen herë pas here festivale e konkurse të ndryshme humori, sesione shkencore e diskutime letraro-artistike. Studiues të vendit e të huaj bëjnë objekt të hulumtimeve jetën dhe veprat e tij të trashëgimisë, kushtuar këtij heroi komik të lindjes. Në datat 4 deri në 10 korrik të çdo viti, shkohet pranë liqenit të Akshehirit për të zënë kos, sipas barsoletës humoristike të Nastradinit. Duke filluar prej vitit 1959 e këtej, shkencëtarët, artistët dhe poetët nga të katër anët e botës nëpërmjet Nastradin Hoxhës ndajnë mes tyre pasuritë e krijimeve të tyre humoristike kulturore. Shfaqjet e valleve dhe koncertet e muzikës, ekspozitat e fotografisë, pikturave dhe karikaturave, shfaqjet teatrale dhe të filmave, mundësojnë që populli brenda këtyre gjashtë ditëve të festivalit, të përjetojnë një përvojë të ndërthurur me artin dhe artistët. Prej vitit 1959 e këtej, një numër i madh i artistëve të famshëm duke e sjellë të gjallë mjeshtrin e humorit nga Akshehiri, Nastradin Hoxhën e bartën deri në ditët e sotme tolerancën e pafundme dhe ndjenjën e thellë të humorit të tij.

Hapesire e Sponsorizuar

Nastradini, ky përfaqësues i shquar i humorit popullor, ka jetuar në shekullin XIII, në kohën e rendit të selxhukëve. Të dhënat e tërthorta burimore e legjendat, tregojnë se ai nuk ka qenë njeri i thjeshtë; ka qenë personalitet i shkolluar për atë kohë; ka bërë emër për mendjen e shkëlqyer, për zgjuarsinë e hollë dhe mbi të gjitha për humorin e mprehtë origjinal e tepër komunikues. Nëpërmjet shakave dhe gazmoreve që shpeshherë e kishin burimin në mentalitetin dhe aspiratat e popullit të thjeshtë, ai propagandonte ide të shëndosha, optimizmin për jetën, një moral laik që ndihmonte njerëzit për të përballuar realitetin e rëndë të kohës.

Mirëpo, kush ishte Nastradin Hoxha?

Ishte një dijetar popullor, i cili lindi në Eskishehir në vitin 1208 dhe jetoi në Akshehir gjithë fëmijërinë e tij. Ka kryer shkollimin në medrese, kreu edhe detyrën e imamit dhe kadiut (gjykatësit), madje thuhet se ka qenë edhe mësimdhënës në medrese. Për shkak të këtyre detyrave që kreu, me kalimin e kohës mori edhe titullin “Hoxhë”. Informatat në lidhje me jetën e Nastradin Hoxhës me kohë janë përzier me gojëdhënat popullore dhe për të thuhet se kishte veçori të jashtëzakonshme. Gomari në barsoletat e tij, në të vërtetë është simboli i qëndresës ndaj dhimbjes, vështirësive dhe urisë. Nastradin Hoxha, duke e përdorur simbolin e gomarit, njerëzve u përcillte mësime nga toleranca.

Një ditë, Nastradin Hoxha dëshironte t’u jepte një mësim të mirë fshatarëve, të cilët torturojnë kafshët e tyre me barra të rënda, ndaj ai me një thes të rëndë në supe hipën mbi gomarin e tij. Fshatarët habiten kur e shohin Hoxhë Nastradinin me thesin mbi supe hipur mbi gomarin e tij dhe e pyesin: “Si është kjo punë kështu, ti hipur mbi gomar dhe mbanë thesin mbi kurriz”? Nastradini me mendjemprehtësinë e tij, përgjigjen e ka të gatshme: “Kafsha e shkretë është duke më shërbyer ditë e natë. Pas të gjitha këtyre punëve të rënda, nuk desha ta ngarkoj edhe me këtë thes të rëndë, për këtë arsye unë e bartë thesin mbi shpinën time”! Njerëzit qeshën!

