Përtej agjendës politike, këta filma janë artifakte kulturore të historisë së Shqipërisë

Nga Bjorn Runa / Gazeta Tema

Përpjekjet e kohëve të fundit për të restauruar filma të prodhuar gjatë periudhës komuniste në Shqipëri – siç është edhe rasti i fundit i “Lulëkuqet Mbi Mure” – ka nxitur një debat, ku shumica janë kritikë të kësaj nisme, të cilën e shohin si një përpjekje për të glorifikuar propagandën komuniste.

Herë pas here ky debat është shpërfaqur në formë edhe më radikale, duke kërkuar ndalimin e shfaqjes së këtyre filmave, apo vendosjes së tyre në një lloj muzeumi – fizik ose digjital – ngjashëm me ekspozimin e skeleteve apo trupave të mumifikuar si artifakte të një kohe të largët e të harruar, kur në fakt, filmat, librat, muzika, pikturat e çdo lloj forme tjetër e shprehisë artistike ka si qëllim parësor të jetë pranë sa më shumë njerëzve. Të shihet, dëgjohet, lexohet dhe analizohet prej sa më shumë personash.

Duke pranuar prapavijën ideologjike të shumë prej këtyre filmave, është thelbësore të shihen pak më thellë meritat e tyre regjisoriale, fotografia, editimi, aktrimi, dhe skenarët. Përtej agjendës politike, këta filma janë artifakte kulturore, të cilat shfaqin edhe anën artistike dhe humaniste të kinemasë së realizmit socialist ne Shqipëri.

Aftësitë Kinematografike
Pavarësisht kufizimeve ideologjike të kohës, filmat e përpara ’90-ës, edhe ata më dogmatikët, tregojnë zotërim serioz të zanatit të kinemasë (cinematic craft) nga ekipet që kanë punuar për realizimin e tyre. Zotërim që sot, pavarësisht lirisë së mendimit dhe mundësive teknike, mbetet shpesh në nivele amatoriale. Ndaj, restaurimi e, veçanërisht sjellja e këtyre filmave në cilësi më të lartë audiovizuale, siç është edhe 4K, i ofron audiencës bashkëkohore mundësinë të studiojë dhe vlerësojë vëmendjen e kushtuar ndaj detajeve në këta filma.

Cilësia e aktrimit
Loja aktoriale në filmat e prodhuar gjatë periudhës komuniste është gjithashtu dëshmi e talentit dhe përkushtimit të aktorëve shqiptarë, që në shumë raste është e një niveli më të lartë edhe se aftësitë teknike e krijuese të regjisorëve. Restaurimi na jep mundësinë t’iu rikthehemi këtyre performancave, duke vlerësuar nuancat, ndjenjën, dhe thellësinë që aktorët kanë arritur t’iu japin personazheve.

Skenarë njerëzorë.
Skenarët përbëjnë boshtin ideor dhe narrativ të një filmi dhe për këtë arsye janë thuajse gjithmonë më të ngarkuarit ideologjikisht. Edhe pse një pjesë e mirë e këtyre skenarëve përmbajne doza politike, është po aq e vërtetë se shumë prej tyre trajtojnë marrëdhënie të vërteta njerëzore. Vuajtjet, aspiratat dhe marrëdhëniet e shfaqura në ekran e tejkalojnë narrativën politike, duke na ofruar një dritare të vogël në jetët e një grupi individësh në një konteskt të caktuar historik.

