Libri “Gatuaj me dashuri” nga autorja Lefteri Gjoshe përmban 160 receta gatimi.
Një botim i ri i këtij viti që vjen në treg me mjaft receta interesante të përgatitura me shumë dashuri nga Lefteri Gjoshe, e njohur për librat e saj të gatimit dhe më parë.
Libri me receta gatimi “Gatuaj me dashuri” i autores Lefteri Gjoshe, e njohur dhe si zonja e gatimeve në vendin tonë sjell një panoramë të pasur të recetave nga më të thjeshtat deri tek më modernet, të përditshme e të gatimeve të veçanta në raste festash dhe eventesh të ndryshme.
Lefteri Gjoshe, e njohur edhe si zonja e gatimeve ka treguar më herët edhe për pasionin e saj për recetat tradicionale, ndërsa ka dhënë dhe këshilla për amvisat se si të gatuajnë plot shije.
Më herët ajo botoi “Gatuaj për familjen” një libër me 150 receta gatimi, të zonës së Korçës dhe Kolonjës, ku në këtë libër, përveç recetave të shijeve fantastike gjendet dhe pak histori tradite, si dhe risitë në këto receta.
“Kryesisht janë gatime të krahinës së Korçës e të Kolonjës, ku unë jam rritur e kam jetuar. Disa prej këtyre gatimeve, janë shumë të thjeshta e shumë praktike, kurse disa të tjera janë të ndërlikuara e delikate, por unë i kam përgatitur me shumë dashuri për familjen e për miqtë e mi, prandaj më janë dukur gjithmonë të lehta”, ka treguar ajo.
Lefteri Gjoshe, një ish-arsimtare njihet dhe si autore e një cikli prej tre librash për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur, por një nga pasionet në jetën e saj ka qenë gatimi.
Me pasionin për gatimin dhe thjeshtësinë që e karakterizon, Lefteri Gjoshe më herët ka ndarë një mesazh edhe për vajzat e reja që sapo kanë krijuar një familje:
Gatuani me dashuri për familjen tuaj!/sot/