Panajot Kolo peshë e rëndë i artit durrsak, nga Bujar Qesja

Memorie

Panajot Kolo peshë e rëndë i artit durrsak
– Pionieri dhe regjisori i parë i teatrit “A. Moisiu”
– Talenti i rrallë dhe fytyra e teatrit të dramës durrsake
– Malli dhe dashuria për Durrësin, nuk iu shkit tërë jetën
-Një artist që ia vlen ti rikthehemi

Nga BUJAR QESJA

Robert Kolo, djali 60 vjeçar i Panajotit, që jeton prej më shumë se 20 vitesh në Kanada, më kujton se 13 dhjetori, është dita e largimit nga jeta të të jatit. Ishte viti 2006, ku në Tiranë, pasi lëngoi disa kohë në shtrat, dha frymën e fundit Panajot Kolo. Mbase distanca, mbase koha e turbullt, që fatkeqësisht na ra rasti të jetojmë, largimi pa dashje dhe me dashje, nga traditat dhe historitë e mirfillta të kulturës dhe artit, bënë që vdekja i këtij kolosi të skenës durrsake, të kalojë pa u vënë re. Gjithsesi një delegacion nga Durrësi, falë kujdesit dhe ndjeshmërisë së disa intelektualëve si Gjergj Vlashi, Bardhyl Agasi, Ermir Dizdari, Ali Bega e ndonjë tjetër, i hodhën një grusht dhe burrit zotni, të fismit dhe virtuozit të regjisurës durrsake, të paharruarit Panajot Kolo.

Kjo e lehtësoi dukshëm, peshën e përgjegjësisë që kemi si shoqëri e formatizuar të qytetarisë durrsake, ndaj djalit të saj, që investoi art nga arti i tij, në atë që quhet teatri i shkëlqyer i Durrësit. Dhe pas 12 vitesh nga vdekja, i biri Roberti, len Kanadanë për pak ditë, për të kryer një akt shumë human, shumë fisnik, pse jo edhe dinjitoz, duke ia mbledhur eshtrat regjisorit tonë, e duke ia vendosur në tokën e Durrësit të tij. Prej vitit 2016, Panajot Kolon e kemi tashmë tonin, ashtu siç e kishim tërë kohën së gjalli, duke punuar e punuar me mish e me shpirt, me zemër dhe mëndje kthjelltësinë e tij, për të krijuar, ngritur e ecur drejt angazhimeve cilësore, trupën magjike të një teatri tejet origjinal dhe shpresë mirë, për qytetarët durrsakë në veçanti dhe për artin kombëtar në tërësi. Me këtë akt, që nuk u vu re gjithsesi, Robert Kolo i fali për herë të dytë Durrësit, regjisorin e vyer, njeriun e lindur për art, energjikun, punëdashësin e pashoq, mikun dhe shokun tonë të paharruar Panajot Kolon.

Faleminderit djalë! Panajot Kolo e meriton të prehet i qetë dhe në një paqe të përjetshme, me artistët që i ngriti në piedestal, që bënë për së gjalli, atë që quhet teatri historik dhe i pacënuar, me emrin drithërues Aleksandër Moisiu.

8 gusht 1953, Kolo pjesë i teatrit “A. Moisiu”

Hapesire e Sponsorizuar

Gjirokastriti Panajot Kolo, i lindur me 12 tetor 1928 në lagjen e famshme Palorto, çfaqi një talent të rrallë për artin që në vogëli. Luante role të improvizuara me bashkëmoshatarët e tij. Ishte tejet i shkathët dhe i lindur për kësi punësh. E ëma, Anastasia, shumë e ndjeshme ndaj të birit, bëri çmos që ai të shkollohej. Interesimi i saj arriti maksimumin, kur bëri të mundur që Panajot Kolon 20 vjeçar të studiojë për regji në Bashkimin Sovjetik. Në universitetin e arteve “Karpenko” në Kiev, në periudhën 1948 -1953, studenti shqiptar Panajot Kolo filloi të bëj realitet ëndërrën për regjisor, ëndërr të cilën e zhvilloi edhe në qytetin e Durrësit. Ishte fat për teatrin e Durrësit, që foshnja e sapo lindur me 11 janar 1953, pati një “mami” profesioniste, i përgatitur në “maternitetin” e dramës së famshme ruse, me autorë të mëdhenj e me mjekër si Çehovi, Gorki, Tolstoi, Bulgakovi, Ostrovski, Gogoli, Pushkini, Majakovski etj. Dhe ky ishte Panajot Kolo.

