Shaban Balla, jetimi që la pas jetimë

Babai i tij, Qamil Balla ishte 36 vjeç, kur e vranë forcat malazeze në bregun e Matit, në ndjekje të ushtrisë shqiptare nga Shkodra drejt Tiranës. Ai e la jetim Shabanin në moshën 8-vjeçare. Shabani do të kishte pak a shumë moshën e të atit, kur do ta vrisnin komunistët, për të lënë pas jetimët e tij.

Fjala e fundit e 9 opozitarëve të grupimit “Bashkimi Demokratik”, të pushkatuar më 3 korrik 1946, është thuajse identike, me përjashtim të Shaban Ballës, i cili thotë: “Ju lë kujdes fëmijët”. E dinte mirë ç’do të përjetonin ata. Po i linte pa baba në po atë moshë, kur kishte mbetur vetë jetim, pasi i ati ishte vrarë nga forcat malazeze.

Shaban Balla ishte lindur në Krujë. Kishte kaluar një fëmijëri me sakrifica dhe në moshën 14-vjeçare ishte regjistruar në Shkollën Teknike të Harry Fultz-it në Tiranë. Po në këtë shkollë, siç shkruan Pjetër Pepa, në librin “Dosja e Diktaturës”, mbaron edhe kursin plotësues për graduat-oficer artilerie. Regjimi i Zogut, sipas Pepës, kërkon ta burgosë sepse si korrespondent i gazetës “Times” boton informacione kritike ndaj regjimit. Punon si gjeometër në Ministrinë Botore dhe kryen me korrespondencë dy kurset e para të Robert College në Stamboll.

Ai, duke shprehur angazhimin e tij në çështjen kombëtare, përkthen nga anglishtja librin studimor “The Shkypetars” të George Fred Williams, ish-ambasador i ShBA-ve në Greqi dhe Mal të Zi dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë, në vitet 1913-1914, i cili e kishte marrë shumë për zemër çështjen shqiptare dhe shqiptarët. Në parathënien e botimit shqip, Shaban Balla shpreh edhe pikëpamjet e tij, duke kritikuar qëndrimin e Fuqive të Mëdha në marrëveshjen e Londrës.

I nisur nga ndjenjat patriotike dhe i ndikuar nga miqësia me Mustafa Gjinishin, Sejfulla Malëshovën etj. Balla ndihmoi Lëvizjen Nacionalçlirimtare, por nuk mund të binte dakord me qeverisjen e Shqipërisë nga komunistët. Ai iu bashkua grupit opozitar të quajtur “Grupi i rezistencës” që në verën e vitit 1945 dhe në vjeshtën e atij viti, kur ky grupim, bashkë me Partinë Socialdemokrate të kryesuar nga Musine Kokalari dhe Partinë e Legalitetit me në krye Qenan Dibrën, formoi në Tiranë grupin “Bashkimi Demokratik”, Shaban Balla ishte aty. Madje, ishte ai që u dorëzoi anglezëve dhe amerikanëve notën e përpiluar nga Musine Kokalari ku kërkohej shtyrja e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, në mënyrë që në to të merrnin pjesë edhe grupimet opozitare.

Por si ndodhi me të gjithë firmëtarët e asaj note, Shaban Balla u arrestua në fillim të vitit 1946. Ishte kjo ndoshta rruga më e shkurtër për te arrestimi, por edhe rrugë të tjera të jetës së tij, do e kishin çuar aty, siç ishte punësimi në UNRRA në vitin 1945, apo kryerja e shkollës teknike të Fultz-it në vitet ’20.

Sipas Pjetër Pepës, pas arrestimit, Shaban Balla iu nështrua torturave çnjerëzore të hetuesve Thoma Karamello, Nesti Kerenxhi, Vangjo Mitrojorgji dhe prokurori Siri Çarçani.

Në akt-akuzën e përpiluar nga prokurori Nevzat Haznedari, për Shaban Ballën, shkruhej: “Ka marrë pjesë në grupin terrorist fashist, i cili në lidhje me reaksionin e jashtëm, ka tentuar për të rrëzuar pushtetin popullor. Ka qenë në lidhje me të arrestuarit kriminelë të luftës si Hysni Dema e Shyqyri Dine. Ka aprovuar mendimin e organizatave terroriste për të kryer atentate. Ka bërë spiunazh në favor të një shteti të huaj”.

Hapesire e Sponsorizuar

Procesi gjyqësor ndaj grupit të parë opozitar kundër regjimit komunist, u zhvillua më 17-30 qershor të vitit 1946, në Tiranë. U gjykuan 37 persona dhe më 2 korrik, Gjykata e Lartë Ushtarake dha vendimin për të dënuar 9 prej tyre me pushkatim. Kërkesave të tyre për faljen e jetës, drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, iu kthye përgjigje negative brenda ditës. Të nesërmen, më 3 korrik 1946, në orën 5.00 të mëngjesit, Qenan Dibra, Hivzi Golja, Sami Ceribashi, Talat Drini, Tut Meniku Xhavit Koka, Mehmet Ali Beshiri, Ali Kavaja dhe Shaban Balla, u ekzekutuan. Ata u mbuluan në një gropë të përbashkët dhe eshtrat e tyre nuk janë gjendur as sot.

I pranishëm në vendin e ekzekutimit, ishte dhe prokurori Nevzat Haznedari, i cili ka firmosur dokumentin me fjalën e fundit të 9 të pushkatuarve.

Në dokument, pas 6 thirrjeve identike “Rroftë Shqipëria me Kosovën”, lexohet porosia e Shaban Ballës: “Ju lë kujdes fëmijën”. Ai e dinte çfarë do të thoshte të mbeteshe jetimë në atë moshë, por për fëmijët e Shabanit do të ishte dhe më e vështirë. Ata do të jetonin nën regjimin që u vrau të atin, që do i quante dhe ata armiq e që do ua bënte jetën të vështirë në çdo hap.

Foto: Nga gjyqi i Bashkimit Demokratik/Kujto.al