Ç’farë dhimbje dhe çfarë humbje e madhe….!
Po shkulen edhe Lisat e fundit të mbetur gjallë në kopshtin e Artit Shqiptar…!
Shumë prej tyre ikën dhe po ikin, e tashmë ata nuk janë më fizikisht, por i përkasin nga sot qiellit dhe Panteonit të Artit Shqiptar!
Sa shumë po varfërohemi…!!!
Një tjetër artist është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare, një nga regjisorët e famshëm dhe mjaft domethënës i Kinematografisë Shqiptare, KRISTAQ MITRO.
Përveç shumë filmave dokumentarë, Kristaq Mitro është regjisor dhe bashkëregjisor i disa prej filmave të njohur artistik, mjaft të sukseshëm si:
“Kur zbardhi një ditë”, “Tokë e përgjakur”, “Liri a Vdekje”, “Dimri i Fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Në prag të lirisë”, (te ky film është edhe skenarist), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Duaje emrin tënd”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Një vajzë dhe një djalë”….
Ai është lauruar me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe mban titullin “Artist i Merituar”.
Ikja e Tij e shpejtë për në amëshim, është një humbje e madhe për Artin Shqiptar në përgjithësi dhe për Kinematografinë Shqiptare në veçanti.
Lamtumirë Mik Artist, Mjeshtër i regjisurës që le pas një thesar të pasur në trashëgiminë e Artit dhe të Historisë së Filmografisë Shqiptare…
U prehësh në Paqen e merituar!
RIKARDI, PËRCJELLJA E FUNDIT NË PËRJETËSI…. NJË PËRSHPIRTJE MES EMOCIONESH, MALLI, LOTËSH E DHIMBJEJE DASHURE PAKUFI….
Regjisori dhe aktori i mirënjohur Mevlan Shanaj dhe skenaristja Natasha Lako, mbrëmë na surprizuan me një produksion fantastik mbi një vepër filmike të karakterit memuaristik, kushtuar njërit prej artistëve të rrallë e multidimensional në historinë e Filmit Shqiptar, aktorit, regjisorit, publicistit, shkrimtarit, piktorit, muzikantit, RIKARD LJARJA.
Pjesëmarrja i shumtë në celebrimin i këtij dokumentari kishte tejmbushur përtej kapaciteteve sallën e Kinema “Milenium” me kolegë – artistë pafund, miq e dashamirës të artistit të madh, i ndarë nga jeta 3 vjet më parë.
Kjo vepër filmike memuaristike, kushtuar aktorit dhe regjisorit të madh, ishte një dokumentar mjaft i kuruar në mënyrë skrupuloze, plotë sqimë, ku në çdo detaj pëcillte shumë emocione në të gjitha komponentët e tij.
Me një mjeshtëri të rrallë, përmes narrativës, gjuhës së pasur, mjeteve shprehëse dhe imazheve, intervistave pafund e detajeve të shfaqura në film, regjisori Shanaj rrekej të ndriçonte të gjitha aspektet nga jeta e Rikardit që në fillimet e tij artistike që nis në qytetin e tij të lindjes në Shkodër, dhe deri në të gjitha sukseset që e shoqëruan dhe e formuan atë si një personalitet të madh dhe të padiskutueshëm duke zënë në vend meritor në Panteonin e Artit Shqiptar.
Regjisori dhe i gjithë stafi realizator kanë mëtuar përmes kësaj vepre filmike të skalisin mjeshtërisht dhe me vërtetësi të gjithë personalitetin e artistit, me një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë ata i paraqesin publikut të gjithë dimensionin real artistik dhe njerëzor të Njeriut modest në madhështinë e tij, por edhe me një emër po aq të veçantë.
Faleminderit Melan Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako, për emocionet që na dhatë në një mbrëmje kaq të veçantë për një artist po aq të veçantë…../Telegraf.al/