Pavarësisht se premierën e parë, “Vajza nga fshati” të Fatmir Gjatës, do ta vinte me 12 prill 1953 kryeregjisori i teatrit popullor Pandi Stillu, më pas çdo gjë do të kalonte nëpërmjet artit regjisorial të Panajot Kolos. Me 5 gusht të vitit 1953, teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, do ta drejtojë një i përgatitur i regjisurës, një gjirokastrit i mënçur, me emrin tashmë të sigluar në historinë e këtij teatri Panajot Kolo.

Çfarë regjisori! Çfarë talenti në komunikim dhe në atë që quhet përgatitja dramatike i aktorit! Suksesi e kishte emrin Panajot Kolo. Pas “Nderit të Familjes” që është premiera e parë e Kolos, vjen komedia e famshme “Martesa” e Gogolit. Kjo premierë e cila u çfaq me 8 prill 1955, me regjisor Panajot Kolon, ishte nga majat që arriti teatri “A. Moisiu”. Aktorët perla të Durrësit si Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Spiro Urumi, Vera Urumi, Teodor Rupi etj. patën fatin e madh, se punuan dhe u evidentuan nga një regjisor fantastik, i paisur me magjinë e dramaturgjisë së famshme ruse, Panajot Kolo. Çfarë suksesi! Çfarë arritje! Kolo e tregoi veten dhe u pa qartë, për shansin e madh që i takoi teatrit durrsak, ku në krye u vendos ai, i paharruari Pano ynë.

Për efekt historik, duke dashur të mos lëviz nga regjisori i parë i teatrit “A. Mosiu” Pano Kolo, po të parë ishin edhe skenografi mjeshtër Ismail Hidri, sufleri Mihal Prifti, drejtori Shaban Hidri, punëtori i skenës Mark Rojda, elekriçisti dhe fonisti Ivo Kalebota, rrobaqepësja Andromaqi Zagoridha, rekuizitieri Mustafa Merkaj, mobilieri Mark Stanaj. Histori, fakte, traditë. Dhe pas saj do të vinte edhe pjesa “Familja e peshkatarit”, “Dreqërit e kënetës”, “Dredhitë e Skapenit” etj, etj. Pano Kolo gjeti në teatër, 14 aktorët e parë të krijimit si Nikolin Xhoja, Meropi Xhoja, Athanas Xhimitiku, Spiro Urumi, Teodor Rupi, Vlash Kalavaci, Semiha Ishmi, Bernardina Qerraxhia, Kolë Tafili, Dhimitër Spiru, Sotir Afezolli, Ferial Alibali, Llazar Murati dhe Kost Lezhja. Më pas tyre, janë të gatshëm për tu drejtuar nga regjisori Kolo edhe emra të tjerë të njohur si Todi Thanasi, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Gaqo Spiru, Vera Urumi, Terezina Dema, Rexhina Shiroka dhe më vonë Filika Ujkaj, Guljelm Radoja, Mirush Kabashi, Milto Profi, Ali Bega, Pëllumb Deçolli, Kadri Pirro, Hysen Bashhysa etj. Kolo iu kushtua teatrit, me tërë fuqinë e shpirtit dhe mëndjes së tij. Ai i dha fytyrë nga fytyra e tij, teatrit plot kulturë dhe nivel të Durrësit, nga gjiri i të cilit dolën me dhjetra e dhjetra aktorë të mëdhenj, të vlerësuar e të çmuar nga populli dhe institucionet. Puna në teatër, përkushtimi i tejskajshëm, ia dha më shumë mundësinë e angazhimit edhe lidhja martesore me aktoren e njohur Rexhina Shiroka. Roberti, Alfredi dhe Anila, janë fryt i kësaj dashurie, fëmijë që edhe sot e më tej, çfaqin mirënjohje për prindërit e tyre të çmuar.

