Selman Riza, gjuhëtari i madh i dënuar me burgje dhe heshtje

Historia e gjuhëtarit dhe patriotit të madh që diktatura e burgosi dhe e la në harresë

Selman Riza është një nga emrat më të rëndësishëm të albanologjisë bashkëkohëse, i lënë në harresë nga regjimi komunist pasi plotësonte të gjitha kushtet për t’u konsideruar armik: qe një intelektual i rrallë, një atdhetar i madh dhe një njeri i papërkulur ndaj diktaturave.

Në një shkrim kushtuar Selman Rizës, botuar në gazetën Tema pak vite më parë, Prof. Dr. Aleksandër Meksi, e radhit gjuhëtarin mes studiuesve shqiptarë më të rëndësishëm të albanologjisë bashkëkohëse, që mezi i kalojnë gishtat e njërës dorë. Kujto.al, bazuar në të dhënat e publikuara nga Engjëll Angoni, autor i monografisë kushtuar Selman Rizës, po sjell një përshkrim të jetës dhe përndjekjes së gjuhëtarit të madh, fillimisht nga regjimi fashist e më pas nga ai komunist, këtej dhe andej kufirit.

Selman Riza u lind në Gjakovë më 21 dhjetor 1909. Në moshën 12-13 vjeçare, bashkë me disa të rinj të tjerë kosovarë, erdhi në këmbë në Tiranë ku nisi Shkollën Plotore “Naim Frashëri”. Nga 130 nxënës që kishte kjo shkollë, 110 ishin nga Kosova. Selman Riza, në vitin 1925, u shpall nxënësi më i mirë i Plotores, me vlerësim absolut. Gjashtë vitet e shkollës i përfundoi në tre vjet, me rezultate të shkëlqyera dhe si pasojë, fitoi të drejtën e bursës për të vazhduar studimet në Liceun Kombëtar të Korçës.

Inteligjenca natyrale, por edhe puna e palodhur sistematike bënë që djaloshi nga Gjakova t’i përfundonte studimet në vitin 1931, me rezultate të shkëlqyera, sërish duke përmbledhur në gjashtë vjet, nëntë klasat e Liceut. “Selman Riza është një i ri tepër i talentuar, shumë serioz, i cili do të mundë me të njëjtën lehtësi të kryejë çdo degë të studimeve universitare dhe unë nuk dyshoj që të mos i bëjë më vonë nder atdheut me emrin e tij”, do t`i shkruante, drejtori teknik i Liceut, Leon Perre, ministrit të Arsimit.

Ministria e Arsimit i siguroi një bursë për të ndjekur studimet në Universitetin e Tuluzës në Francë. Gjenia e Selman Rizës nuk kishte kufij lokalë. Ai përsëri i dogji etapat e shkollimit dhe në tre vjet (1932-1935), mbaroi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë franceze, Fakultetin e Drejtësisë si dhe u specializua për gjuhën gjermane në Heidelberg të Gjermanisë.

Pas kthimit në atdhe u emërua menjëherë pedagog në Liceun e Korçës. Aty shenjon formimin e liceistëve dhe jep një kontribut të vyer në botimin e revistës së shkollës “Lyceum” në vitin 1936. Vlerësimeve maksimale si nxënës tani do u shtoheshin edhe ato si profesor. Drejtori francez i Liceut do thoshte për të në vitin 1937: “Me dituritë dhe shpjegimin e përkushtuar, profesor Selman Riza bënte xhelozë jo vetëm profesorët shqiptarë, por edhe ata francezë për shkak të mbresave të pashlyeshme që linte si profesor iluminist me thellësinë dhe enciklopedizmin e tij.”

Kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, Selman Riza, si një atdhetar i madh, u vu në ballë të rezistencës. Në demonstratën e 28 nëntorit 1939 në Korçë, Selman Riza u arrestua dhe u burgos. Ishte ky fillimi i përballjes së tij me diktaturat dhe përndjekjes që do të përjetonte prej tyre. Sipas një shkrese të hartuar nga organet e milicisë fashiste që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror dhe që Meksi e ka përmendur në shkrimin e tij, thuhet: “Selman Riza është kundërshtar i vendosur kundër politikës italiane. Propagandist i zoti ndërmjet elementit studentor. I rrezikshëm”.

