Një jetë e shkruar dëm e mbizotëruar nga tri arratisje, një e realizuar dhe dy që i sollën burgime. E fundit, kur ishte 72 vjeç

Një jetë e shkruar dëm e mbizotëruar nga tri arratisje, një e realizuar dhe dy që i sollën burgime. E fundit, kur ishte 72 vjeç.

Të riatdhesuarit ishin një kategori personash, të cilët vinin në Shqipëri për dy arsye: nga amnistitë për rastet politike ose nga pleqëria për rastet kur personi mund të ishte i larguar para vitit 1939, për arsye ekonomike. Të dy kategoritë ishin në vëzhgimin e rreptë të regjimit menjëherë pasi personi vinte në Shqipëri. Të gjithë dyshoheshin se mund të ishin bërë “agjentë” në shtetet e huaja. Një histori tragjike me gati 25 vjet heqje lirie (vitet 1964-1982 dhe 1982-1989), pothuaj të pandërprerë, i takon Mustafa Maliq Bylyshajt, lindur më 15.2.1910 në Nivicë të Tepelenës. Hyri në burg në moshën 54 vjeçe dhe doli prej andej kur ishte 79 vjeç.

Në vitin 1952, ishte arratisur në Greqi. Në vitin 1954, më ndihmën e bashkëfshatarit të tij Muhedin Beqo, shkon në Toronto të Kanadasë. Punon në restorantet e atjeshme. I gënjyer nga falja komuniste, nga malli për fëmijët, u kthye në Shqipëri në shtator 1961. Nga Toronto u vendos me punë blegtor në Kuç. U zhgënjye shpejt.

Dënimi i parë

U arrestua më 9.10.1964, d.m.th 3 vjet pas riatdhesimit. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal. Zgjodhi postën kufitare të Çatistrës në Gjirokastër, por aty u kap nga rojet e kufirit.

Hetimet u zhvilluan fillimisht në Gjirokastër e më pas në Vlorë. Midis të tjerash, zëvendësprokurori tha: “Ja shokë gjyqtarë. Të tillë janë armiqtë e popullit e atdheut tonë, njerëz që nuk kanë ndjenja atdhetarizmi dhe që janë destinuar të shesin nderin e tyre dhe gjënë më të shtrenjtë, atdheun, të bëhen vegla të ndyra të armiqve të RPSH-së, duke u shërbyer atyre, ashtu siç ka vepruar i pandehuri që u ka shërbyer armiqve të republikës tonë gati për 10 vjet, por nuk u mjaftua me këto, por kur u riatdhesua dhe u kthye në gjirin e familjes së tij, nuk qëndroi veçse më pak se 3 vjet dhe si njeri i predispozuar për t’iu shërbyer armiqve tentoi për t’u arratisur.

Por ky armik nuk e njeh fare forcën e popullit tonë, unitetin e tij me partinë dhe pushtetin popullor, unitet që forcohet çdo ditë e më shumë. Nga ky unitet parti-popull, kanë thyer kokën të gjithë armiqtë e pushtetit tonë”. Gjykata e Qarkut Vlorë, me vendimin nr.5, datë 22.2.1965, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e të drejtës zgjedhore për 2 vjet, pagimin e shpenzimeve gjyqësore dhe 600 lekë për avokatin.

I morën edhe 500 dollarë amerikanë që kishte me vete. Në gjyq, ndihmësprokurori tha se “shpata e drejtësisë” i priste pa mëshirë ata që guxonin të arratiseshin. U lirua më 20.9.1982 nga Reparti nr.309 Ballsh.

Hapesire e Sponsorizuar

Dënimi i dytë

U arrestua më 7.12.1982. U akuzua në bazë të nenit 47/gj, në kombinim me nenin 11 të Kodit Penal. Liria e tij nuk zgjati shumë. Vetëm 3 muaj. 72 vjeç dhe guxoi të arratisej. Sipas njoftimit të kohës, ishte ndaluar në fshatin Mavrojer të Sarandës, nga populli. Gjykata e Rrethit Gjirokastër, me vendimin nr.5, datë 3.2.1983, e deklaroi fajtor dhe e dënoi Kodit Penal me 23 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet. U lirua më 20.11.1989 nga Reparti nr.305 Përparim./Kujto.al