“Përballë vrasësit të vëllait, i veshur me petkun e veteranit”

“I mbytëm mbrëmë rraksjonarët, i vramë të mbërthyer pas mureve. Ke bregu i lumit i groposëm stivë, njëri mbi tjetrin”… (është fjala për Lumin e Tiranës), për një moment e humba durimin. Vrasësi më kujtoi atë natë tmerri! Më kujtoi vëllanë!!.. Vëllanë e mbytur në gjak!”

Fahri Pengili, e mban mend me dhimbje natën e 4, por edhe të 28 shkurtit të vitit 1951 në Tiranë. Ai humbi të vëllanë 20-vjeçar dhe mbeti në kujtesën e tij pëgjithmonë si nata e dhimbjes së pashëruar. Dhimbja për vëllanë do të bëhej edhe më e rëndë kur në një përvjetor të masakrës së 4 shkurtit, do t’i shfaqej para sysh vrasësi, i veshur me “imunitetin” e veteranit.

Fahri Pengili e ka shkruar përballjen e tij me vrasësin e vëllait në vitet e para të pluralizmit politik në Shqipëri. Në atë kohë ai dukej shpresëplotë se vrasësi i të vëllait, Besim Selit,a por edhe xhelatë të tjerë të diktaturës komuniste do të përballeshin me drejtësinë. Por në fakt nuk ndodhi, askush nuk shkoi pas hekurave për mijëra jetë shqiptarësh të vrarë padrejtësisht gjatë diktaturës komuniste.

Risjellim në vëmendjen e publikut, artikullin e shkruar nga Fahri Pengili, të publikuar në gazetën “Liria” në mars të vitit 1993.

Nga Fahri Pengili

Në këtë shkrim nuk dua të flas për pseudohistorianët e Hoxhës, të cilët në tërë këto pesë dekada, vetëm dokrra i renditën asaj që u quajt histori. Nuk dua të kujtoj as më të papërgjegjshmin në fushën e historisë, Z.Xhemil Frashërin, veç të tjerash kur fliste me aq patos, në vitin ’92 para veteranëve të luftës, për masakrën e ushtrisë Hitleriane në katër Shkurt të ‘44 në Tiranë. Nuk dua po ashtu të akuzoj këta shkarravitës të historisë, pse nuk shkruan asnjë fjalë apo rresht për masakrat e xhelatit të tyre Hoxha, sidomos për atë masakër turpi të vitit 1951, kur vetëhodhën bombën në Ambasadën Sovjetike në Tiranë.

Pa dyshim këto janë të shumta. Unë këtij shkrimi do t’i ofroj një fakt të hidhur. Me rastin e përvjetorit të 40-të të masakrës së 4 shkurtit, përfshirë këtu edhe 28 shkurtin, isha i pranishëm edhe unë. Kisha kujtime të dhimbshme të shumta natyrisht, aty u terrorizuan shokët tanë të luftës si Gjergj Frashëri, dy profesorë të nderuar Ramiz Treni e Sitki Cico e mjaft të tjerë. Por unë mbeta i befasuar! Ç’të shikoj!! Në sallë po hynte një njeri. Një kryedjall. Një bandit, një gjakatar. Një sadist që dukej se i kullonin ende gjak, goja dhe duart.

E njoha menjëherë. Ishte në krye të një grupi, ndoshta njëlloj si ai vrasës. Ky ishte Besim Selita, terroristi i natës së përgjakshme të shkurtit ’51. Vrasësi i asaj nate mynxyrëmadhe. Të atyre të pafajshmëve se gjoja hodhën bombën në atë Ambasadë të mallkuar. Vrasësi i asaj nate të paharruar në sallë!

Me ftesë!! Ndër veteranët e nderuar!!

Ai, Besim Selita, të nesërmen e asaj nate që për Tiranasit e ndershëm u bë natë e bardhë mbështjellë me makthin e përgjakur, u thoshte shokëve me mburrje:

“I mbytëm mbrëmë rraksjonarët, i vramë të mbërthyer pas mureve. Ke bregu i lumit i groposëm stivë, njëri mbi tjetrin” (është fjala për Lumin e Tiranës). Për një moment e humba durimin. Vrasësi më kujtoi atë natë tmerri! Më kujtoi vëllanë!!.. Vëllanë e mbytur në gjak! Vëllanë që nuk dihet ku ja dhanë plumbin! Vëllanë që sikur më thosh: Ai është vrasësi im, Vëlla! Ai bisha atje, Besim Selita! Ai është krimineli! Denoncoje! Tregoje gjithandej fytyrën e tij të vërtetë!…

Njëzetvjeçar ishte im vëlla atë natë të bardhë tmerri. Atë natë paniku e çoroditjeje. Atë natë që u ndamë përjetësisht me TË. Në atë pellg gjaku të asaj kasaphane të vërtetë ishte dhe gjaku i vëllait tim që nuk e pamë kurrë më. Dhe portreti i vrasësit, sërish para syve të mi. Aty në sallë. I ftuar. I respektuar. Ai nuk ishte vetëm. Ishte mes shokësh. Mes shumë shokësh. Dhe vrasësit, padyshim, ishin të shumtë. Ata duhet të dalin në bangën e akuzës. Ata, kriminelët, para trupit të Drejtësisë duhet vetëm të përgjigjen dhe kurrë jo të pyesin. Le të shpresojmë se drita e demokracia do të ndriçojë fytyrat e atyre qenieve që mbushnin ato kuadrata të quajtura, Forcat e errëta, dhe të marrin dënimin e merituar! Këto territore të kishin shkruar dhe kujtuar historianët si Xhemil Frashëri me shokë që shpifën dhe shpikën një histori./Kujto.al

Avatar

Na Ishte Dikur

Top Img back to top