Ra nga ura 8 metra e lartë, historia e mësueses nga Klosi që u bë një poete e suksesshme

Në nëntor të vitit 1992 Emrie Krosi sapo kishte filluar punë si mësuese. Me ëndrrat e një vajze të re nisej çdo ditë për në punë, edhe pse rruga për atje ishte shume e gjatë. Për të arritur në shkollë çdo ditë Emria dhe koleget e saj duhet të kalonin përmes një ure shumë të lartë.

Emrie tregon se atë ditë kishte një parandjenjë jo të mirë. Kolegia e saj atë ditë nuk pranoi të kalonte ndërsa mësuesja e re vendosi të kalonte. Emi rrëfen edhe momentin më të keq e tragjik në jetën e saj.

Kam mbaruar shkollën në vitin ’90 dhe isha mësuese. Entuziazmi ishte i madh. Atëherë emëroheshe nga shteti. Nuk zgjati shumë. Mua më ndodhi një aksident, m’u deshën vite për t’u rikuperuar. Isha mësuese dhe duhet të kaloja një tip ure pasarele. Aty ndodhi që rashë, jo në ujë por në gurë. Rreth 8 metra”, thotë ajo.

Nga ajo kohë mban mend shumë pak gjëra i është mirënjohëse njerëzve që e ndihmuan në atë kohë.

“Është një zonë e vogël dhe njihesh. Unë di vetëm njerëzit që më ndihmuan sepse nuk kishte rrugë dhe njerëzit transportoheshin me barela. E kam parë veten në spital“, shton ajo.

Koha në spital ishte shumë e gjatë dhe e vështirë. Por Emrie tregon se mbështetjen më të madhe e gjeti te librat.

“Ajo ishte një kohë që zgjati sepse kam bërë ndërhyrje. Rikuperimi ishte i avashtë. Pastaj vonë, derisa e mora veten konkurrova edhe në 2000 vazhdova studimet për letërsi. Kam botuar edhe një libër me poezi. Aty ishte çdo gjë. Mbështetja ime ishte te librat. Aksidenti ndodhi në një kohë të vështirë. Nuk kishte psikolog, shumë gjëra ishin tabu. E kalova traumën përmes librit.”, shton ajo.

Pas shërimit, Emrie iu rikthye sërish jetës aktive. Erdhi në Tiranë dhe përfundoi studimet e larta për gazetari.

Hapesire e Sponsorizuar

“Pas mbarimit të studimeve kërkoja të punësohesha diku. Fillova punë si gazetare te Albania, pastaj e braktisa sepse iu fokusova praktikës. Unë e adhuroj gazetarinë”, thekson ajo.

Në jetën e saj ka botuar disa libra dhe është vlerësuar me disa çmime.

“Çmimi i parë që kam marrë në Durrës, kur ndodhi tërmeti mu thye. Kam marrë çmime të dyta dhe të treta. Më i rëndësishmi është ai që kam marrë vjet. Revista Kuvendi, në përvjetorin e Fishtës. Kam edhe libra të tjerë. Janë dy studimore dhe një roman. Kam edhe katër libra të tjerë që janë në proces. Krahas poezisë lëvroj dhe prozën.”

Emrie Krosi nga Klosi i Burrelit është mjaft e fortë, intelektuale e zonja por historia e saj është tregues i qartë i vajzës të cilën shpresa e madhe e ka bërë atë të rrallë./abcnews.al