Hapesire e Sponsorizuar

Në shkurt të vitit 1940, Selman Riza bashkë me profesorë të tjerë patriotë internohet në Ventotone të Italisë, nga lirohet në tetor të vitit 1941. Për shkak të pamundësisë për t’iu rikthyer profesionit, punon fillimisht në një firmë private në Durrës dhe në korrik 1942, zhvendoset në Kosovë ku punon si përfaqësues në gjyq, ndërsa paralelisht merrej me studime dhe veprimtari politike. Aty, së bashku me patriotë të tjerë, krijon një qendër studimesh shqiptare në Prizren. Qëllimi praktik i kësaj qendre ishte t’u krijonte intelektualëve dhe në veçanti, arsimtarëve mundësinë që të studionin në vend historinë, gjeografinë dhe dialektin e Kosovës, por edhe të botonin punimet e tyre, ndërsa synimi i përgjithshëm i tij ishte të vërtetonte shkencërisht tezën shqiptare të autoktonisë së pandërprerë të kosovarëve në trojet e tyre.

Ishin vite kur Selman Riza u shqua si një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes atdhetare, antifashiste dhe antishoviniste, e cila nuk u bashkua as me komunistët dhe as me pushtuesit italianë, por kishte si synim çlirimin e vendit dhe bashkimin kombëtar. Një nga përfaqësuesit kryesorë të misioneve angleze në Shqipëri gjatë luftës, majori Piter Kemp, raportonte për Selman Rizën, se: “Ai ishte truri i vërtetë i Partisë së irredentistëve”, por kjo parti nuk arriti të fitonte përkrahjen e aleatëve, të cilët përkrahën komunistët si në Jugosllavi dhe në Shqipëri.

Synimet e Lëvizjes Antifashiste Irredentiste, Selman Riza i ka përmbledhur në traktatin “Manifesti i Irredentizmit Antifashist”, të cilin e botoi në Tiranë, në dhjetor të vitit 1943, ndërkohë që punimi tjetër, në të cilin hidhte poshtë, me argumente, pretendimet e serbëve rreth Kosovës, jo vetëm nuk u botua, por edhe u zhduk dhe për të Engjëll Angoni ka mësuar në “Shënimet autobiografike” të Selman Rizës. Ndërkohë, gjuhëtari nuk e kishte ndërprerë aktivitetin studimor. Ai botoi në vitet 1943- 1944 në Tiranë, veprën “Tri monografina albanologjike”, ku trajtonte probleme të gjuhës letrare shqipe.

Për t’i shpëtuar gjenocidit serb, Selman Riza në dhjetor 1944, erdhi në Tiranë, por vetëm disa ditë më pas, më 12 janar të vitit 1945, u arrestua me kërkesë të jugosllavëve që e akuzonin si “udhëheqës të Lëvizjes Irredentiste Antifashiste”. Pas tre vitesh burg, pa u gjykuar, u transferua në Jugosllavi ku mbahet edhe tre vite të tjera në burg, përsëri pa dalë në gjyq. U lirua në gusht 1951, sepse ishte i sëmurë rendë nga skorbuti. Internohet në Sarajevë, ku pas disa kohësh pa punë, nis të japë leksione frëngjishteje në universitetin e qytetit.

Në tetor 1954-1955, me interesimin e autoriteteve shkencore kosovare, shërbeu si punonjës shkencor dhe shef i seksionit gjuhësor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Brenda 5 vitesh, ai shkroi disa vepra të rëndësishme në fushën e gjuhësisë duke dhënë një ndihmesë të vyer në studimet albanaologjike në Kosovë, nga vjen dhe vlerësimi i studiuesve kosovarë për të si: “mbjellës të farës së albanologjisë në Kosovë”.

Në dhjetor 1955, pavarësisht kërkesave, herë me premtime, herë me kërcënime, për të marrë shtetësinë jugosllave, Selman Riza rikthehet në Shqipëri dhe bashkohet me familjen e tij në Tiranë. Fillon punën në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, si punonjës shkencor dhe në Fakultetin e Filologjisë ku, si pedagog i jashtëm, jepte lëndën “Historia e gjuhës së shkruar shqipe”.