Nga “Aleksandër Moisiu” në pallati “Rinia”

Nga viti 1953, e deri në në vitin 1971 pranë teatrit profesionist të Durrësit. Trupa teatrore i këtij qyteti, në sajë të pasionit, zellit dhe profesionalizmit të Panajot Kolos, arriti të vlerësohet nga më të mirat në Shqipëri. Aktorët e saj, u cilësuan mjeshtra të vërtetë të skenës dhe shumica prej tyre, mori tituj të lartë nga Nderi i Kombit, Artistë të Popullit dhe Artistë të merituar. Lodhje, mundim, punë, angazhim, sakrificë, e përsëri sakrificë deri në krijimin dhe ruajtjen e identitetit të një trupe solide, cilësore dhe autoritare, duke u trajtuar si violinë e parë i teatrit kombëtar. Shkolla sovjetike e dramës, e veshur harmonikisht me talentin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të regjisorit dhe trupës shqiptare, dha atë prodhim cilësor, që me aq etje u thith nga artëdashësit durrsakë. Teatri profesionist i Durrësit dhe regjisori i saj Panajot Kolo, u bënë tepër të dëgjuar, sa që ishin një plus më vete, të asaj që quhet qytetaria e civilizuar durrsake.

Për të evituar ndonjë mangësi, teksa në shumicën e rasteve, mora për shkallë reference kujtesën time disi të dobësuar tashmë, sigurisht nga pesha jo fort e lehtë e viteve, iu drejtova për ndihmë mikut tim të kahershëm, që vazhdon me shumë pasion punën e lënë në mes, nga i famshmi Todi Thanasi për arkivën e teatrit – Luan Jaupi. Kjo për të ruajtur një kronologji historike, e veshur me foto të rralla, perla të vërteta të traditës së denjë, të teatrit profesionist “A. Moisiu” të Durrësit. Falenderimet e mia janë pa masë në këtë drejtim, duke më lehtësuar peshën e mendimit në këtë nismë timen, për të evidentuar punën dhe rolin aktiv të një intelektuali, me konture të ndezura në historinë e teatrit të Durrësit.
Pas 17-18 vitesh punë, në krijimin e fytyrës dhe origjinalitetet të teatrit, Pano Kolo dërgohet pranë pallatit Rinia, që kishte 3 vite që ishte krijuar. Bëhej e qartë, të forcohej dhe të merrte një fytyrë edhe arti amator i klasës së fuqishme punëtore të Durrësit, nga institucioni i saj kryesor pallati Rinia, e deri në skenat e ndërmarrjeve. Edhe këtu po ai Pano, po ai njeri i palodhur dhe kërkues në gjetjet e reja të artit skenik. Zbuloi aktorë dhe aktore. Bashkëpunoi ngushtësisht me kompozitorin historik të qytetit Agron Xhunga, duke patur edhe një mbështetje nga intuita artistike e shkrimtarit dhe masovikut Bardhyl Agasi dhe krijoi të famshmet anketa muzikore. Loja e humoristëve Fadil Hasa, Muharrem Hoxha, Gani Kalaja, Myftar Kurti, Vera Xhemali, Kiço Veshi, e ndërthurur me këngët të interpretuar nga Zija Saraçi, Jolanda Dhamo, Miga Hysi, Rajmonda Kamberi, Petrit Dobjani etj. sollën një dyndje të paparë në dyert e pallatit Rinia. Edhe sot e kësaj dite, nga vendasit kujtohen me shumë mall, arritjet e shkëlqyera të artit skenik amator, ku pa dashur të vendosim shenja matëse, u konkurua edhe trupa profesioniste. Dhe promotor i kësaj pune kolosale, mbeti përkushtimi dhe arti gjithnjë i ri, i regjisorit 47 vjeçar tashmë, me emrin tundues Panajot Kolo.

