Mësuesja e parë e vajzave dhe grave shqiptare

Më 24 shkurt 1871 lindi Sevasti Dako Qiriazi, arsimtare, veprimtare e çështjes kombëtare.

Ishte atdhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimit shqiptar për vajza dhe gra. Ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazit të studionte në kolegjin me emër Robert Kolegj në Stamboll e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor 1891.

Me t’u kthyer në Shqipëri ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike. Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Ajo mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore.

Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako e me të motrën Parashqevi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”.

Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të grave të cilat kontribuuan, jo vetëm në fushën e arsimit, por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare.

Vdiq më 30 gusht të vitit 1949.

Hapesire e Sponsorizuar