Kjo është edhe periudha më frytdhënëse në veprimtarinë e tij shkencore, por në vitin 1967 ai u godit përsëri. Ishte koha kur Shqipëri trumbetonte vlerat e revolucionit kulturor kinez. Selman Riza nuk ngurroi t’i shprehte hapur kritikat e tij. Ai thoshte se drejtuesit e institucioneve shkencore nuk duhet të kenë disa funksione dhe se filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi. Bëri një shkrim kritik për “Zërin e popullit” dhe meqë gazeta nuk ia publikoi, ai e vendosi në këndin e fletë-rrufeve. Reagimi qe i menjëhershëm dhe kanibalesk. “T’i pritet koka Selman Rizës”, thuhej në një fletë-rrufe dhe në një tjetër që e zëvendësoi: “T’i çiret maska Selman Rizës”. Fletë-rrufetë vazhduan me mbledhjet demaskuese dhe si përfundim, në prill 1967, Selman Rizën e largojnë nga Instituti i Gjuhësisë dhe çojnë në Berat, ku punoi ciceron në muze dhe më vonë në Bibliotekën e qytetit.

Në vitin 1970, del në pension të parakohshëm dhe kthehet pranë familjes në Tiranë, por dyert e institucioneve shkencore nuk iu hapën më dhe emri i tij nuk do shihej më në asnjë botim të ri gjuhësor dhe as në ndonjë shkrim vlerësues. Nuk u lejua të merrte pjesë as në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Megjithatë, Selman Riza nuk hoqi dorë nga studimet. Vitet e fundit, siç shkruan Prof.Dr. Aleksandër Meksi që e njihte personalisht, ai shkonte shpesh në Bibliotekën Kombëtare, ku punonte në lëmin e filozofisë në drejtim të lidhjes së saj me gjuhësinë. Meksi ka shkruar se i biri i Selman Rizës, Emini, po digjitalizon këto dorëshkrime, të cilat do përfshihen në vëllimin e katërt të botimit të plotë të veprave të Selman Rizës, që po kryen Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë. Një detyrim ndaj këtij personalitetit të shkencës, i cili në Shqipëri nuk u vlerësua kurrë sa duhej. Ai u dënua me heshtje për vite me radhë dhe në fund të jetës, kur ishte i sëmurë, nuk iu krijua mundësia për të shkuar për kurim jashtë Shqipërisë.

Madje edhe kërkesa për një fjalim nga kolegët e tij në ceremoninë e varrimit (16.2.1988) nuk u miratua nga instancat e partisë-shtet. Heshtjen zyrtare, shkruan Meksi, e prishi në çastin e fundit profesor Aleks Buda, Kryetari i Akademisë. Me një fjalë të shkurtër të improvizuar i dha lamtumirën kolegut dhe mikut të afërt. Pas tij, mori fjalën dr. Bexhet Reso, i cili i revoltuar nga heshtja zyrtare shpërtheu: “Ç’po ndodh kështu?! Kë po varrosim?! Nuk mund të ndahemi kështu nga Selman Riza. Ai nuk është vetëm një gjuhëtar në zë, por, në radhë të parë, një patriot i shquar, idealet e të cilit janë edhe sot flamur i shqiptarizmit në Kosovë”.

Martin Camaj do të shkruante një vit më pas për të: “Selman Riza, karakter njeriu pa zhigla, origjinal në ide e formulim mendimi, pat një kulturë jashtëzakonisht të gjanë; jam i sigurt se në kushte të tjera akademike (humbjen e dhjetë vjetëve i ngunjuem në burgim as që po e zamë me gojë) do të kishte dhanë vepra ma të mëdha e ma të qindrueshme të kohës… kush e njohi mirë dhe bashkëpunoi nuk i shlyhet mendjes e zemrës.”

Vlerat e tij si shkencëtar kapërcyen kufijtë tanë dhe ndërsa Selman Riza, në vendin e tij, survejohej dhe nuk lejohej të kryente as një veprimtari shkencore, Prof. Dr. Irena Sawicka shkruante për të, në vitin 1983: “Punimet e Rizës të çuditin për mënyrën moderne të të menduarit (sidomos në sfondin e arritjeve të deritanishme të gjuhësisë shqiptare) dhe në përpjestime të mëdha japin zgjidhje teorike të përshtatshme për linguistikën e kohës. Punimet e këtij autori i karakterizon logjika, saktësia dhe qartësia e interpretimit. Vlera e punimeve të Rizës është veçanërisht e madhe në fushën e gramatikës historike dhe zhvillimit të mendimit teorik”./Kujto.al