Përgjigjet me humor të Nastradin Hoxhës për ngjarjet ditore të zakonshme, kanë arritur deri në ditët tona. Edhe pse Nastradini nuk ka lënë pas ndonjë vepër të shkruar, humori i tij është transmetuar gojarisht deri në ditët tona prej shekullit XIII. Dihet se tregimi i parë i shkruar në lidhje me Nastradin Hoxhën, është shkruar në veprën e titulluar “Saltukname” të Ebul Hajr Rumiut në vitin 1480. Saltukname është një vepër e shkruar gjatë një periudhe 7-vjeçare, në të cilën janë mbledhur traditat gojore të turqve. Duke filluar prej shekullit të 16-të, barsoletat e Nastradin Hoxhës janë përmbledhur në libra të ndryshëm. Njëra prej këtyre librave më të vjetra është edhe “Hikajeti Kitabi Nastradin”, që është shkruar në vitin 1571. Botimi i parë i barsoletave të Nastradin Hoxhës është libri i titulluar, “Letaif”, që u botua në vitin 1837. Ndërsa libri i parë i ilustruar me figurën e Nastradin Hoxhës, u botua në vitin 1869. Në bibliotekat e ndryshme të botës, ndodhen gjithsej 68 libra në lidhje me Nastradin Hoxhën, ku 12 prej tyre gjinden në Turqi. Ndërkaq në ditët e sotme barsoletat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Barsoletat e Nastradin Hoxhës kaluan kufijtë e kohës, duke arritur edhe deri në Ballkan, në Azinë e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në Evropë – kryesisht edhe në Itali. Shumë barsoleta që tregohen mes popullit në Sicili, janë të frymëzuara nga Nastradin Hoxha. Shumica e popujve në Lindjen e Afërt, Lindjen e Mesme dhe Azinë e Mesme, Nastradin Hoxhën e kanë njohur dhe e kanë përvetësuar me emra të ndryshëm. Arsyeja e popullaritetit kaq të madh të Nastradinit mes popujve të ndryshëm të botës është se jeta dhe humori i tij popullor janë shtrirë në shumë vende ku ai i ka shkelur me gomarin e tij, por dhe në shumë të tjera humori i tij është transmetuar gojarisht, duke u bërë pjesë e trashëgimisë popullore.

Nastradin Hoxha në barsoletat e tij kritikon shoqërinë, individët, madje edhe veten dhe duke ofruar zgjidhje për probleme të ndryshme; ai gjithmonë e jep mesazhin e tolerancës, optimizmit, vëllazërisë dhe paqes. Me personalitetin e tij të mprehtë, Nasradin Hoxha është dijetar i përjetshëm i cili i tregon njerëzve rrugën e vërtetë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, UNESCO, vitin 1996 e shpalli si Viti i Nastradin Hoxhës dhe me këtë rast janë shtuar edhe studimet në lidhje me këtë personalitet të humorit. Ndërkaq, viti 2008 është pranuar si 800-vjetori i lindjes së Nastradin Hoxhës dhe në këtë vit u organizuan aktivitete të ndryshme. Ndërkohë, nuk duhet harruar edhe Konkursi Ndërkombëtar i Karikaturës kushtuar Nastradin Hoxhës, që organizohet çdo vit.

Një ditë, një grup njerëzish e ndalin Nastradin Hoxhën që ishte duke kaluar aty pranë dhe e pyesin se: “Ku ndodhet Qendra e Botës”? Hoxhë Nastradini largohet disa hapa prej tyre dhe shkopin e tij e ngulit në tokë dhe iu thotë:

– Ja këtu është Qëndra e Botës.

– Si është e mundur të besohet!? – pyesnin njerëzit të habitur. Ndërsa Nastradini iu përgjigj:

– Nëse nuk më besoni, mund t’a matni …

Nëse dëshironi që këmba e juaj të shkelë në “Qendër të Botës”, atëherë mund të vizitoni tyrben e Nasradin Hoxhës që ndodhet në Akshehir, ku është dhe pllaka me mbishkrimin “Qendra e Botës”. Të japim edhe një informatë tjetër për lexuesit tanë që nuk besojnë. Shoqata e Nastradin Hoxhës, në vitin 2007 ka marr – nga Instituti i Patentave të Turqisë – certifikatën ku shkruhet: “Akshehiri Qendra e Botës”.

Nga koha që Nastradini vdiq në Akshehir në vitin 1284, kanë kaluar disa shekuj, megjithatë koha tepër e gjatë nuk e ka vjetruar gazin dhe humorin e tij aq popullorë. Nastradini dhe historitë humoristike të tij janë ende të gjalla në jetën e popullit turk. Edhe sot në kohë të reja, në Akshehir dhe në gjithë trevën e Anadollit bisedohet e diskutohet shumë për historitë humoristike të Nastradinit, duke e bërë atë një figurë shumë të njohur e aktuale. Në Akshehir ka dhe një komunitet të gjerë shqiptarë, shumica e të cilëve janë me prejardhje nga Kosova. Disa prej tyre e kanë ditur se Nastradini ishte nga trojet tona, por kur erdhën në Anadoll e mësuan se ai paska qenë turk dhe jo sulltan apo pasha, por i thjeshtë, dora jonë, dhe se ajo thjeshtësi e bënte të ulej fshatçe në odat e burrave dhe bënte gaz me ta.

Kjo është historia e vërtetë e këtij personazhi legjendë, që mbas shumë shekujsh të ekzistencës së tij është ende i pranishëm edhe në bisedat tona të viseve shqiptare me shprehjet: “Gomari i Nastradinit”, “Gozhda e Nastradinit”, “Muri i Nastradinit” dhe shumë legjenda e përralla që lidhen me bëmat humoristike të këtij kalorësi që ka shkelur e ka lënë gjurmë edhe në trojet tona dhe jo siç ka qenë tradita si kalorës me kalë, por me gomarin e tij që njerëzit e përfytyrojnë të hipur mbrapsht, duke lënë pas historitë e tij të humorit popullorë që nuk janë shuar dhe sot e kësaj dite!/Telegrafi/