Pranga në duart e kompozitorit të këngës “Qingji i vogël”

Zef Lekaj: “…Xhipsi udhëtonte drejt Degës së Punëve të Brendshme të Kuçovës dhe njeriu që më kishte venë prangat pyeti plot ironi:– Hej o mendjemadh si të duket kjo punë? Ndoshta s’e ke ditur se kjo mendjemadhësi të ka prurë në këtë derë? Ti nuk më përshëndesje kurrë kur më takoje në rrugë. – Më falni, – i thashë, – unë nuk ju njoh, kush jeni ju? – Si ka mundësi të mos njihni operativin e zonës? – më tha dhe pastaj shtoi – s’prish punë, mirë që më njohe tani se kush jam. Dhe me mendjemadhësi, si një triumfues, hyri në Degën e Punëve të Brendshme. Mbas një ore më dërguan në burgun e Beratit. Ç’faj paskam bërë, që nuk kam njohur operativin e Zonës?!”

4 Korrik 1979. Në Kuçovë, në sallën e Kinemasë së qytetit, banorët ishin mbledhur, sipas njoftimit, për një mbledhje. Atë ditë, në mënyrë demonstrative e mes akuzash të paqena, gjatë mbledhjes, arrestohet Zef Lekaj, artist, kompozitor dhe poet, me akuzën: “Agjitacion, propagandë kundër pushtetit popullor”.

Ai kishte qenë që në ditët e para të regjimit nën lupën vëzhguese të Sigurimit të Shtetit. Duke mos besuar në ideologjinë komuniste, në vitin 1946, ai merr pjesë në kryengritjen e Postribës. Vëllai i tij Gjoni, dënohet fillimisht si pjesëtar i kryengritjes dhe në këto kushte Zef Lekaj arratiset përtej kufijve, në Mal të Zi, ku do të kalonte muaj tmerrësisht të vështirë.

Pasi regjimi shpalli një amnisti për të gjithë të arratisurit e akuzuar për kryengritjen e Postribës, Zef Lekaj kthehet në Shqipëri, me shpresën se kjo amnisti do t’i shuante gjithë akuzat rreth tij. Por amnistia nuk do të mjaftonte për të mbajtur larg tij dhe familjes Sigurimin e Shtetit, i cili e mbante nën survejim të vazhdueshëm. Për t’iu larguar kësaj vatre të nxehtë në qytetin e tij e duke ëndërruar të gjente një vend më të qetë ku t’i përkushtohej krijimtarisë artistike, ai pranon një propozim të ardhur nga Bashkimet Profesionale, për t’u emëruar si shef i muzikës në Kuçovë.

Vitet ’70, gjatë qëndrimit në Kuçovë, shënojnë edhe një shpërthim të krijimtarisë së tij artistike. Sukseset e tij kishin nisur që në vitet e adoleshencës kur drejtonte korin e shkollës dhe kishin vijuar më tej këngë pas kënge. Ndoshta kënga e tij më e njohur nga publiku është ajo me titull “Qingji i vogël”, por një varg këngësh qytetare shkodrane e po ashtu edhe shumë të tjera të muzikës së lehtë, e bëjnë krijimtarinë e tij të lakmueshme. Ai është autori i tekstit të njërës prej këngëve më të njohura në Shqipëri “Kur perëndon dielli” , krijim i vitit 1958. Po ashtu është krijuesi i këngës “Thuaje mos e zgjat”, ku ai mban autorësinë e vargjeve dhe muzikës, që ishte edhe fituesja e çmimit të dytë të Festivalit të parë të Muzikës së Lehtë të zhvilluar në Shqipëri, në Shkodër në vitin 1962. Po ashtu është autor i këngës “Lumja unë për ty”, një arie e mrekullueshme, kënduar prej Luçie Milotit dhe Pjetër Gjergjit.

Ndërsa Zef Lekaj shënonte kulmin e suksesit të tij si krijues, në fundin e viteve ’70-të, ndodhi ngjarja e dhimbshme që ndryshoi kryekëput jetën e të gjithë familjes Lekaj. Zefi befas arrestohet. Në ditarin e tij, siç na e ka dëshmuar edhe i biri, Leon Lekaj në një intervistë dhënë shkrimtarit Pierre Pandeli Simsia, për ditën e arrestimit, Zef Lekaj do të shkruante:

“…Xhipsi udhëtonte drejt Degës së Punëve të Brendshme të Kuçovës dhe njeriu që më kishte venë prangat pyeti plot ironi: – Hej o mendjemadh si të duket kjo punë? Ndoshta s’e ke ditur se kjo mendjemadhësi të ka prurë në këtë derë? Ti nuk më përshëndesje kurrë kur më takoje në rrugë.
– Më falni, – i thashë, – unë nuk ju njoh, kush jeni ju?
– Si ka mundësi të mos njihni operativin e zonës? – më tha dhe pastaj shtoi, – s’prish punë, mirë që më njohe tani se kush jam.
Dhe me mendjemadhësi, si një triumfues, hyri në Degën e Punëve të Brendshme.
Mbas një ore më dërguan në burgun e Beratit.
Ç’faj paskam bërë, që nuk kam njohur operativin e Zonës?!”

Siç thotë djali i tij Leoni në intervistën e sipërcituar, pasojat e këtij arrestimi do të binin mbi gjithë familjen.
“Na duhet ta quajmë veten fatlum, që kishte shumë pak kohë që ishte hequr vendimi i internimit, por edhe ashtu, ishim pothuajse të internuar, të izoluar të vetmuar. E para që provoi kamxhikun e diktaturës, qe ime më. Nga ekonomiste, e çuan pastruese me tre turne. E pasoi ime motër, të cilën edhe pse studente e shkëlqyer, e përjashtuan nga universiteti, për të përfunduar tek unë, që sapo prisja një emërim si mësues muzike, më “dhuruan” një emërim të ri; punëtor në guroren e Urës Vajgurore…”, thotë Leon Lekaj./Kujto.al