Propaganda dhe qëllimi artistik
Është e rëndësishme të jemi të ndërgjegjshëm se filmat e përpara ’90-ës përmbajnë ideologji komuniste, por është po aq thelbësore të shihet qëllimi artistik i autorëve të tyre. Duhet thënë se aspekti ideologjik në këta filma është tejet i dukshëm ose thënë më thjeshtë (në mungesë të një termi të përshtatshëm), propaganda shfaqet “trashë.” Ndoshta diçka e tillë ka qenë zgjedhje e qëllimshme e autorëve të këtyre filmave për ta bërë atë të padobishme dhe jo-rezistente ndaj kohës. Tek e fundit, propagandë efikase është ajo, të cilën nuk arrin ta shquash si të tillë. Mendon ndokush vërtet se një i ri i pas ’90-ës, i mësuar qysh herët me idenë se të gjithë ja kanë me të hedhur, një i ri që teksa rritet ka parë t’i shemben njëri pas tjetrit të gjithë idhujt dhe pikat e referencës morale, një i ri i mësuar se shumica e informacionit që konsumon është i rremë, pra një i ri me këtë nivel mosbesimi ndaj gjithçkaje përreth, do të bjerë pre e ideologjisë së shprehur aq “trashë” në filmat e periudhës komuniste? Në anën tjetër, edhe nëse shpërfaqja kaq pa shije e ideologjisë politike nuk ka patur synim uljen e efikasitetit të saj, tregon së paku se propaganda nuk ka qenë parësore për autorët e këtyre filmave. Me pak fjalë, vëmendja e tyre ka shkuar tjetërkund dhe propaganda ka mbetur si një detyrim, të cilin e kanë patur të pamundur t’i shpëtonin. Ndaj, duke ndarë propagandën nga qëllimi artistik, mund të vlerësojmë më saktë përpjekjet e autorëve për të lundruar në detin e trazuar politik të asaj periudhe, për të krijuar vepra që ende i mbijetojnë kohës.

Hapesire e Sponsorizuar

Propaganda në shoqërinë bashkëkohore
Le të mos harrojmë që propaganda nuk i përket ekskluzivisht një sistemi politik të caktuar. Forma të ndryshme të saj depërtojnë në jetën e përditshme të shoqërive më të lira të ditëve tona. Libra dhe filma popullorë, të konsumuar masivisht, si The Hunger Games, Avengers, apo Friends formësojnë në mënyra edhe më tinëzare perceptimet dhe vlerat tona. Ndonëse jo dukshëm politike, këto artifakte kulturore na “masazhojnë” mendjen duke ndikuar në pritshmëritë tona, apo normat sociale. Për më tepër reklamat, që shpesh as nuk i konsiderojmë si forma të propagandës, kërkojnë të kontrollojnë edhe anët më personale të jetëve tona, duke nxitur konsumin, si të vetmen mënyrë për të qenë të lumtur apo të përmbushur. Përse një reklamë ku një ushqim jo i shëndetshëm propagandohet si “natyral,” apo një medikament që mund të krijojë varësi reklamohet si me “ekstrakte bimore,” qenka më pak i dëmshëm se një film ku propaganda komuniste bëhet aq “trashë” sa do të duhej te ishe vërtetë i trashë për ta besuar dhe për ta pare sit ë vetmen përmbajtje të tyre? Mos vallë dëmi është më i lehtë në këto raste? Nëse filmat e periudhës komuniste ishin syzet e ideologjisë që duhet t’iu visheshin njerëzve për ta parë jetën me “sytë e partisë,” sot në çdo minutë na duhet të vendosim “syzet e së vërtetës,” për të parë mesazhin e vërtetë pas ideologjive bashkëkohore që penetrojnë çdo aspekt të jetëve tona.

Restaurimi i filmave shqiptarë të periudhës komuniste na jep mundësinë të shohim dhe vlerësojmë përtej kontekstit politik arritjet kinematografike, qoftë edhe modeste, të së kaluarës tonë. Duke u përqëndruar tek regjia, fotografia, aktrimi dhe skenarët, mund të vlerësojmë kontributin artistik të autorëve, të cilëve iu është dashur të manovrojnë në një mjedis politik, që më së paku për ta ka qenë sfidues, e në raste të tjera i rrezikshëm për jetën e tyre. Thuajse gjithçka rreth nesh, qysh nga fillimi i njerëzimit dhe akoma më tepër e egërsisht në ditët tona, përmban në vetvete propagandë, por kjo duhet të na shtyjë drejt një kuptimi më të thellë të marrëdhënies komplekse mes artit dhe ideologjisë.