Një leksion jete nga Asdreni

Në fund të ligjëratave nga lënda “Histori e letërsisë shqiptare II”, maj 1968, e lutëm Prof. Petro Janurën (1911-1983) të na fliste për jetën e tij.

Po bëj abstraksion, na tha profesori, se parimisht nuk flas për veten. Foli shkurt dhe u ndal më shumë te takimet e tij me poetin Aleksandër Stavre Drenova (1872 – 1947) në kryeqytetin e Rumanisë në Bukuresht.

Poeti, vazhdoi prof. dr. Janura, ushqehej në gjellëtoren e një shqiptari. I zoti i gjellëtores për të mos prekur sedrën e poetit bëhej sikur po bënte pagesën, por realisht i merrte pak para.

Asdreni preferonte të shëtiste shtigjeve të parkut dhe në të njëjtin vend ulej gjithmonë. Ndodhte shpesh të kthente në restorantin e bukur, pronë e një shqiptari nga Korça.

Ne studentët shqiptarë shkonim në restorant për shkak Asdrenit dhe dy vajzave të bukura të pronarit, të cilat nuk na përfillnin fare.

Uleshim me poetin, i cili poezitë i mbante në xhepin e poshtëm të jelekut. I nxirrte dhe na lexonte.

Një ditë erdhi pronari, dhe nga pozita e njeriut të fortë, i tha Asdrenit: Zoti Aleksandër, mund te vish tek unë, ta siguroj një dhomë fjetje dhe do t’i kishe të gjitha falas në restorantin tim.

I prekur në sedër, poeti u ngreh në këmbë dhe duke rënë me bastun dyshemesë, kundërshtoi:

Hapesire e Sponsorizuar

Mos mendo se je më i kamur se unë, kam sa për të jetuar dhe jetoj si dua vetë… nuk dua lëmosh nga askush dhe iku… Vërtet ashtu siç tha poeti ishte, pronari i restorantit vdiq, vajzat e tij nuk u martuan kurrë.

E bënë rrush e kumbulla pasurinë e të atit dhe u harruan për së gjalli. Asdreni jeton edhe pse nuk la pasuri, pallate e trashëgimtarë – përfundoi profesori./diasporashqiptare.al