Ofelia e Margarita Xhepës, nga Enver Kushi

Enver Kushi: Ofelia e Margarita Xhepës

Margarita Xhepa ishte akoma e re, kur regjisori sovjetik Bortko i besoi të interpretonte Ofelinë, në një nga “ tragjeditë më të famshme të Uiliam Shekspirit”, siç shkruan për “Hamletin” shqipëruesi Fan Noli. Ai e quan Ofelinë “vajzën më shpirtërore dhe ëngjëllore”. Dhe meqë jemi te Ofelia, Fan Noli shkruan:” Vite më parë e kujtova Ofelinë e çalë, kur pashë Sara Benhart të moshuar të japë çfaqje të shkëlqyer me zërin dhe shprehjen e saj, kur mezi qëndronte në këmbë. Kjo do të thotë se zëri dhe shprehja janë për aktorin po aq të rëndësishme sa këmbët”.

Margarita Xhepa, në fillim të viteve ’60, kur interpretonte Ofelinë “vajzën më shpirtërore dhe engjëllore”, nuk ishte as e moshuar dhe as e çalë. Ajo ishte në kulmin e rinisë dhe në kulmin e prillit të bukurisë së saj. Jo vetëm kaq. Perëndia Margaritës së talentuar, përveç bukurisë, i kishte dhënë atë që shkruan Noli “zërin dhe shprehjen”.

Ofelia e aktores së madhe erdhi në skenën e Teatrit Shqiptar, sa engjëllore, aq edhe shpirtërore. E kam të vështirë të analizoj Ofelinë-Margaritë apo dyshen e shkëqyer Naim Frashëri-Margarita Xhepa. Dua t’u sjell lexuesve të shumtë të kësaj gazete një fakt, që ajo më ka rrëfyer: “Ishim në kulmin e punës për vënien në skenë të Hamletit. Ofelia ishte bërë pjesë e qënies time. Ajo më ndiqte kudo jo vetëm gjatë provave, por edhe në rrugë, shtëpi ose dhe kur vija kokën në jastëk.

Kur gjumi nuk më zinte apo edhe kur sapo dremisja pak, më vinte në ëndërr e bukur, delikate dhe e brishtë si vesa e mëngjesit . . . E ndjeja që gjatë provave, veçanërisht në skenat kur ajo është e çmendur, diçka nuk shkonte. Nuk kishta parë asnjëherë, deri në atë moshë ndonjë vajzë ose grua të çmendur. Ishte paradite, kur mora në telefon prof. Ylvi Vehbiun, me të cilin kishim njohje familjare. Prof.Ylvi Vehbiu ishte një nga psikiatrët e njohur të kohës.

I thashë profesorit se doja të vija në spitalin psikiatrik, për të parë nga afër ndonjë vajzë të re të sëmurë. Ai më tha se mund të vija menjëherë. . . Nuk do ta harroj kurrë momentin kur pashë në një koridor të spitalit psikiatrik, vajzën e çmendur. Ajo ishte 17 vjeç. E bukur. Shumë e bukur. Bënte ca lëvizje të çuditshme, si në jerm apo në një hapësirë boshe. Pastaj qëndronte, duke vështruar sa majtas-djathtas ose lart. Dhe këndonte, me një zë të ëmbël, sikur ishte në skenë . . . Eh . . . E gjora vajzë! E gjora vajzë! Befas ngriti duart lart, lëvizi prap dhe pas disa sekondave, ia dha të qarit me dënesë. . . I ngulita në kokë të gjitha këto dhe në skenë, i bëra pjesë të Ofelisë time . . . Regjisori sovjetik nuk e përmbajti entiziazmin.

Ai m’u afrua e më përqafoi, duke thënë rusisht fjalët “Ah pëllumbesha ime! Çfarë ndryshimi nga ditët e mëparshme . . . “ Isha Ofelia e çmendur. Lëvizja në skenë si e çmendura që kisha parë në spitalin psikiatrik, gjendja emocionale e së cilës ndryshonte nga kënga, e qeshura në të qarë që të këpuste shpirtin. Edhe unë, Margarita-Ofeli, këndoja:

Të bardhë si dëbor’e kish savanin,

Hapesire e Sponsorizuar

Me lule të stolisur,

I vogël e i madh me lot e qanin,

Me zemër të zalitur”.

Më mbeti gjatë në mëndje ky rrëfim i Margarita Xhepës. Dhe më erdhi keq që nuk e kisha parë Hamletin e Naim Frashërit dhe Ofelinë e Margarita Xhepës, në skenën e dikurshme të Teatrit Popullor. Ato vite isha akoma fëmijë. Ju riktheva këto ditë rileximit të “Hamletit” të Shekspirit. E lexova dy herë, ashtu siç porosit Fan Noli në parathënien e tij të shkëlqyer: ”Për të kuptuar mirë këtë vepër, si dhe çdo tjetër vepër shekspiriane, duhet mbajtur mend që është shkruar kryesisht për t’u luajtur në skenë. Duhet kënduar, pra me vërejtje nga dy herë dhe pastaj duhet parë e interpretuar në teatër prej aktorësh që i kanë hyrë brenda në frymë…“

Ofelia e Margarita Xhepës, mbi gjashtëdhjetë vite më parë, erdhi në skenën e teatrit shqiptar, ashtu siç e përshkruan Fan Noli: ”Ofelia, e dashura fatzezë e Hamletit, është një nga fytyrat më tragjike dhe më patetike të teatrit shekspirian. Si Hamletit, ashtu dhe Ofelisë i është përmbysur bota mbi kokë . . . “

Aktorja jonë e madhe pati fatin që Hamletin ta interpretojë një nga talentet e papërsëritshëm të skenës dhe filmit shqiptar, Naim Frashëri, zëri bubullimë e gurgullimë i tij, u flet të gjitha kohërave dhe botës, veçanërisht shqiptarëve të kohës sonë:

“Kjo botë u shthur! O prapsi, o dreq.

Që unë paskam lindur të të ndreq”!

. . . Dy prill është datëlindja e Margarita Xhepës, por edhe i dhjetëra roleve që ajo mjeshtërisht i ka interpretuar në skenat e teatrove shqiptare e ballkanase. Edhe i dhjetëra e dhjetëra figurave të tjera që ajo i ka sjellë në filmat shqiptarë. Dy prilli është edhe i Ofelisë së Margarita Xhepës.

Margarita Xhepa është edhe do të jetë, nëse do të perifrazoja Laertin: “ Trendafil i majit! Vajz’e dashur! Ofeli e ëmbël . . . “

Tiranë, fundmars 2013/Exlibris.al