Kolegu ynë energjik

Jam njohur me Panajot Kolon, pikërisht në kohën kur erdhi në pallatin Rinia me drejtor Naim Novën. Isha 23 vjeç djalë dhe emëruar instruktor në Këshillin e Bashkimeve Profesionale të Rrethit Durrës. Mbuloja sektorin e kulturës, duke përfshirë edhe pallatin Rinia. Pano ishte dyfishin e moshës time. Por kam mësuar nga ai burrë komunikimin brilant, dëshirën dhe pasionin e jashtëzakonshëm për punën, tejet energjik dhe me një kulturë për t’ia patur zili. Fliste në katër gjuhë: rusisht, serbo kroatisht, italisht dhe greqisht. I papërtuar. Ecte shumë në këmbë dhe kishte sens mase. Njerëzit e donin regjisorin e tyre dhe e përshëndetnin me shumë sinqeritet. Humori i Pano Kolos ishte unikal. E qeshura e tij, mbetet si një simfoni shpirtërore, që dilte nga zemra i një artisti të sprovuar në skenë dhe në realitetin e përditshëm.

Bardhyl Agasi kujton për Panon, se la një libër të jetës së tij, me gjithçka që ai bëri në shërbim të artit dhe kulturës durrsake. Ndonëse banonte në Tiranë, vinte për ditë në Durrës edhe pasi doli në pension, ku punët e çuan të punojë edhe si regjisor në pallatin e kulturës në Sukth, në këtë ndërmarrje gjigande të bujqësisë shqiptare. Kudo arritje në artin e tij, por edhe në kulturën dhe mençurinë që rrezatonte tek publiku i gjërë. E kujtoj me mall, njeriun e 92 premierave në dramë, komedi, opera dhe operetë, anketa dhe tablo muzikore, në estradë dhe ansamble folklorike. Kudo ishte ai, Panajot Kolo. Një peshë e rëndë i artit durrsak. E filloi premierën e jetës së tij artistike në Durrës me 5 gusht 1953 dhe e la diku para fundit të viteve 80-të. E filloj me artistë profesionistë dhe e përfundoj me artistë amatorë. Me një veshje për t’u patur zili, të thjeshtë por me shumë shije. Një çantë, ku mbante vlerat kulturore të një dite pune dhe një barsolino, që ia nxirrte më në pah staturën e tij, prej një intelektuali dhe qytetari të fisëm.

Pano Kolo vdiq në Tiranë. Dhjetor ishte. Viti 2006. U bënë 144 muaj gjer atëhere. Por i biri, Roberti, ia dha parajsën të jatit, në Durrësin e tij të jetës. Ky gjirokastrit i ëmbël, pushon i qetë nën vështrimin e atyre njerëzve, që u dha kënaqësinë me artin e tij, sa ishte gjallë. Dhe tani, meriton të përkujtohet nga ne.

Veçse një gjë vlen të theksohet: në se teatri i Durrësit “A. Moisiu”, është histori e gjallë dhe e pasur, Pano Kolo është faqja e parë e saj. Nderim, respekt dhe mirënjohje për Pano Kolon, që lindi në Gjirokastër dhe erdhi të “strehohet përjetësisht në Durrësin e tij, në Durrësin tonë.

Bujar Qesja
Mjeshtër i Madh
Durrës: 20 dhjetor 2018

Fotot janë të rralla, ku krahas Pano Kolos, janë evidentuar edhe mjaft portrete të ndritura të artit durrsak.

Në një foto është Kolo, me bashkëshorten Rexhina Shirokën
Tjetër foto është me të birin Robertin, që jeton në Kanada