Poeti i varur në litar

Havzi Nela (20 shkurt 1934-10 gusht 1988)

Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. U arrestuan nga ushtarët Jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit. Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që regjimi i Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.

Më 22 maj 1967, u dënua me 15 vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër.

Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje.
Havzi Nela është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”

————————————————————————–

O Liri, O Vdekje

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
S’e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Kët s’ia fali vetes, kjo m’ban me u mendue.

Hapesire e Sponsorizuar

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtyp bukë, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.