Rrëfehet Lekë Tasi: Violinçelin ma hoqën nga duart në moshën 17-vjeç, nuk i rash më kurrë

Piktori dhe shkrimtari i njohur, Lekë Tasi ka bërë një rrëfim të rrallë në emisionin “Pas Mesnate”. Ndër të tjera, ai është ndalur dhe te një pasion, që askush nuk e dinte siç është violinçeli.

Leka zbuloi në moshën 17-vjeçare ia hoqën nga duart dhe që nga ai moment nuk i ra më kurrë. Sakaq, ai theksoi se provoi t’i binte vite më vonë, por e kishte të pamundur se ishte i bllokuar.

Megjithatë, Leka thotë se pavarësisht se një ëndërr të tillë ia ndërprenë, rezervë kishte vizatimin.

“Unë isha shumë i apasionuar pas studimit, aq sa dhe mbas koncerteve rrija aty dhe i bija violinçelit. U trondita dhe u plagosa nga ky pushim që më bën në opera në kulmin e studimit.

Sillesha rrugës, por jo fort i dëshpëruar se kisha rezervë vizatimin, akuarelin, të cilin e praktikoja që në moshën 13-vjeçe. Kështu që bashkë me punën fizike, praktikoja dhe pikturën.

Doja të nënvizoja nevojën që ka brezi i ri, por dhe të moshuarit për lexim dhe muzikë. Muzika është e pranishme kudo, e ka njëriu të domosdoshme. Ku për shembull? Gjatë filmave, po të mos ketë muzikë, emocioni i aksionit nuk ndjehet nga publiku. Edhe me leximin, të shpresojmë dhe jam i sigurtë që do të ketë një emancipim të vërtetë shoqëria.

Një ditë vajta në opera për diçka dhe më dhanë një violinçel, provova t’i bija, isha komplet i bllokuar, nuk munda. Mendimi i regjisorit ishte të më nxirrte duke i rënë violinçelit.

Ndoshta po të ma linin një muaj, mund të nxirrja diçka. Nuk kam asgjë të regjistruar. Kam kërkuar në Arkivin e Tiranës dhe nuk kam asgjë të rregjistruar”, rrëfeu artisti./abcnews.al

Hapesire e Sponsorizuar